Fjalimi i Ambasadorit Lu në Aktivitetin për Trafikimin e Personave

Ministër Tahiri, Zëvendës Ministre Gjebrea, të dashur pjesëmarrës,

Para së gjithash, unë jam baba. Kur udhëtoj nëpër Shqipëri shoh fytyra që më kujtonë fëmijët e mi.  Kam ndjerë të njëjtën gjë kur vizitova strehat për viktimat e trafikimit në Vlorë, Elbasan dhe në Tiranë. U shokova kur pashë vajza të reja që nuk dukeshin më të mëdha sesa fëmijët e mi. Këto vajza të guximshme meritojnë jetë më të mira se ato që kanë jetuar deri tani.

Rënia e Komunizmit ofroi shumë mundësi të reja për Shqipërinë.  Tragjikisht, kaosi i tranzicionit lejoi gjithashtu që grupe të krimit të organizuar dhe trafikantë njerëzish t’i bënin pré të tyre gratë dhe vajzat shqiptare.

Në vitet e fundit, ky vend ka bërë përparim domethënës në luftën kundër këtij krimi të tmerrshëm.  Që prej vitit 2014 [dy mijë e katërmbëdhjetë], Qeveria e Shqipërisë ka ndërmarrë hapa të guximshëm për rritjen e ndjekjeve penale dhe dënimin e trafikuesve.  Qeveria po trajnon zyrtarë që të identifikojnë dhe ndihmojnë viktimat e trafikimit. Dhe për herë të parë, po paguhen rroga për disa prej profesionistëve në tri strehat e organizatave.

Por, mbetet ende punë për t’u bërë në fushën e ndjekjes penale të trafikantëve, të mbrojtjes së viktimave dhe të edukimit qytetar për parandalimin e trafikimit. Ju duhet të jeni krenarë që Shqipëria ka organizata të përkushtuara, të drejtuara nga burra dhe gra jashtëzakonisht të guximshëm, të cilët punojnë në mbështetje dhe në mbrojtje të viktimave të trafikimit.  Këta punonjës janë heronjtë e vërtetë të Shqipërisë.

Dëshiroj ta falenderoj Zëvendës Ministren Gjebrea për përkushtimin e saj të madh personal ndaj kësaj çështjeje, veçanërisht gjatë muajit tetor, ndërsa forcojmë përpjekjet tona për të rritur ndërgjegjësimin. Në këtë muaj të fokusimit tek ndërgjegjësimi, shpresoj që ne të gjithë t’i ripërkushtohemi luftës kundër trafikimit.