Flag

An official website of the United States government

Fjalimi i Ambasadores së SHBA-së Yuri Kim në Konferencën e 100-vjetorit SHBA-Shqipëri
4 MINUTA LEXUAR
16 Maj, 2022

Mirëmëngjes! Kënaqësi të jem këtu këtë mëngjes!

Më lejoni gjithashtu të them se është një nder i veçantë dhe privilegj për mua që të mund të nis festimet e 100 vjetorit të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri në praninë e Sekretarit Pompeo. Sekretari Pompeo, tashmë edhe Doktor Pompeo, ishte personi që më propozoi tek Presidenti për këtë post, dhe, sigurisht, jam shumë e nderuar që Presidenti Trump më kërkoi të vij këtu dy vjet më parë.

Për ne, mendoj se ajo që kjo nënvizon është se përgjatë njëqind viteve, përfshirë edhe tridhjetë vitet e fundit, një fill i pathyeshëm dhe i fortë përshkon marrëdhëniet SHBA-Shqipëri. Pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë apo kush është këtu, ajo lidhje mbetet dhe është e pathyeshme.

Është ajo që nisi me Presidentin Wilson, kur ai tha se Shqipëria duhet të jetë një vend sovran, i lirë dhe i pavarur. Ne ende e besojmë këtë. Është ajo që nisi kur Sekretari Baker erdhi këtu dhe tha “liria funksionon”, dhe përveç kësaj, ai tha “ju jeni me ne dhe ne jemi me ju”. Kjo mbetet e vërtetë!

Prandaj është kënaqësi e madhe! Jam e kënaqur që jam këtu me ju ndërsa përkujtojmë këtë moment historik, lidhja midis vendeve tona vazhdon, ka vazhduar edhe në ditët më të errëta të diktaturës komuniste, kur popujt tanë mbaheshin të ndarë me forcë dhe frikë.

Ne jemi krenarë që kemi qëndruar pranë popullit shqiptar gjatë atyre kohërave dhe ne festuam së bashku në vitin 1991 kur populli shqiptar zgjodhi – me vullnet të lirë – një rrugë të re, demokratike.

Shqiptarët janë bërë modeli sesi një vend mund të dalë nga shtypja dhe të kontribuojë në botë.

Vitin e kaluar ju mikpritët 2,500 afganë, duke treguar sërish “besën” shqiptare dhe duke mbrojtur njerëzit në nevojë të madhe.

Ne po bëjmë kaq shumë së bashku në mbarë botën, tashmë jo vetëm në nivel rajonal. Për herë të parë në histori, ushtria e SHBA-së është e pranishme këtu – në fakt kemi dy elementë dhe shpresojmë të shtojmë më shumë. Jemi duke punuar për dy projekte të mëdha energjetike që do ta bëjnë Shqipërinë një lojtare kryesore në arkitekturën energjetike që të gjithë ne po ndërtojmë nëpër Europë. Kjo do të na ndihmojë të çlirohemi nga tirania dhe zhvatja e rusëve.

Sot, po punojmë gjithashtu ngushtë si partnerë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Jemi bashkë-penëmbajtës në çështjen më urgjente me të cilën përballemi sot – Ukrainën – dhe së bashku po mbledhim botën për t’i bërë ballë rusëve.

Së bashku, po punojmë për të forcuar demokracinë dhe për të luftuar korrupsionin dhe punojmë çdo ditë për të mbështetur hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Për të parën herë, me ftesën tuaj, vendosëm një prani amerikane ushtarake dhe njerëzve të biznesit këtu.

Kemi përshkuar një rrugë të gjatë së bashku në 100 vjet, padyshim gjatë 30 viteve të fundit. Dhe nuk mund të kërkonim një mike dhe partnere më të mirë për të pasur në krah gjatë këtij udhëtimi.

Faleminderit!