Fjalimi i Ambasadores Yuri Kim në Aktivitetin e Prezantimit të Raportit të Monitorimit të KLP dhe KLGJ nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit

*Mirëmëngjes Zj. Llagami, Z. Ibrahimi, Z. Metani, Z. Cela, Z. Kraja, Zj. Skëndaj, të dashur të ftuar,

Faleminderit për ftesën për t’u bashkuar me ju në këtë aktivitet të rëndësishëm sot.

Reforma në Drejtësi dhe zbatimi i saj ka qenë dhe vazhdon të jetë, një nga zhvillimet më të rëndësishme për pranimin e Shqipërisë në BE dhe për një të ardhme më të begatë për popullin shqiptar. Siç e kam thënë shumë herë më parë: reforma në drejtësi nuk është e shpejtë, nuk është e lehtë, as nuk është e përsosur, por po ecën përpara, hap pas hapi.

Por, Reforma në Drejtësi nuk është një përpjekje për t’u trajtuar vetëm nga qeveria shqiptare. Gjatë qëndrimit tim këtu, kam theksuar vazhdimisht rëndësinë e rolit të shoqërisë civile në forcimin e demokracisë dhe ecjen e saj përpara.

Në këtë drejtim, kontributet e shoqërisë civile në çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi kanë qenë thelbësore, përfshirë mbështetjen dhe avokimin, oferta të ekspertizës teknike dhe monitorimin e procesit dhe përparimit të saj.

Kjo nismë më e fundit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit është një shembull i shkëlqyer i asaj që shoqëria civile mund të ofrojë për të vazhduar me ecjen përpara të Reformës në Drejtësi. Gjatë muajve të fundit ata kanë vëzhguar performancën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë me qëllim përmirësimin e efikasitetit, llogaridhënies dhe të integritetit të tyre. Ambasada e SHBA është e lumtur që e ka mbështetur këtë nismë përmes Programit tonë të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci.

Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara që të punojnë me ju për të siguruar përparimin e Reformës në Drejtësi. Vëzhgimi i performancës së institucioneve të drejtësisë është thelbësor në këtë drejtim. Ne duhet të kuptojmë se sa shumë rrugë kemi bërë, ku qëndrojmë sot dhe ku duhet të shkojmë, në mënyrë që të sigurojmë që Reforma në Drejtësi të mbetet në shtegun e duhur.

Pas vetëm disa minutave, do të njihemi në hollësi me gjetjet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, por dua të përmend disa vërejtje që mendoj se janë të rëndësishme për t’u shënuar. Këshillat ishin institucionet e para që u krijuan nga reforma në drejtësi. Dhe ato qenë të nevojshme për të na sjellë këtu ku jemi sot. Që prej këtij viti, institucionet e reformës në drejtësi janë ngritur. Është e rëndësishme për ne të njohim punën që kanë bërë deri më tani KLGj dhe KLP. Prokurori i Përgjithshëm u emërua. SPAK ka prokurorë dhe klasa e parë e hetuesve të BKH do të përfundojë trajnimin së shpejti. Po, shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë larguar, por kjo është një gjë e mirë. Të mos harrojmë se ata u hoqën ngaqë kishin shkelur standardet e sjelljes profesionale. Procesi po ecën përpara. Gjykata e Lartë tani ka shtatë gjyqtarë. Të gjitha këto arritje vijnë nga puna e Këshillave. Sidoqoftë, mbetet më shumë punë për t’u bërë, për të siguruar që ato të arrijnë efikasitetin e plotë.

Së pari, KLGJ duhet të përmbushë detyrimin e saj për t’i dhënë SPAK-ut një Gjykatë efektive duke promovuar gjyqtarë që kanë kaluar vlerësimin kalimtar, sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk ka dyshim që boshllëqet e personelit të shkaktuara nga sistemi i verifikimit kanë qenë alarmante. Sidoqoftë, KLGJ ka mundësinë që ta rikthejë këtë proces në rrugën e duhur duke lëvizur gjyqtarë që e kanë kaluar vetingun, në pozicione ku puna mund të rritet dhe ku çështjet mund të ndiqen ligjërisht.

Së dyti, si KLGJ ashtu edhe KLP duhet të gjejnë zgjidhje për boshllëqet ekzistuese në burime. Publiku nuk mund të presë drejtësinë deri në përfundim të vetingut. Këshillat duhet të veprojnë tani për të vlerësuar nevojat e sistemit përmes hartës gjyqësore dhe duke i mbajtur magjistratët në llogaridhënie për veprimet e tyre përmes vlerësimeve etike dhe profesionale.

Së treti, këshillat duhet të vendosin standarde, në mënyrë që t’u kërkojnë llogari gjyqtarëve dhe të miratojnë një kod etike për gjyqtarët, prokurorët dhe ata vetë.

Dhe së fundmi, Këshillat duhet të udhëheqin me anë të shembullit dhe të ndjekin rregullat e tyre duke respektuar procedurat dhe afatet kohore të përcaktuara me ligj.

Ndërsa Komiteti Shqiptar i Helsinkit kishte edhe rekomandime shtesë, doja të theksoja këto katër për të na ndihmuar në ndërtimin e udhërrëfyesit për të ardhmen. Si KLGJ ashtu edhe KLP kanë më shumë punë për të bërë. Ata luajnë një rol vendimtar në ngritjen e sistemit të drejtësisë të Shqipërisë për suksesin në të ardhmen.

Shpresoj që udhëzimet dhe rekomandimet që po diskutohen sot do ta ndihmojnë KLGJ dhe KLP në përmbushjen e roleve të tyre të rëndësishme. Dhe në këtë drejtim, unë dua të ritheksoj mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në çuarjen përpara të reformës në drejtësi. Ne jemi së bashku me ju në këtë rrugëtim.

Faleminderit!

*Fjalimi i parapërgatitur