Flag

An official website of the United States government

Fjalimi i Ambasadores së SHBA Yuri Kim në 25 vjetorin e Shkollës Shqiptare të Magjistraturës
6 MINUTA LEXUAR
3 Tetor, 2022

Remarks by U.S. Ambassador Yuri Kim at the 25th Anniversary of the Albanian School of Magistrates

 

Mirëmëngjesi të gjithëve! I nderuar President Begaj, Ministër Manja, Drejtor Rakipi, kolegë të nderuar të trupit diplomatik, të dashur të ftuar dhe, sigurisht, të dashur të diplomuar!

Është kënaqësi të jem me ju këtë mëngjes. Dr. Martin Luther King ka thënë se: “paqja e vërtetë nuk është thjesht mungesa e tensionit – por është prania e drejtësisë”.

Sot ne shënojmë një gur kilometrik të rëndësishëm në zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Prej 25 vitesh, Shkolla e Magjistraturës ka qenë një shtyllë për sistemin e drejtësisë së Shqipërisë, për reformën e saj në drejtësi dhe për shpresat e qytetarëve shqiptarë për drejtësi përpara ligjit. Gjatë këtyre 25 viteve, Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar krah shqiptarëve në këtë përpjekje dhe kanë mbështetur punën e rëndësishme të Shkollës së Magjistraturës.

Më keni dëgjuar shpesh të them se reforma në drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur. Por besoj të gjithë ne mund ta shohim se reforma po fillon të japë rezultate. Qytetarët shqiptarët kanë shpresa që magjistratët e rinj të cilët janë sot këtu – të gjithë ju, të gjithë ju, secili prej jush – do të japin rezultate. Ata gjithashtu presin që Shkolla e Magjistraturës të trajnojë brezin e ri të magjistratëve. Trajnimi juaj për gjyqtarët dhe prokurorët e kualifikuar të cilët e kanë kaluar rivlerësimin kalimtar është një pjesë kritike e sigurimit të një sistemi drejtësie të besuar për popullin shqiptar.

Ndërsa bëni këtë, do të jetë e nevojshme që Shkolla e Magjistraturës të ndërmarrë ndryshime, të modernizojë veten, të mbajë ritmin e kërkesave të reformës në drejtësi. Sfidat me të cilat përballeni sot janë ndryshe nga sfidat me të cilat jeni përballur në të kaluarën. Ne shpresojmë që Shkolla e Magjistraturës do t’i përgjigjet nevojave të një sistemi drejtësie në ndryshim dhe përmirësim në vend.

Ju sfidoj të jeni të guximshëm në bërjen e ndryshimeve në strukturat dhe praktikat tuaja për t’u përballur me këto sfida. Të gjithë ne, nëse duam të përmirësohemi, qoftë si individë, institucione, apo vende, ne duhet të ndryshojmë, të përshtatemi, ne të duhet të modernizohemi. Shpresoj se Shkolla e Magjistraturës do ta bëjë këtë.

Ka shumë arsye për të qenë plot shpresë për një të ardhme më të mirë për këtë brez dhe brezat që do të vijnë, ndërsa Shqipëria ndërmerr reforma që janë të domosdoshme për të vendin e saj në BE.

Reforma në sektorin e drejtësisë – qoftë këtu në Shkollën e Magjistraturës, në gjykata, polici dhe agjenci të tjera – duhet të ketë sukses për të mirën e të gjithë shqiptarëve dhe të ardhmen e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë teksa ajo ecën përpara në integrimin e saj euroatlantik dhe ofron një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët. Puna e Shkollës së Magjistraturës dhe e gjithë sektorit gjyqësor të Shqipërisë është thelbësore për këtë përpjekje.

Ndërsa uroja të diplomuarit, po mendoja, çfarë bëjmë ne të gjithë? Çdo mëngjes, unë zgjohem dhe përpiqem të mendoj, ndërsa shihem në pasqyrë, përpiqem të kujtoj veten se përse jam këtu? Përse jam në këtë punë? Përse e zgjodha këtë profesion? Dhe shpresoj se ju do të bëni të njëjtën gjë, shpresoj se do të shiheni në pasqyrë çdo mëngjes përpara se të shkoni në punë dhe do t’i thoni vetes “unë do të jem një nga arsyet që Shqipëria është më mirë. Unë do të jem një nga arsyet që Shqipëria është në BE. Unë do të jem një nga arsyet që bashkëqytetarët e mi kanë shpresë. Unë do të jem një nga arsyet që familja dhe fëmijët e mi janë krenarë. Unë do të jem pjesë e një Shqipërie më të mirë për të gjithë ne”.

Urime! Kurrë mos u dorëzoni! Kurrë mos u dorëzoni!