Zëvendës Kryeministre Balluku, ministra, kolegë, shoh me kënaqësi një dhomë të mbushur më njerëzit kyç në Shqipëri përgjegjës për sigurinë kibernetike, si dhe partnerët kryesorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, mes kombeve të tjera, që duan të mbështesin përpjekjet e Shqipërsisë për të qënduar e sigurtë dhe e begatë.
Aleancat janë më të rëndësishme në kohë të vështira. Sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë, aleatit tonë në NATO, kanë qenë të rrezikshme, dashakeqe dhe një kërcënim për qytetarët dhe kombin shqiptar. Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë t’u përgjigjen me forcë aktorëve keqdashës kibernetikë kur veprimet e tyre kërcënojnë Shtetet e Bashkuara ose aleatët, miqtë dhe partnerët tanë.
Menjëherë pas sulmit kibernetik të Iranit në muajin korrik, Shtetet e Bashkuara ndërmorën veprime për të mbështetur Shqipërinë. Sekretari i Shtetit Blinken dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Sullivan i përcollën drejtpërdrejt kryeministrit Rama mbështetjen tonë dhe Shtëpia e Bardhë dënoi ashpër sulmin e Iranit dhe shprehu mbështetjen e plotë për Shqipërinë përballë sulmit. Departamenti i Thesarit i SHBA-së njoftoi sanksione domethënëse ndaj Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit, përfshirë vetë Ministrin e Inteligjencës.
Duke filluar nga muaji korrik, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar vazhdimisht – pa ndërprerje –ekspertët tanë më të aftë të sigurisë kibernetike për të punuar së bashku me homologët shqiptarë, përfshirë Igli Tafën, për të analizuar, për të identifikuar dobësitë dhe kërcënimet ekzistuese dhe të mundshme, si dhe për të ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e sigurisë kibernetike të Shqipërisë ndaj kërcënimeve të ardhshme. Në një nga angazhimet e tij të para ndërkombëtare, Ambasadori ynë i ri për Hapësirën Kibernetike dhe Politikën Digjitale, Ambasadori Nathaniel Fick, erdhi në Shqipëri dhe, së bashku me Dr. Tafa, ndihmoi në bashkërendimin e reagimit tonë të përbashkët ndaj sulmeve të Iranit dhe asistencës për sigurinë kibernetike të Shqipërisë. Dy javë më parë, Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Peleshi diskutoi përgjigjen tonë të përbashkët për sigurinë kibernetike me Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA Austin dhe drejtuesit e Komandës Kibernetike të Shteteve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara kanë punuar përkrah Shqipërisë për një përgjigje të gjerë ndërkombëtare, duke filluar me aleatët e NATO-s dhe partnerë të tjerë të ngushtë, për të dënuar sulmin e Iranit dhe për të mbështetur Shqipërinë. Dhe jo vetëm për të shprehur mbështetjen, por për të sjellë reagim konkret. Ju nuk jeni vetëm. Ju nuk jeni vetëm në shënjestër të sulmeve kibernetike. Dhe sigurisht që nuk jeni vetëm në përgjigjen ndaj tyre. Shtetet e Bashkuara janë me ju. Është e qartë se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria duhet të identifikojnë mbrojtjen tonë të përbashkët dhe reagimin kundër sulmeve kibernetike. Duke punuar së bashku me Dr. Tafa, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria po zbatojnë një nga përpjekjet tona më të mëdha të asistencës për sigurinë, që arrin në 50 milionë dollarë në mbështetje të forcimit të mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë.
Ky eshte vetem fillimi. Siç tha edhe ministri i Mbrojtjes Peleshi, ne kemi punuar prej kohësh me sektorin tuaj të mbrojtjes për të forcuar mbrojtjen e tyre në vlerën 25 milionë dollarë. Së fundmi, ne kemi filluar implementimin e një shtese prej 25 milionë dollarësh në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të Iranit. Ky është fillimi i ndihmës dhe jo tërësia e saj. Pra, jini të sigurt se ne do të zgjerojmë përpjekjet tona.
Ne po ndërtojmë ndihmën kibernetike të SHBA-së për Shqipërinë, që daton që nga viti 2017, kur USAID-i filloi të ofrojë mbështetje për sigurinë kibernetike për sektorin energjetik të Shqipërisë. Ndihma kibernetike e SHBA-së nuk është e kufizuar në pajisje dhe programe kompjuterike. Po zgjerojmë trajnimet dhe shkëmbimet e ekspertëve me profesionistë shqiptarë të sigurisë kibernetike. Po punojmë ngushtë edhe me sektorin privat, përfshirë përdorimin e laboratorëve tanë më të fundit të kërkimit dhe një ekipi të talentuar ekspertësh nga Microsoft për të shtuar këto përpjekje.
Nga reagimi ndaj incidenteve te mjekësia ligjore digjitale, planifikimi strategjik e deri tek analiza e riskut, ne jemi të përkushtuar që t’i mundësojmë dhe të mbështesim Shqipërinë për të mbrojtur veten. Ne nuk mund të zëvendësojmë mbrojtjen tuaj, por do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për t’ju mundësuar të mbroheni. Hapat që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë ndërmarrë së bashku janë domethënës dhe siç e thashë më parë, ata do të vazhdojnë.
Ne duhet të pranojmë se sulmet kibernetike nga aktorë keqdashës si Irani dhe të tjerët do të jenë një kërcënim i vazhdueshëm dhe në zhvillim. Ata nuk do të largohen. Nuk ka asnjë plumb magjik për ta zgjidhur këtë problem. Ne jo vetëm që duhet të mbajmë hapin me kërcënimin, por të përpiqemi të vendosim veten përpara kurbës. Jam e kënaqur që jemi këtu sot për të diskutuar përpjekjet për sigurisë kibernetike dhe më pas për të ndërmarrë veprime të përbashkëta për të mbështetur njëri-tjetrin në këtë sfidë globale.
Siç kemi vërejtur në Shqipëri, siguria kibernetike është një përbërës kritik i sigurisë kombëtare dhe është jetike për mbrojtjen nga vjedhjet e të dhënave, humbjet ekonomike, kërcënimet ndaj infrastrukturës, mbrojtjes dhe shërbimeve të tjera kyçe. Ngjarja e sotme shfaq solidaritetin ndërkombëtar përballë atij kërcënimi të vazhdueshëm e në zhvillim. Jam krenare të bashkohem me kolegët e mi të BE-së dhe OSBE-së dhe izraelitë sot dhe shumë të tjerë që janë këtu, së bashku me sektorin privat, për të mbështetur Shqipërinë.
Është një sinjal i fuqishëm për ata që dëshirojnë të minojnë aleatët dhe partnerët tanë në mbarë botën. Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të aleatëve të NATO-s dhe partnerëve të tjerë kyç për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për sigurinë kibernetike dhe presim me padurim diskutimin e sotëm dhe veprimin që do të pasojë pas kësaj konference. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku shumë ngushtë, krah për krah.
Faleminderit shumë.