Fjalimi i Ambasadorit Lu në Konferencën Kombëtare për Qeverisjen Vendore

I nderuar Kryeministër Rama, Ministër Çuçi, kryebashkiakë punëtorë, të dashur kolegë,

Dëshiroj t’ju flas për paranë. Dëshiroj të flas rreth asaj se si ju si kryebashkiakë i shpenzoni paratë e bashkisë tuaj dhe se si qeveria ua jep paratë.

Së pari, i bëj thirrje çdo kryetari bashkie që t’i përdorë paratë e bashkisë me mençuri.  Bledi Çuçi më tha një herë se përpara reformës territoriale kishte bashki që shpenzonin tetëdhjetë [80] për qind të buxhetit të tyre për shpenzime administrative (makina luksoze, zyra ekstravagante dhe personel që nuk bënte asgjë) dhe vetëm njëzetë [20] për qind për shërbimet ndaj komunitetit.  Kjo është indinjuese.

Nëse keni ardhur këtu me Mercedezë, BMV ose Audi të zinj duhet të  mendoni nëse kjo është mënyra që votuesit tuaj duan që ju t’i përdorni paratë e tyre.  Nëse zyra juaj është më e këndshme se dyqani i bukës apo zyra e postës në zonën tuaj, sërish, shpresoj që do të mendoni — a do të shpenzoheshin më mirë këto para për mbledhjen e plehrave, përmirësimin e shkollave apo ndërtimin e parqeve?

E vlerësoj Kryetarin e Bashkisë së Tiranës që ka qenë kryetari i parë i bashkisë që refuzoi Mercedezin e zi të bashkisë, dhe në vend të tij mori me qera një Toyota Prius të vogël në ngjyrë gri.  Shpresoj që ky të jetë drejtimi për të gjithë brezin e ri të drejtuesve vendorë.

Së dyti, na është thënë nga qeveria që reforma territoriale dhe administrative u miratua për të përmirësuar shërbimet publike dhe për të rritur cilësinë e administratave vendore, dhe jo për të fituar zgjedhjet.  Tani qeveria ka mundësinë ta vërtetojë këtë.

E kemi nxitur Kryeministrin dhe Ministrin e Financave që t’u japin administratave vendore paratë dhe pushtetin që u nevojitet për të përmirësuar shërbimet që u ofrohen njerëzve të vërtetë dhe për të vazhduar reformat në nivel vendor.  Gjithashtu, i kemi kërkuar qeverisë qendrore që të investojë drejtpërdrejt tek qeveritë vendore, në vend të fondeve rajonale të zhvillimit, të cilat ndeshen me rrezikun e përdorimit për financimin e kryetarëve të bashkive të PS/LSI dhe mohimin e fondeve për kryetarët e bashkive të opozitës.  Bashkitë duhet të kenë gjithashtu edhe burimin e tyre të financimit, përmes tatimit vendor ose ndarjes së taksave me qeverisjen qendrore.

Së fundi, Qeveria e Shteteve të Bashkuara, përmes USAID, ka bërë angazhimin e vet financiar për këtë detyrë të rëndësishme të reformës së qeverisjes vendore dhe decentralizimit.  Ne kemi caktuar 12,8 [dymbëdhjetë –pikë- tetë] milionë dollarë për të ndihmuar bashkitë të ndërmarin plane të efektshme të zhvillimit urban, ta bëjnë qeverisjen vendore më transparente dhe më përgjegjëse ndaj nevojave, si dhe të përmirësojnë shërbimet e përditshme që u ofrohen banorëve vendorë.

Ne besojmë në  fuqinë e qeverisjes së mirë vendore për të prekur jetët e njerëzve realë. Ky është themeli i demokracisë. Kjo është diçka që populli shqiptar kërkon.