Fjalimi i Ambasadorit Donald Lu Gjatë Prezantimit të Ndihmës së Qeverisë së SHBA për Viktimat e Përmbytjes

Kryeministër Rama, z. Hamataj, z. Rapushi, zonja dhe zotërinj,

Pothuajse një vit më parë, Kryeministri pyeti parnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë se çfarë mund të bënin së bashku për të mbështetur qindra viktima të përmbytjeve të tmerrshme vitin e kaluar.

Unë nuk isha optimist se mund të gjenim fonde për këtë.  Kërkuam nëpërmjet burimeve tona ushtarake dhe civile për mundësira.  Për fat të mirë, miqtë tanë krijues tek USAID mundën të hartonin me shpejtësi këtë projekt për të rindërtuar dhe përmirësuar serat e shkatërruara nga përmbytjet. Zotimi ynë ishte për shtatëqind e pesëdhjetë mijë (750K) dollarë si ndihmë teknike dhe financiare.

Gjatë vitit të kaluar ne punuam me organizata partnere shqiptare si AAC-Lushnja – Organizata për Konkurueshmërinë e Bujqësisë Shqiptare — për të rindërtuar dhe përmirësuar qindra sera.  Kjo është dëshmi e fermerëve të vendosur si z. Hamataj për të rimbjellë fermat dhe për të rindërtuar jetët e tyre.

Edhe pse kam qënë në Shqipëri për vetëm një vit, miqtë e mi shqiptarë më thonë se cikli i përmbytjeve ndodh rregullisht. Ministri Panariti më tha të hënën se qeveria po ia kalon bashkive përgjegjësinë dhe autoritetin për parandalimin e përmbytjeve.  Ne e mbështesim plotësisht këtë nismë dhe i bëjmë thirrje qeverisë t’u japë jo vetëm autoritetin, por edhe burimet teknike dhe monetare bashkive që ta zgjidhin këtë problem.

Reforma territorial e administrative kishte për qëllim të përmirësonte sigurimin e shërbimeve në nivel lokal.  Komuniteteve vendore duhet  t’u jepen fondet e nevojshme për të parandaluar përmbytjet, në mënyrë që të mos ketë nevojë të presin për qeverinë qendrore në Tiranë që të veprojë.

Puna për të rindërtuar fermat dhe serat u bë e mundur vetëm falë mbështetjes dhe veprimit të shpejtë të qeverive lokale dhe organizatave joqeveritare.  I falënderojmë ata për përgjigjen e tyre të shpejtë dhe shpresojmë që qeveria qendrore në Tiranë do t’i lejojë të bëjnë dhe më shumë gjëra.