Fjalimi i Ambasadores Yuri Kim në Ballon e Marinsave në 247-vjetorin e Trupës së Marinsave të SHBA

Mirëmbrëma president Begaj, ministër i mbrojtjes Peleshi, miq – faleminderit të gjithëve që na u bashkuat për të festuar ditëlindjen e 247 të Trupës së Marinsave të Shteteve të Bashkuara!

Ne mblidhemi për shumë ngjarje gjatë vitit, por kjo është shumë e veçantë – dhe thellësisht personale – për mua.

Unë kam lindur në Kore dhe jam rritur në Guam, dy vende liria e të cilëve u fitua nga kurajoja dhe sakrifica e Marinsave të SHBA. Bashkombësi im guamanas, Rreshteri Spates, mund të dëshmojë që rruga kryesore kur rriteshim lart e poshtë ishullit tonë quhet “Rruga e Trupës së Marinsave.” Asnjë ditë nuk mundet – as duhet – të ikë pa menduar për Marinsat.

Për 247 vite e kushedi sa në vazhdim, Marinsat kanë mbrojtur kombin tonë. Siç thotë Himni i Marinsave, ata kanë shërbyer “prej agimit në perëndim të diellit…, në çdo klimë dhe vend.” Prej 1948-s, ata kanë shërbyer përkrah diplomatëve të Amerikës, duke mbrojtur ambasadat tona në të gjithë botën. Ne – Marinsat dhe diplomatët amerikanë – ndajmë një lidhje të veçantë në shërbimin e përbashkët ndaj kombit tonë. Nuk mund të ishim më krenarë që përfaqësojmë vendin tonë së bashku. Siç ata bënë në Saigon, Phnom Penh, Islamabad, Beirut, San Salvador dhe Nairobi, Marinsat kanë bërë sakrificën fundore gjatë kryerjes së detyrës së tyre krah nesh. Nuk mund të ishim më mirënjohës për besnikërinë dhe kurajon tuaj.

Në emër të Departamentit të Shtetit, Sekretari i Shtetit Blinken u ka dërguar një mesazh selive tona diplomatike me këtë rast, mesazhe të cilat po i shfaqim këtu sonte. Në fjalët e tij, “Marinsat janë një simbol i vlerave amerikanë të integritetit, guximit, besnikërisë dhe përkushtimit. Ata janë mishërimi gjithnjë i pranishëm i vlerave tona amerikane – 24 orë në ditë, 365 ditë në vit.”

Qoftë në fushën e betejës, në ambasadë, apo kudo tjetër – përkushtimi i tyre i palëkundshëm ndaj detyrës dhe ndaj vendit është arsyeja pse kanë merituar reputacionin e tyre si forca luftarake më besnike, më e respektuar dhe më profesionale në botë.

Trupës së Marinës së ambasadës së SHBA në Tiranë – faleminderit. Shpresoj ta dini seçdo herë që hyj në ambasadë dhe ju më përshëndesni, është një kujtesë e nderit të madh dhe detyrës së shenjtë që ndajmë në shërbimin ndaj vendit tonë. Dhe dua ta dini që kur ju kthej përshëndetjen , është një shprehjei e dashurisë, respektit dhe mirënjohjes sime të thellë personale për secilin prej jush dhe për gjithçka që Trupa e Marinsave të Shteteve të Bashkuara ka qenë, është dhe do të jetë ndonjëherë.

Motoja e çdo marinsi është Semper Fidelis – “Gjithmonë Besnikë”. Zoti ju bekoftë teksa ruani besim të përjetshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me popullin amerikan dhe me njëri-tjetrin.

Gëzuar ditëlindjen dhe Semper Fidelis!