Fjalimi i Ambasadorit Donald Lu në Konferencën “Korrupsioni Zgjedhor: Nevoja për një Reformë Elektorale të Thelluar dhe Gjithëpërfshirëse”

(Fjalimi i përgatitur)

Kryetar i Kuvendit Meta, Kryeministër Rama, Kryetari Basha, Ambasadorë, Zonja dhe Zotërinj,

Ime më është shenjtore.  Pas rritjes së tre fëmijëve dhe punës me kohë të plotë, ende gjente kohë për të dalë vullnetare si kryetare e një zone zgjedhore në Kaliforni.  Ne kalifornianët ankohemi shumë.  Asaj i duhej të merrej me persona të zemëruar që kishin harruar dokumentet identifikuese ose që nuk gjenin emrin në listën e votuesve.  Ne në Kaliforni jemi kaq të çmendur saqë, nëse kërkon të votosh nga makina jote, në fakt të sjellim tek makina një makinë elektronike që të votosh aty.

Ajo doli vullnetare jo për ato pak para që merrte, por sepse besonte në rëndësinë e zgjedhjeve të ndershme dhe në detyrimin që kanë qytetarët për të qenë pjesë e ndërtimit të një demokracie të fortë.

Kur vizitova qendrat e votimit në Shqipëri gjatë zgjedhjeve vendore të verës së shkuar, pashë më së shumti të njëjtën gjë — persona që punonin shumë, sikurse nëna ime, të përkushtuar që ta bënin punën sa më mirë të mundnin.  Punonjësit shqiptarë të qendrave të votimit me të cilat jam takuar ishin njerëz të zakonshëm — mësues, punonjës fabrike dhe fermerë.

Ndaj u inatosa kur pashë militantët e partive që kërkonin të minonin punën e këtyre vullnetarëve të ndershëm në qendrat e votimit.  Disa Ambasadorë të BE-së dhe unë pamë grupe të mëdhenj gangsterësh të rinj në moshë, jashtë qendrave të votimit që dukshëm donin të frikësonin votuesit.  Shumë njerëz na dhanë gjithashtu prova të blerjes së votës dhe të votimit në grup.  Dhe, sikurse e dimë, disa prej kandidatëve kishin të shkuar të turpshme kriminale. Abuzimet zgjedhore janë një tradhëti ndaj demokracisë shqiptare.

Këto çështje zgjedhore u vërejtën gjithashtu në vlerësimin e zgjedhjeve të ODIHR-it [odirit]. ODIHR-i lavdëroi gjithashtu punën e mijëra punonjësve në qendrat e votimit që punuan me nder ditën e votimit.  Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht reformat e mbështetura në rekomandimet e ODIHR-it dhe i bëjnë thirrje Kuvendit që t’i zbatojë ato këtë vit.

Por, për të arritur reformë të vërtetë duhet të bëhet edhe më shumë.

Partitë politike kanë nevojë ta marrin seriozisht detyrimin për të siguruar financa transparente partiake. Kemi parë një parti që ka bërë të ditur planin për transparencë të financave të saj. Nxisim të gjitha partitë politike që të prezantojnë auditim ndërkombëtar të financave të partive dhe të fushatave të tyre dhe që t’i bëjnë publike deklaratat e pasurive të të gjithë kandidatëve.

Udhëheqësit e partive duhet të bëjnë gjithashtu më shumë për të larguar politikanët e korruptuar dhe me lidhje kriminale nga radhët e tyre dhe të mos i vendosin fare emrat e tyre në fletën e votimit.  Miratimi i ligjit të dekriminalizimit ishte një hap i parë i rëndësishëm, por tani është po kaq i rëndësishëm zbatimi i plotë i tij.

Së fundi, votuesit shqiptarë kanë nevojë që po ashtu të marrin përgjegjësi — përgjegjësinë për të mos pranuar pará për votën e tyre dhe për të mos votuar kriminelë.  Shqiptarëve dhe amerikanëve u pëlqen të ankohen për politikanët e tyre.  Ne mund të ankohemi sa të duam, por në një demokraci ne jemi përfundimisht përgjegjës për politikanët që zgjedhim.