Ambasadori Donald Lu mbi “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizimit”

Ambassador Donald Lu at the “Preventing Violent Extremism and Radicalization” Conference

Kryetar i Komunitetit Mysliman Bruçaj, Gjeneral Lleshi, Z. Gurra, të nderuar imamë të Shqipërisë,

Unë besoj te Perëndia.  Si njerëz që besojmë në Zot, qofshim myslimanë, të krishterë, hindu apo budistë, kemi detyrën të luftojmë për drejtësi në komunitetet tona.

Për mua, kjo drejtësi përfshin:

  1. Të dalësh kundër dhunës në familje
  2. Të mbështesësh shkollimin e djemve dhe vajzave,
  3. Të mbrosh të varfërit, dhe
  4. Të parandalosh të gjitha format e dhunës, përfshirë ekstremizmin e dhunshëm.

Ju punoni çdo ditë për të përkrahur këto vlera. Në veçanti, po i ndihmoni të rinjtë që të përcaktojnë vlerat që do të ndjekin gjatë gjithë jetës së tyre.  Shpresoj që sot të mësoni ide të reja se si mund të ndihmoni të rinjtë të shmangin rrugën e radikalizimit dhe të dhunës në komuntietet tuaja.

Ambasada Amerikane është e përkushtuar të punojë mbi këtë çështje në të gjitha nivelet — me qeverinë, me të rinjtë dhe me udhëheqësit fetarë.  Puna kundër ekstremizmit të dhunshëm nuk është e lehtë. Do të kërkojë që çdo anëtar i komunitetit tuaj të punojë së bashku për të kundërshtuar mesazhet e rreme nga grupe të huaja radikale.

Ju jeni udhëheqësit e kësaj lëvizjeje. Vitin e kaluar, disa shqiptarë morën pjesë në Samitin e Shtëpisë së Bardhë kundër ekstremizmit të dhunshëm, mbajtur në Uashington.  Qëllimi i tyre ishte të nxiteshin diskutime si ky që po zhvilloni sot këtu.

Shpresoj që ky aktivitet të nxisë mësim, diskutim dhe debat.  Mendoj se burimet më të mira për ide të reja do të jenë idetë që do të mësoni nga njëri-tjetri.  Shtetet e Bashkuara janë krenare që janë partner i Komunitetit Mysliman Shqiptar për këtë çështje të rëndësishme.

E kam kaluar pjesën më të madhe të moshës madhore në vende me shumicë myslimane. Si vullnetar i Korpusit të Paqes në Sierra Leone, jetoja përballë xhamisë së fshatit tonë. Në vend të minares, hoxha e bënte thirrjen për lutje të besimtarëve duke përdorur daullen më të madhe që të kishin zënë sytë.

Për mua, kjo është një prej pjesëve më të bukura të islamit — që mund të përshtatet dhe të mirëpresë tradita kulturore nga të gjithë popujt.  Tani, ndërsa bota përballet me kërcënimet e analfabetizmit, diskriminimit, dhunës dhe shtypjes, është më e rëndësishme se kurrë që Islami të ndihmojë për të treguar rrugën për një botë më paqësore.

Së fundi, faleminderit Kryetar Bruçaj dhe Fejzi Shaholli për udhëheqjen e treguar në organizimin e kësaj konference sot. Keni mbështetjen tonë të plotë dhe të sinqertë për këtë punë të rëndësishme.