Fjala e Zv. Shefes së Marrëdhënieve me Publikun Lucija Straley në Programin “Debati mbi Ekonominë”

Mirëmëngjes, Znj. Gjini, Kryetari Granoff, Drejtoreshë e Junior Achievement Albania, rektorë dhe studentë. Është kënaqësi të jem sot këtu për të prezantuar fillimin e Programit Kombëtar për Debatin mbi Ekonominë, mbështetur nga Ambasada e SHBA nëpërmejt Komisionit tone për Demokracinë. Programi i Debatit mbi Ekonominë synon të ndihmojë në ndërtimin e një publiku aktiv dhe të informuar duke edukuar studentët në debate.

Në thelb të saj, demokracia ka të bëjë me zgjedhjen. Por një zgjedhje, pa informacion të saktë, pa të menduarit kritik dhe pa të kuptuarit e opsioneve, është boshe. Ky program ka për synim t’iu mësojë studentëve shprehi të tilla si: të gjejnë informacion nëpërmjet kërkimit, të angazhohen në të menduarit kritik, si dhe të jenë në gjendje që të vlerësojnë qartë opsionet. Ai iu jep atyre mundësinë të shqyrtojnë çështjet që ndikojnë jetët e tyre dhe komunitetet e tyre si dhe t’i diskutojnë ato pa rënë në ofendime të ulëta. Këto janë shprehi dhe përvoja për të cilat studentët kanë nevojë jo vetëm për të qenë të suksesshëm në karrierat e tyre të ardhshme, por edhe për të ndihmuar forcimin e demokracisë në Shqipëri.

Pa qytetarë aktivë të angazhuar në debat të thelluar mbi sfidat e politikave, demokracitë vyshken dhe lulëzon korrupsioni. Të mësuarit e themeleve të debatit mbjell farën për dialog të mirëfilltë, i cili iu duhet demokracive për të pasur sukses.

Dëshiroj të përgëzoj universitetet pjesëmarrëse për përkushtimin e tyre ndaj këtij program, organizatën Junion Achievement Albania për përpjekjet e saj për të zbatuar programin, si dhe Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit për mbështetjen e qëndrueshmërisë së programit. Përkushtimi juaj është kyç për suksesin e programit.

Pres me kënaqësi të shoh se si Programi Kombëtar i Debatit mbi Ekonominë do të japë fryte në formën e qytetarëve më të angazhuar. Shpresoj se ai do të krijojë një brez të rinjsh të armatosur me shprehitë dhe dëshirën për të forcuar më tej demokracinë e Shqipërisë. Teksa marrin përsipër këtë detyrë, Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me ta, duke i ndihmuar për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur shqiptare.