Fjalimi i Ambasadorit Donald Lu në Përurimin e Shkollës për Fëmijët me Nevoja të Veçanta në Shkodër

Kryetare e bashkisë Ademi, Drejtoreshë Jahaj, të dashur nxënës, zonja dhe zotërinj,

Kushëriri im i preferuar është Barry.  Ai ishte një fëmijë me aftësi ndryshe dhe kur u rrit u bë njeri i zoti, një atlet i talentuar që ka një punë të mirë dhe bën një jetë shumë të plotë.  Ai i realizoi të gjitha këto për shkak të dashurisë së prindërve të tij dhe shkollës së tij të shkëlqyer.

Jemi të kënaqur që bashkëpunojmë me Shkollën “Tre Dhjetori” për të ofruar një mjedis frymëzues studimi për nëntëdhjetë e një (91) fëmijët që mësojnë këtu. Zyra jonë e Bashkëpunimit Ushtarak në Ambasadën Amerikane i organizon këto projekte për të mbështetur komunitetet në Shqipëri dhe për të ndërtuar marrëdhëniet mes popullit shqiptar dhe popullit të Shteteve të Bashkuara.

Përmes këtij programi kemi përmirësuar spitale anembanë Shqipërisë dhe po riparojmë shkollat në Kuçovë, Vlorë, Vau i Dejës dhe tani në Shkodër.

Dua të falenderoj Zonjën Jahaj dhe të gjithë personelin e Shkollës “Tre Dhjetori” që kanë punuar me ne për përmirësimin e mjedisit mësimor për fëmijët që mësojnë këtu.

Jemi të nderuar që marrim pjesë në punën e mahnitshme që bëhet në këtë shkollë çdo ditë. Shpresoj që një ditë kushëriri im Barry të mund të vijë në Shkodër për të vizituar shkollën tuaj të mrekullueshme.