Fjalimi i Ambasadores së SHBA Yuri Kim në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë
Mirëmbrëma të gjithëve. Faleminderit shumë Enio (Jaço) dhe gjithë bordit për udhëheqjen tuaj të shkëlqyer të Dhomës Amerikane të Tregtisë, jo vetëm gjatë vitit të kaluar, por gjatë gjithë mandatit tuaj në bordin drejtues. Faleminderit edhe Cem (Cevik) dhe Levent (Cengiz) për këtë hotel të bukur dhe Cem-it për fjalimin. Është një kënaqësi e vërtetë të mirëpresësh një markë ndërkombëtare amerikane si Marriott në zemër të Tiranës.
Është një ditë e mrekullueshme. Besoj të gjithë jemi dakord që marrëdhëniet SHBA-Shqipëri janë në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Ne jemi aleatë në NATO dhe partnerë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shqipëria është shfaqur si demokraci e lulëzuar – edhe pse e papërsosur – në Ballkanin Perëndimor. Siç e dimë nga përvoja jonë, demokracia nuk mund të merret kurrë si e mirëqenë; duhet ta ruajmë dhe ta forcojmë pa pushim. Edhe bashkëpunimi SHBA-Shqipëri në fushën e mbrojtjes po arrin lartësi të reja, veçanërisht pas stërvitjes ushtarake historike “Defender Europe 2021”. Ajo stërvitje – nëse ju kujtohet – solli deri në 6000 trupa amerikane vetëm në Shqipëri dhe mendoj se bazuar në atë që gjeneralët amerikanë panë këtu, ne shohim një potencial të jashtëzakonshëm për zgjerimin e marrëdhënieve tona në mbrojtje.
Jam gjithashtu krenare të them se nga këto tre shtylla kryesore të agjendës sonë – demokracia, mbrojtja dhe biznesi – biznesi është gjithashtu në rritje, një rritje e jashtëzakonshme. Ne po shohim, siç tha Enio, një rritje të madhe të investimeve të SHBA-së në Shqipëri. Lidhjet e biznesit SHBA-Shqipëri po shohin gjithashtu rritje të ndjeshme. Bizneset amerikane vazhdojnë të rrisin investimet në Shqipëri. Investimet e huaja të drejtëpërdrejta të SHBA-ve arritën një nivel të ri prej 235 milionë dollarësh në fund të vitit 2022, më shumë se dyfishi i asaj që ishte përpara pandemisë. Tregtia jonë dypalëshe është rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe në vitin 2022, eksportet shqiptare drejt SHBA-së ishin tre herë më të larta se një vit më parë dhe pothuajse katër herë më shumë se dy vjet më parë. Pjesa e eksporteve totale që shkojnë në SHBA është dyfishuar vitin e fundit.
Ekziston ende shumë potencial i pashfrytëzuar për tregti dhe investime në Shqipëri, por Shqipëria duhet të vazhdojë të përmirësojë klimën e saj të investimeve dhe të vazhdojë të luftojë korrupsionin për të arritur potencialin e saj të plotë.
Ja ku të gjithë ju – Dhoma Amerikane e Tregtisë – hyni për të bërë ndryshimin. Avokimi i Dhomës Amerikane të Tregtisë ka përmirësuar klimën e investimeve në Shqipëri, ndërsa ju bëni presion për të standardizuar politikat tatimore dhe të nxisni reforma të vazhdueshme kundër korrupsionit. Dhoma Amerikane duhet të vazhdojë të ofrojë rekomandime dhe ide konkrete se si të përmirësohet mjedisi i biznesit dhe të përkrahen kushte te barabarta dhe të drejta për të gjithë.
Jo të gjitha këto rekomandime zbatohen menjëherë, por ato zbatohen, dhe kjo varet nga këmbëngulja juaj. Shoh një grup shumë të fuqishëm, 3 miliardë të ardhura totale, 40 mijë punonjës. Kjo ju jep një zë, kështu që vendosni se cilat janë përparësitë tuaja dhe t’i ndiqni ato. Na tregoni cilat janë përparësitë tuaja dhe ne mund t’ju ndihmojmë, por ju takon juve të udhëhiqni.
Edhe qeveria e Shteteve të Bashkuara do vazhdojë të luajë rolin e saj. Siç e dini, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm reformën në drejtësi në Shqipëri. Nuk është çështje morale, është çështje biznesi. Një reformë e këtyre përmasave është jashtëzakonisht e vështirë dhe, sinqerisht, e dhimbshme, por po bëhët përparim dhe reforma tani po jep rezultate reale – rezultate që do të ndikojnë në vendimet për investime. Shqipëria me siguri do të tërheqë më shumë tregti dhe investime me Shtetet e Bashkuara teksa qeveria vazhdon të racionalizojë dhe të bëjë më efikase rregullat dhe procedurat, të zgjidhë pretendimet për pronat, të çrrënjosë korrupsionin nga sektorët e saj të biznesit dhe të drejtësisë, si dhe të forcojë partneritetin e saj me komunitetin e biznesit amerikan.
Nëse kërkoni rekomandime, duhet të dëgjoni. Kërkimi i rekomandimeve nuk duhet të jetë thjesht politik – duhet të prodhojë rezultate.
Kompanitë amerikane mund të luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke krijuar vende pune, duke ndihmuar për të vendosur standarde ndërkombëtare dhe prezantuar praktikat më të mira. Sektori i Teknologjisë së Informacionit ofron një shembull se si edhe kompanitë e vogla mund të bëhen lojtarë të rëndësishëm, veçanërisht në edukimin e brezit të ardhshëm, duke rritur ekspertizën e tyre në një botë të ndërlidhur me më shumë mundësi, por edhe më shumë kërcënime.
Kompanitë amerikane mund të luajnë një rol kyç për të ofruar alternativa të besueshme dhe të sigurta, në mënyrë që Shqipëria të mos ketë nevojë të mbështetet te ofrues të pabesueshëm. Kompanitë amerikane mund të luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm për të ndihmuar në rindërtimin e aftësive kibernetike të Shqipërisë në përgjigje të sulmeve kibernetike iraniane të vitit të shkuar. Nuk ka dyshim se këto ishin sulme serioze, dhe gjithashtu nuk ka dyshim se ato do të vazhdojnë, edhe nëse jo nga Irani, ne do të vazhdojmë të përballemi me këto. Çdo vend ka dhe pothuajse çdo kompani është përballur me to.
Me pak fjalë, kemi mundësi dhe sfida, por edhe sfidat ofrojnë mundësi.
Presim me kënaqësi të punojmë me Dhomën Amerikane për të vazhduar nxitjen e një klime më të mirë biznesi, që të mund të çojmë përpara partneritetin ekonomik midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Tani, nuk e di nëse të gjithë e dini apo jo, por unë personalisht jam një person shumë konkurrues, më pëlqen të fitojë më pëlqen që çdo gjë për të cilën po punojmë të jetë numri një. Dy javë më parë, prita të gjithë ambasadorët amerikanë nga i gjithë rajoni dhe isha veçanërisht e kënaqur që ne – Shqipëria dhe partneriteti SHBA-Shqipëri – jemi të parët në rritjen e tregtisë dhe investimeve. Ne jemi numri një në tërheqjen e investimeve të SHBA, projekte të mëdha investimesh, përfshirë Marriot, por të tjera që lidhen me energjinë, sektorin e TIK, si dhe investimet e biznesit të vogël dhe të mesëm. Shpresoj që do të vazhdojmë të jemi numri një, por ju e dini më mirë se unë që të qëndrosh në krye kërkon shumë punë. Nëse jeni të gatshëm të vazhdoni të punoni shumë dhe nëse në fakt punoni edhe më shumë, nuk kam dyshim se unë dhe ekipi im në Ambasadën e SHBA do të jemi aty për ta mbështetur atë përpjekje. Pra, le të vazhdojmë dhe le të qëndrojmë numri një.
Faleminderit shumë!