Fjalimi i Ambasadorit Lu në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar

Ministër Klosi, të dashur të rinj, tifozë basketbolli, zonja dhe zotërinj,

Kam mësuar  se të gjithë ne lindim me disa aftësi dhe me disa kufizime. I përket secilit prej nesh që të përdorë jetën e tij më sa mirë. Shumë njerëz ma kanë kujtuar këtë gjatë gjithë jetës sime dhe do të doja t’ju tregoja njërën prej tyre.

Kur kam qenë nxënës gjimnazi, u bëra vullnetar i një programi sportiv për nxënësit e gjimnazeve me aftësi të kufizuara.  Kjo ishte diçka që mezi e prisja çdo javë, pasi këta fëmijë pëlqenin pikërisht të shkonin në fushat e sportit dhe të luanin si të gjithë të tjerët.

Ishte një vajzë që do ta kujtoj gjithmonë.  Ajo kishte tumor në tru dhe i duhej të vinte një helmetë të veçantë për ta mbrojtur, pasi kishte kriza të vazhdueshme dhe binte papritur në tokë. Nuk e di nëse ishte e vërtetë, por fëmijët e tjerë më kishin thënë se ajo nuk do të jetonte aq gjatë sa të rritej.

Çfarë do të prisje nga dikush që e jetonte jetën e saj me një aftësi të tillë të kufizuar? Unë do të kisha pritur që të ishte një person i depresuar, me mungesë entuziazmi dhe e papërfshirë me shokët e klasës. Ajo ishte saktësisht e kundërta e kësaj.

Ajo ishte plotë jetë. Ajo merrte pjesë me gëzim në të gjitha aktivitetet. Nuk kishte asgjë që nuk besonte se mund ta bënte. Ajo buzëqeshte gjatë gjithë kohës dhe më dha një mësim që e kam mbartur me vete gjatë gjithë jetës. Ajo më mësoi se me qëndrueshmëri dhe me optimizëm,  dhe me pak ndihmë nga miqtë tanë, nuk ka asgjë që nuk mund ta arrijmë dot.

Do ta përfundoj sot duke thënë se i kam zili atletët tanë me karrike me rrota.  Nuk kam qenë kurrë i mirë në basketboll, ndonëse vij nga një vend të mirënjohur për basketbollin.  I nxis të gjithë që të vizitojnë faqen e internetit nwba.org, që është faqja e internetit për Shoqatën Kombëtare të Basketbollit me karrike me rrota të Shteteve të Bashkuara. Këta burra dhe gra kanë qenë ekipet më të suksesshëm në lojërat paraolimpike çdo katër vite.

Pres me kënaqësi t’ju shoh të luani sot lojën e basketbollit. Urime për gjithçka keni arritur. Jeta është ajo që ti bën me të.