Fjalimi i Ambasadores Kim në Ceremoninë e Nënshkrimit të Sistemit Automatik të Shënjestrimit Global

Mirëdita, Ministër Lleshaj dhe ju falënderoj që organizuat këtë nënshkrim të rëndësishëm në Ministrinë e Brendshme.

Jemi mbledhur këtë pasdite për të shënuar zbatimin e ligjit për regjistrimin e emrave të pasagjerëve në Shqipëri, si dhe thellimin e bashkëpunimit amerikano-shqiptar për ligjzbatimin dhe kundër terrorizmit. Terrorizmi është një kërcënim për të gjithë, kudo dhe vetëm përmes një bashkërendimi të ngushtë mund të shpresojmë ta mbajmë atë larg.

Shqipëria po bën një hap të rëndësishëm përpara, duke përdorur të dhënat mbi udhëtarin për të kontrolluar ata që kërkojnë të hyjnë ose të dalin nga Shqipëria, përfshirë terroristë, kriminelë të rrezikshëm dhe aktorë të tjerë keqdashës, për t’i penguar ata që të udhëtojnë. Shqipëria tani është në harmoni me detyrimet e saj ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian, një aleate më e fortë që lufton një kërcënim të përbashkët. Shqipëria vazhdon gjithashtu partneritetin e saj të ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të forcuar kufijtë e Shqipërisë dhe për të rritur angazhimin e saj për sigurinë e përbashkët.

 

Shtetet e Bashkuara e përgëzojnë Qeverinë e Shqipërisë për përkushtimin e saj të vazhdueshëm në përmirësimet e sigurisë kufitare, siç dëshmohet nga bashkëpunimi i rritur me Ambasadën e Sh.B.A.-së për një sërë çështjesh të sigurisë rajonale të lidhura me kufijtë. Nëpërmjet këtyre përmirësimeve, Shqipëria do të rrisë efektivitetin e saj në ndërhyrjen e udhëtimeve terroriste, si pjesë e luftës globale kundër terrorizmit.

 

Përgjatë kësaj kohe të shkurtër që kam qenë këtu, më kanë bërë përshtypje fokusi dhe vendosmëria e Qeverisë së Shqipërisë për të qenë një kontribuese përfundimtare për stabilitetin në të gjithë Ballkanin. Përpjekjet tuaja sigurojnë që njerëzit në të gjithë rajonin, në të vërtetë në të gjithë kontinentin evropian, të jenë në gjendje të jetojnë në paqe.

 

Faleminderit që e keni bërë sigurinë kufitare prioritet!