Fjalimi i Ambasadores Yuri Kim në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë

Mirëmbrëma!  Është e mrekullueshme të jem këtu me Ela Ruçin nga Bechtel dhe Bordin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, dhe kam mundësinë t’u drejtohem anëtarëve të Dhomës Amerikane, si pjesë e takimit të përvitshëm të Asamblesë së Përgjithshme.

Ky është një vit historik dhe ju drejtohem sot, tridhjetë vjet – pothuajse si sot – që kur Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara rivendosën marrëdhëniet diplomatike. Kjo ndodhi vetëm për shkak të vullnetit të popullit shqiptar dhe atij amerikan për të ndërtuar një partneritet të ri, të qëndrueshëm, pasi u mbajtën të ndarë me forcë. Dhe gjatë këtyre tridhjetë viteve është e pabesueshme të shohësh sa të afërt janë dy vendet tona. Lidhja ekonomike dhe biznesi është një aspekt i jashtëzakonshëm i këtyre marrëdhënieve të rivendosura. Në fund të fundit, këto janë lidhjet që prekin qytetarët tanë dhe udhëheqin drejt një të ardhmeje më të begatë për brezin e ardhshëm.

Ambasada e SHBA ka tri prioritete në Shqipëri: demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin. Ne jemi përqendruar prej kohësh në demokracinë dhe mbrojtjen dhe kemi një vrull të mirë në këto fusha. Jam e kënaqur që po udhëheq një shtysë për t’i ngritur marrëdhëniet tona të biznesit në të njëjtin nivel. Shtetet e Bashkuara janë ekonomia më e madhe në botë dhe është e qartë se në Shqipëri mund të përftohet më shumë nga një lidhje më e ngushtë: vende pune më të mira; aftësi të përparuara; një ekonomi në rritje; qasje në më shumë produkte me çmime më të ulëta; dhe më shumë mundësi për rininë shqiptare pikërisht këtu në Shqipëri.

Pothuajse një vit më parë si sot, ne nënshkruam një Memorandum të Bashkëpunimit Ekonomik dypalësh, duke demonstruar angazhimin e SHBA për një marrëdhënie edhe më të fortë ekonomike. Dhe kemi parë rezultate – rezultate të ndjeshme që mund t’i prekni dhe t’u shkoni pranë. Dy javë më parë, vizitova projektin e hidrocentralit të Skavicës me Bechtel, për të cilin jam e emocionuar që përfaqësohet këtu sot. Projekti në Vlorë me Excelerate Energy dhe ExxonMobil është një shembull tjetër i fortë dhe nëse ka sukses, do të jetë investimi i huaj i drejtpërdrejtë më i madh në Shqipëri kryer ndonjëherë nga një kompani amerikane. Përtej këtyre projekteve në shkallë të gjerë, ju mund të shihni marrëdhënie në rritje të numrave të tregtisë me importet dhe eksportet që deri në fund të gushtit tejkaluan të gjithë vitin 2020. Ju gjithashtu mund ta shihni atë përmes gjithnjë e më shumë markave amerikane që shtrihen në tregun shqiptar.

Mbetet ende më shumë punë për t’u bërë dhe ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare t’i japë përparësi përmirësimit të klimës së biznesit për të zhbllokuar me të vërtetë potencialin që të gjithë e dimë se ekziston këtu. Reforma në drejtësi duhet çuar deri në fund në mënyrë që gjykatat të jenë pastra, të drejtat e pronës duhet të trajtohen një herë e mirë, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe konkurenca e ndershme duhet të jetë parësore në mënyrë që të gjithë investitorët, të mëdhenj apo të vegjël, shqiptarë apo të huaj, të luajnë me të njëjtat rregulla të drejta dhe transparente. Qeveria duhet ta marrë seriozisht Agjendën e Investimeve të Dhomës Amerikane të publikuar së fundmi dhe ta shikojë atë si një udhërrëfyes se si të përmirësojë klimën e biznesit. Një klimë më e mirë biznesi do të krijojë një Shqipëri më të mirë dhe më të fortë.

Gjatë tridhjetë viteve të fundit kemi bërë rrugë të gjatë, por kur shohim atë që kemi arritur deri më tash, kam besim se, me punë të palodhur, e ardhmja është e ndritur.