I nderuar Kryeministër Rama, Kryetar i Fondit Granoff, anëtarë të Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, zonja dhe zotërinj,
Në muajin korrik, Kryeminstri dhe unë folëm në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit të New York-ut në Tiranë. U thashë atyre se do të doja të kthehesha në Tiranë në vitin 2025 së bashku me fëmijët e mi dhe u përshkrova atë lloj vendi që shpresoja të gjenim – një Shqipëri që të ishte e begatë, së tepërmi demokratike, e fortë dhe e sigurtë.
Ajo që çmoj te Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve është se nuk janë thjesht fjalët boshe të një diplomati, por ai është një institucion që ka punuar fort gjatë 20 vite për krijimin e këtij vizioni të një Shqipërie të re. Në vitet e para të tij, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve ofroi kapital për ndërtimin e një aeroporti të klasit botëror, për krijimin e Bankës Amerikane të Shqipërisë gjatë një periudhe kaotike në historinë e ekonomisë shqiptare dhe për zhvillimin e një industrie sigurimesh në një vend që dëshpërimisht kishte nevojë për stabilitet dhe siguri. Dhe më e mahnitshmja, ai i bëri të gjitha këto gjëra dhe bëri pará – shumë pará.
Sot, qëndrojmë të mrekulluar prej shumë e shumë projekteve të institucionit trashëgimtar të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve – Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF). Shumë shqiptarë e njohin AADF-në përmes rehabilitimit të zonave historike pedonale dhe të qendrave të biznesit në Korçë, Krujë, Berat dhe Shkodër, si dhe që solli përkrenaren dhe shpatat e Skënderbeut në Muzeun Historik Kombëtar.
Por, ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është investimi i AADF-së tek të rinjtë. Në partneritet me Korpusin Amerikan të Paqes, AADF-ja ka sponsorizuar kampet për vajzat drejtuese, programe pas-shkollore për mjedisin dhe një konkurs popullor mbarëkombëtar për fëmijë për shkrimin e eseve. Dhe unë jam takuar dy herë me programin “LEAD Albania”, i cili vendos profesionistë të rinj të spikatur, të kualifikuar, në ministritë kyçe, modeluar sipas programit të bursave të Shtëpisë së Bardhë. Këta të rinjjanë me të vërtetë e ardhmja e këtij vendi.
Qeveritë në përgjithësi janë shumë të këqija në marrjen e një vizioni dhe shndërrimin e tij në një realitet. Ne jemi të ngadaltë. Ne jemi të kushtueshëm. Dhe rrallë herë jemi të suksesshëm. Sonte, le të festojmë vendimin e dikujt në Shtëpinë e Bardhë, në Kongres ose në USAID, i cili vendosi 20 vite më parë të investonte 30 milionë dollarë në këtë fond privat investimi, duke pasur një shpresë të venitur se ky investim i vogël mund të niste ta transformonte një vend.
Presim me kënaqësi të shohim se si ky investim do të vazhdojë të lulëzojë përgjatë 20 viteve që do të vijnë.