Fjala e Zyrtarit të Marrëdhënieve me Publikun Beckmann në Prezantimin e Studimit mbi Profesionistët e Medias

Faleminderit Departamentit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës,

Sot është një ditë e rëndësishme kudo në botë dhe sidomos për ju, si studentë gazetarie. Është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Sot festojmë parimet themelore që qëndrojnë në thelb të demokracisë dhe në thelb të punës tuaj si gazetarë të ardhshëm.

Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë lirinë e shtypit si përbërës kyç të qeverisjes demokratike. Shoqëritë demokratike nuk janë të pagabueshme, por ato japin llogari dhe shkëmbimi i ideve qëndron në themel të qeverisjes llogaridhënëse. Media promovon debat aktiv, ofron raportim investigativ, si dhe shërben si forum për të shprehur pikëpamje të ndryshme, sidomos në emër të atyre që janë të margjinalizuar në shoqëri.

Liria e shtypit është një e drejtë themelore e njeriut. Çdo vit, si pjesë e Raportit Vjetor të Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, ne shqyrtojmë lirinë e shtypit. Raporti për Shqipërinë për vitin 2018 vërente: “Media e pavarur ishte aktive dhe shprehte lloje të ndryshme pikëpamjesh, edhe pse pati përpjekje për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë politik dhe ekonomik mbi median, përfshi me anë të kërcënimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve që u përpoqën të investigonin krimin dhe korrupsionin. Pronarët e bizneseve i përdornin lirisht organet mediatike për të siguruar favore dhe për të promovuar interesat e tyre tek partitë politike. Shumica e pronarëve të televizioneve private përdorën përmbajtjen e transmetimeve të tyrepër të ndikuar veprimet e qeverisë ndaj bizneseve të tyre të tjera. Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e financimeve kufizuan median e pavarur të shkruar dhe gazetarët praktikuan vetëcensurën, sipas raportimeve.”

Për t’i shqyrtuar më tej këto sfida dhe për të informuar përpjekjet tona në zhvillimin e medias, ne porositëm një studim mbi lirinë e medias në Shqipëri. Jemi këtu sot për të paraqitur gjetjet e këtij kërkimi të kryer nga IDRA. Gjatë vitit të kaluar, IDRA u takua me qindra profesionistë të medias dhe i pyeti ata mbi profesionin dhe të ardhmen e tij. Pyetën mbi marrëdhëniet e punës, nivelin e lirisë, presionin politik, kanosjet dhe censurën.

Gjetjet e studimit theksojnë përkushtimin e gazetarëve shqiptarë si dhe sfida me të cilat përballen çdo ditë në punën e tyre. Dëshiroj të theksoj tri gjetje kryesore nga studimi.

Së pari, studimi gjeti se shumica e të intervistuarve kanë besim në të ardhmen e gazetarisë si profesion dhe nxisin ata që janë të apasionuar për të vërtetën që të futen në këtë fushë. Ne në ambasadën e SHBA e shohim këtë si shenjë shumë të mirë për Shqipërinë dhe gazetarinë shqiptare.

Së dyti, studimi gjeti se më shumë se gjysma e të intervistuarve thanë se kishin marrë urdhër nga pronari apo kryeredaktori për një artikull të porositur. Kjo sugjeron që pronarët e medias ende mbajnë një nivel të lartë kontrolli editorial, duke kufizuar lirinë e medias.

Së treti, studimi konfirmoi raportime të mëparshme për vetëcensurën. Dyzetenjë përqind e të intervistuarve besonin se “të gjitha mediat vetëcensurohen” dhe 36 përqind mendonin se kishte vetëcensurë.”

Në ambasadën e SHBA kemi interes të madh të shohim median e lirë dhe të pavarur që të ketë sukses në Shqipëri. Ne investojmë në të ardhmen e gazetarisë duke dërguar disa gazetarë shqiptarë në SHBA çdo vit si dhe duke sjellë ekspertë amerikanë të medias këtu për të punuar me gazetarë shqiptarë dhe studentë të gazetarisë. E bëjmë këtë me shpresën se ata do të ndihmojnë për të rritur nivelet editoriale dhe për të përmirësuar metodat që përdorin gazetarët për të gjetur dhe raportuar të vërtetën.

Investojmë kohë dhe burime për të ofruar më shumë mundësi në vend për ata që synojnë të thonë të vërtetën. Laboratori ynë i Gazetarisë Investigative është në vitin e tij të tretë. Ky program është një përvojë praktike njëvjeçare që iu jep 10-12 gazetarëve të ardshëm shprehitë dhe teknikat që iu duhen për të kryer kërkime më të mira dhe për të treguar histori më interesante. Ju nxisim të kërkoni njoftimin tonë për studentë për vitin e katërt të Laboratorit në javët që vijnë.

Në të njëjtën kohë, ambasada e SHBA, së bashku me atë holandeze dhe zvicerane, në partneritet me RTSH ndihmojmë prodhimin e një programi televiziv të përdyjavshëm të quajtuar ’31 minuta.’ Nëse nuk keni pasur mundësi ta shihni, mund të ndiqni disa nga historitë në faqen tonë në Facebook ose llogarinë e tyre po aty. Programi shërben si platformë për të diplomuarit nga Laboratori ynë i Gazetarisë Investigative ku ata mund të praktikojnë. Me anë të tij, shpresojmë që do të rrisin ndërgjegjësimin për histori interesante dhe të rëndësishme dhe se do të punojnë për të gjetur dhe përcjellë të vërtetën.

Së fundi, dëshiroj të theksoj diçka që Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Matt Palmer i tha një grupi gazetarësh të rinj gjatë vizitës së tij në Shqipëri muajin e kaluar, “Ju jeni rojtarët – ndaj jini agresivë, këmbëngulni për përgjigje, kuptoni se ajo që bëni është besim publik i rëndësishëm, themelor për forcën dhe gjallërinë e demokracisë Shqiptare.”

Sot, në Ditën e Lirisë së Shtypit, ju sfidoj të kërkoni dhe tregoni të vërtetën. Mund t’i jepni formë të ardhmes së Shqipërisë. Nëse zgjidhni të flisni të vërtetën, ne do të na keni në krah.

Faleminderit IDRA-s për punën profesionale në kryerjen e këtij studimi. Tani ftoj Lorenën që të na tregojë më shumë hollësi për gjetjet e studimit.

Faleminderit