Fjala e Z. Beckmann në Projektin “Promovimi i Edukimit për të Parandaluar Ekstremizmin e Dhunshëm”

Mirëmëngjes dhe faleminderit për ftesën për të qenë pjesë e këtij aktiviteti sot. Mbështetja e përpjekjeve të Shqipërisë për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm është ndër prioritetet kryesore të qeverisë amerikane dhe ambasadës.

Asnjë vend nuk është imun ndaj kërcënimit nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, dhe rajoni i Ballkanit dhe Shqipëria nuk janë një përjashtim. Ekstremizmi i dhunshëm është një problem që prek të gjithë shoqërinë.

Për të parandaluar që grupet ekstremiste të radikalizohen, rekrutojnë dhe frymëzojnë të tjerët ndaj dhunës, bashkëpunimi i ngushtë midis qeverisë dhe shoqërisë civile është thelbësor. Në këtë drejtim, Shqipëria ka qenë në pararojë të përpjekjeve rajonale për të luftuar këtë fenomen.

Ne vlerësojmë rolin e rëndësishëm koordinues të luajtur nga zyra e Koordinatorit Kombëtar për zbatimin e Strategjisë Kombëtare Shqiptare të CVE.

Shumë aktorë, përfshirë qeverinë vendore, shkollat, agjensitë e zbatimit të ligjit, komunitetet fetare dhe shoqërinë civile, kanë ndërmarrë nisma të rëndësishme gjatë viteve të fundit për të rritur ndërgjegjësimin dhe luftuar ekstremizmin e dhunshëm.

Jam krenar të them që shumë nga këto nisma janë mbështetur nga Ambasada e Sh.B.A.-së, përfshirë këtë program, “Promovimi i Edukimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”, i zbatuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Solidaritetit.

Ky projekt do të ndihmojë në ndërtimin e kapaciteteve të mësuesve të shkollave të mesme për të identifikuar rreziqet e ekstremizmit të dhunshëm dhe për të punuar me studentë dhe prindër që mund të shfaqin sjellje ekstremiste. Identifikimi i individëve në rrezik është një hap i parë i rëndësishëm. Fuqizimi i mësuesve për t’i drejtuar ata që kanë nevojë drejt burimeve të dobishme, do të ndihmojë në largimin e këtyre individëve nga rruga e rrezikshme dhe e dhunshme në të cilën po drejtohen.

Parandalimi i i ekstremizmit të dhunshëm është përgjegjësi e të gjithëve – ne duhet ta adresojmë së bashku – dhe ky projekt është një shembull i shkëlqyeshëm i mbrojtjes së komuniteteve përmes punës në ekip. Do të dëshiroj të përfundoj duke ju uruar të gjithëve suksese në zbatimin e kësaj nisme të rëndësishme.

Faleminderit!