President Begaj, Kryeministër Rama, Ministra dhe Gjeneralë, Aleatë dhe Partnerë, Shkëlqesi, burra dhe gra në uniformë, të ftuar të shquar dhe miq,
Ky është një moment i jashtëzakonshëm. Jemi me fat që jemi këtu. Jemi mbledhur në një shesh të përdorur për dhjetëvjeçarë nga një diktator brutal i përkushtuar për ta izoluar Shqipërinë nga bota. Shqiptarëve iu tha se Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë në mbarë botën ishin armiqtë e tyre. Qytetarët u urdhëruan të ndërtonin bunkerë, këta bunkerë të çmendur, dhe të përgatiteshin për të luftuar në mënyrë që t’i mbanin armiqtë e tyre jashtë.
Shikoni përreth jush sot, një Shqipëri e ndryshuar – kjo është historike. Ja ku jemi, në sheshin “Nënë Tereza”, në një Shqipëri demokratike, të rrethuar nga qindra burra dhe gra në uniformë nga Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe partnerë të tjerë, duke nisur një stërvitje ushtarake ndërkombëtare “DEFENDER EUROPE 2023”.
Jemi këtu si aleatë, miq, partnerë. Amerikanë dhe shqiptarë që qëndrojnë krah-për-krah, siç thoni ju. Dikur të ndarë, të mbajtur larg, tani jemi aleatë në NATO dhe partnerët më të afërt ushtarakë.
Gjatë dy viteve nga “DEFENDER EUROPE 21”, bota ka ndryshuar. Rusia ndërmori një pushtim të plotë, brutal dhe të paprovokuar të Ukrainës. Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe aleatët tanë të NATO-s janë më të bashkuar dhe më të fortë se kurrë. Nuk mund të mos kujtoj fjalët e Skënderbeut, heroit kombëtar të Shqipërisë si dhe heroit tim personal, “Bashkimi bën fuqinë!”.
Që nga “DEFENDER 21” dhe deri te përgatitja e “DEFENDER 23” sot, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara po bëjnë më shumë se kurrë më parë së bashku. Ne kemi ndërmarrë hapa të mëdhenj së bashku si aleatë dhe partnerë të sigurisë. Kemi krijuar dy pranitë e para ushtarake të SHBA-së në historinë e Shqipërisë – shtabin rajonal pararojë të Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA-së – Task Forcën për Ballkanin, dhe njësinë e Brigadës të Forcave të Sigurisë dhe të Ndihmës së Ushtrisë së SHBA-së me rotacion. Këto arritje po përshpejtojnë ritmin e marrëdhënieve tona ushtarake dhe rëndësinë e partneritetit strategjik SHBA-Shqipëri.
Partneritetet tona ndërkombëtare janë më të rëndësishme se kurrë më parë. “DEFENDER 23” është krijuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë ushtarake midis Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë dhe aleatëve tanë të NATO-s dhe është një mundësi për ta vënë këtë partneritet në veprim. Kjo do të na tregojë neve dhe pjesës tjetër të botës se së bashku, me aleatët dhe partnerët tanë, mund të përmbushim çdo mision.
Burrave dhe grave në uniformë: ju falënderoj për shërbimin tuaj, faleminderit që zgjodhët të mbroni vendin tuaj, faleminderit që zgjodhët të na mbroni ne, faleminderit që jeni gjithnjë aty. Jam shumë krenare të qëndroj përkrah jush ndërsa filloni këtë sipërmarrje të rëndësishme. Ju nxis ta përdorni këtë mundësi të rëndësishme për të na bërë të gjithëve më të fortë, më të efektshëm dhe më të bashkuar.
Së bashku, me Shqipërinë, të ankoruar në vlerat tona të përbashkëta, do të vazhdojmë të bëjmë histori, një histori të re dhe më të mirë. Jemi krenarë ta quajmë Shqipërinë aleate dhe mike. Dhe jemi krenarë që qëndrojmë krah-për-krah me Shqipërinë dhe popullin e Shqipërisë.
Faleminderit!