Flag

An official website of the United States government

7 MINUTA LEXUAR
10 Maj, 2023

Fjalimi i Ambasadores Kim në Konferencën Ndërkombëtare në 110-vjetorin e Gjykatës së Lartë

I nderuar President Begaj, i nderuar Kryetar në detyrë Sadushi, gjyqtarë, të ftuar të nderuar, është kënaqësi të jem këtu.

Gjykata e Lartë ka bërë një rrugë të gjatë në 110 vjet, pavarësisht shumë sfidave dhe vështirësive përgjatë rrugës. Kuptohet, sfidat e sotme janë të ndryshme nga ato me të cilat u përballën paraardhësit tuaj që i dhanë formë traditës dhe historisë së kësaj gjykate.

Kam qenë këtu për pak më shumë se tre vjet dhe kam pasur privilegjin të takoj shqiptarë nga të gjitha fushat e jetës që më kanë thënë shumë qartë se duan drejtësi, duan një mundësi të drejtë, një arsye për të qëndruar në vendin e tyre dhe për ta bërë atë vendin që mund dhe duhet të jetë, një Shqipëri e mrekullueshme.

Reforma në drejtësi vazhdon të prodhojë rezultate reale dhe të prekshme çdo ditë dhe mund ta ndjesh se dyshimi fillestar i qytetarëve shqiptarë për reformën në drejtësi po zëvendësohet gradualisht – gradualisht – me optimizëm të matur. Ata kanë qenë dëshmitarë të përparimit të konsiderueshëm deri më tani dhe Gjykata e Lartë ka shumë gjëra për të qenë krenare. Nga 19 anëtarë, Gjykata e Lartë kishte vetëm një katër vite më parë. Sot ka 16. Dhe, siç e kam thënë shumë herë më parë, tre vakancat e mbetura duhet të plotësohen sa më shpejt, me gjyqtarë që i kanë integritetin dhe profesionalizmin që kërkon ky pozicion dhe që kërkon populli shqiptar.

Shtetet e Bashkuara janë krenare që e mbështesim Gjykatën me udhëzime ekspertësh dhe që ndihmojmë në uljen e stokut të çështjeve të prapambetura në Gjykatë. Por, si gjithmonë, ka më shumë për të bërë, pasi populli shqiptar kërkon dhe meriton drejtësi të dhënë në kohë.

Ndërkohë që ky përvjetor i veçantë është një kohë për të menduar mbi arritjet, dhe për t’i festuar, në të njëjtën kohë duhet të jemi edhe më të kujdesshëm për rreziqet që reforma në drejtësi vazhdon të hasë. Kundërshtarët e reformës në drejtësi duan që ajo të dështojë, sepse e shohin që ajo po funksionon. Ata do të donin të vazhdonin të fshehin veprimet e tyre korruptive. Do të donin të mund të mbështeteshin te pandëshkueshmëria e tyre. Kjo është një shenjë – siç e quaj unë – se reforma në drejtësi po fillon të japë rezultate. Gjithashtu tregon se sa e rëndësishme është që të gjithë ne së bashku, të gjithë ne këtu: Gjykata e Lartë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian, dhe të gjitha vendet dhe organizatat partnere, të qëndrojmë të përkushtuar ndaj kësaj detyre. E megjithatë, në fund, sado mbështetje ndërkombëtare të ketë, është në dorën e udhëheqësve shqiptarë. Është në dorën e Shqipërisë. Së bashku, ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim. Këtë mund t’jua premtoj. Kjo nuk do të ndryshojë.

Themeli i reformës në drejtësi në Shqipëri është ndarja e gjyqësorit prëj ndikimit politik. Por, kjo është e pamundur nëse mbizotërojnë modelet dhe besimet e vjetra që të bëjnë të mendosh se “kështu është jeta, kështu ka qenë gjithmonë.” Kjo nuk mund të vazhdojë. Ruajtja e integritetit dhe pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe eliminimi i ndërhyrjeve reale ose të perceptuara janë thelbësore për suksesin. Ne kemi pare shumë shembuj incidentesh të tilla në të shkuarën. Po ashtu, integriteti dhe pavarësia janë kritike për besimin e publikut. Një integritet dhe pavarësi e tillë e sistemit të drejtësisë do të ndihmojë në lulëzimin e demokracisë, do të sjellë zhvillim ekonomik dhe investime të huaja dhe më e rëndësishmja, do të sigurojë drejtësi e do të sjellë kushte të barabarta për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Janë vendosur të gjithë mekanizmat ligjorë për të siguruar një sistem drejtësie të qeverisur nga shteti i së drejtës. Dhe tani është koha që zyrtarët publikë, pa përjashtim, të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të zbatuar plotësisht legjislacionin në përputhje me standardet ndërkombëtare, drejt gjykatave më të forta, më të paanshme dhe më objektive se dje, të udhëhequra nga parimet e shtetit ligjor në çdo vendim që japin.

Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur Shqipërinë, ndërsa vendi juaj ecën përpara drejt fatit euro-atlantik dhe puna që ju të gjithë po bëni është thelbësore për këtë.

E përmenda më parë se tashmë kanë kaluar pak më shumë se tre vjet. Dhe fakti është se, siç e dinë të gjithë, pas tre vjetësh, është koha për një ambasador të ri. Ne të gjithë e kemi parë procesin që po zhvillohet në Uashington. Siç e përmenda, reforma në drejtësi dhe angazhimi i Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Shqipërinë nuk do të ndryshojë. Kjo nuk do të ndryshojë. Ndërrohen ambasadorët, por kjo nuk do të ndryshojë.

Ja çfarë do të doja t’ju thoja. Kur shoh fytyrat në këtë sallë sot, kam punuar me të gjithë ju shumë ngushtë gjatë tre viteve të fundit. Dhe ndonjëherë na është dashur të bëjmë biseda të vështira. Na është dashur t’i themi njëri-tjetrit gjëra që do të kishim parapëlqyer të mos i thonim.

Shpresoj se do ta mirëkuptoni se kur Shtetet e Bashkuara flasin për reformën në drejtësi, kur Shtetet e Bashkuara këmbëngulin që Shqipëria të bëjë më mirë, këtë e bëjmë këtë si një mik i vërtetë. E bëjmë këtë sepse, ju e dini, ne e dimë se ka gjëra më të mëdha që presin Shqipërinë. Ne e bëjmë këtë sepse ndajmë shpresën e popullit shqiptar se ky do të jetë një vend ku ka mundësi për të gjithë njerëzit, se askush nuk është mbi ligjin – askush nuk është mbi ligjin- dhe se e ardhmja mban gjëra më të mëdha për të gjithë ne.

Faleminderit shumë.