Flag

An official website of the United States government

Fjalimi i Ambasadores së SHBA-së Yuri Kim në Forumin
"Prirjet Aktuale të Trafikimit të Qenieve Njerëzore në Ballkan"
8 MINUTA LEXUAR
25 Maj, 2022

Mirëmëngjes! Zoti President, Zonja Presidente, Ambasador Richmond,

Është kënaqësi të jem këtu me ju sot për të biseduar mbi këtë temë shumë të rëndësishme. Mendoj se thjesht prania e dy krerëve shteti tregon se kjo është një çështje e rëndësishme që na mbledh së bashku. Dhe më duhet të them John, Ambasador Richmond, se fjala juaj ishte shumë informuese dhe frymëzuese, ndaj faleminderit për të.

Do doja gjithashtu të falënderoja Rrjetin e Përgjigjes të Bashkuar kundër Trafikimit dhe Presidentin Meta për organizimin e këtij forumi për të diskutuar prirjet e trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkan dhe praktikat më të mira për çrrënjosjen e tij. Jam gjithashtu shumë e kënaqur që disa anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, si nga Dhoma e Përfaqësuesve ashtu edhe nga Senati, nga Republikanët dhe Demokratët, janë këtu me ne virtualisht dhe shpirtërisht, dhe e di se çdo person që ka mbajtur pozicionin që Ambasadori Richmond ka mbajtur, ka ndjenja të forta mbi këtë çështje, trafikimi i qënieve njerëzore në njëfarë mënyre është një test lakmusi për njerëzimin.

Dhe ndërsa është e vërtetë se për 4000 vjet, skllavëria dhe trafikimi i qënieve njerëzore ishin tërësisht të pranueshëm, tani ne jemi mjatueshëm të përparuar, mjaftueshëm të ndriçuar, mjaftueshëm të mirë, mjaftueshëm të fortë për të pranuar se trafikimi i qënieve njerëzore është i gabuar, skllavëria është e gabuar, çdo qënie njerëzore ka një vlerë në dhe për veten e tij apo saj dhe se ne të gjithë duhet të bëjmë përpara dhe ta mbrojmë atë, për veten tonë dhe për njëri-tjetrin.

Duke hedhur sytë në sallë, jam besimplotë se Shqipëria së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë dhe joqeveritare është e përkushtuar në përballjen me plagën e trafikimit të qenieve njerëzore. Brenda atij grupi njerëzish të përkushtuar, dua të shpreh një nderim të veçantë për Motrën Imelda Poole, e cila u vlerësua verën e kaluar nga Sekretari amerikan i Shtetit për punën e saj të jashtëzakonshme si një nga tetë heronjtë botërorë kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore. Faleminderit Motër Imelda!

Do doja të vlerësoja gjithashtu që Qeveria e Shqipërisë ka ndërmarrë hapa për të rritur ndjekjet penale të trafikantëve të dyshuar, me një rritje të ndjeshme të numrit të autorëve të dënuar vitin e kaluar. Pra, një ndryshim i vogël nga prirja e keqe globale. Por duhet të shohim më shumë. Në të njëjtën kohë, qeveria ka shtuar burimet për strehat e drejtuara nga OJQ-të dhe njësitë lëvizëse të drejtuara nga OJQ-të, të cilat kanë ndihmuar në identifikimin e më shumë viktimave të trafikimit.

Dhe, Ambassador Richmond, dua t’i kthehem asaj që ju thatë pak më parë, që terapitë dhe programet që ne kemi për të trajtuar viktimat e trafikimit, duhet të përshtaten dhe të jenë tërësisht të vetëdijshme se ne nuk po flasim për një masë njerëzit pa emër apo pa fytyra. Po flasim për qënie njerëzore si ne. Secili është një anëtar i dashur dhe i vlefshëm i komunitetit tonë.

Është shumë mirë që qeveria miratoi gjithashtu një Plan Kombëtar Veprimi për trajtimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore me burime të specifikuara. Këta janë hapa të rëndësishëm por ne të gjithë e dimë se mbetet ende shumë punë për të bërë.

Çdo vit, Departamenti i Shtetit publikon Raportin e Trafikimit të Personave që përmban një listë rekomandimesh të priotizuara, të cilat nuk synojnë të kritikojnë por të ndihmojnë, të shërbejnë si një udhërrëfyes për bashkëpunimin e vazhdueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Për shembull, ndërkohë që këtë vit pati një rritje pozitive të ndjekjeve penale dhe dënimeve të trafikantëve, kjo duhet të kthehet në një prirje vjetore për të treguar përmirësim të qëndrueshëm, të vazhdueshëm për të zgjidhur çështjen e trafikimit. Njësitë e lëvizshme të identifikimit të viktimave kanë nevojë për fonde dhe staf të dedikuar për të ndihmuar përgjatë gjithë vendit, dhe ekzaminimi proaktiv i grupeve më të cënueshme ndaj trafikimit parandalon viktimat e ardhshme. Ne besojmë se vullneti ekziston dhe ekziston në të gjithë udhëheqjen e Shqipërisë, pavarësisht nga partia, pavarësisht nga zona e vendit, mendoj se vullneti për të trajtuar këtë çështje ekziston kudo. Dhe tani ne duhet të punojmë sëbashku në gjetjen e rrugës për të ecur përpara.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kontribuar me burime për të ndihmuar dhe e kemi bërë këtë prej vitesh. Ne kemi financuar një projekt përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin për të mbështetur viktimat e trafikimit, si dhe ata që ndjekin penalisht dhe hetojnë rastet e trafikimit. Asnjë vend nuk mund ta bëjë këtë i vetëm, zgjidhjet duhet të jenë ndër-shtetërore dhe rajonale, ndaj një qasje rajonale forcon sistemet kundër trafikimit në të gjithë Ballkanin dhe përpjekjet për të identifikuar viktimat e trafikimit dhe për t’i vënë trafikantët përpara përgjegjësisë.

Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore ka qenë një prioritet kryesor i qeverisë amerikane përtej administratave dhe dyshoj se kjo do të ndryshojë. Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të qarta për mbështetjen tonë për ata që marrin pjesë në këtë luftë, për ata që janë në vijën e parë. Punonjësve të strehave, nëpunësve civilë, policisë dhe prokurorëve të cilët mbrojnë viktimat, parandalojnë krimin dhe ndjekin penalisht kriminelët, ne duam që ju ta dini se: ne jemi me ju, ne do të jemi gjithnjë me ju në këtë betejë. Ne ju bëjmë thirrje që të shfrytëzoni mundësinë që ofron forumi i sotëm, të analizoni zinxhirin e furnizimit që mundëson trafikimin e qenieve njerëzore dhe të identifikoni praktikat më të mira për ta thyer atë.

Do të doja gjithashtu të falënderoja në mënyrë të veçantë ata burra dhe gra të guximshëm, zyrtarët dhe anëtarët e përkushtuar të shoqërisë civile këtu, të cilët punojnë papushim për të mbështetur dhe mbrojtur viktimat e trafikimit. Ky është një aspekt i vështirë por shumë i nevojshëm i luftës kundër trafikimit të qënieve njerëzore. Shpresoj që diskutimet e sotme të jenë të frytshme dhe që të ndiheni më shumë energji për të luftuar trafikimin. Më duhet të them se unë ndiej pak më shumë energji vetëm nga të qënurit me ju sot. Faleminderit për organizimin dhe që na mblodhët të gjithëve së bashku. Mirëpres diskutimet.