Fjala e të Ngarkuarit me Punë të SHBA Henry Jardine në Konferencën mbi Reformën e Gjyqësorit në Shqipëri

President Nishani, Kryetar i Parlamentit Meta, Kryeministër Rama, Ministër Naço, Ambasador Raunig, Z. Paquet, të ftuar të shquar.

Ju faleminderit për mundësinë për të marrë pjesë në programin e sotëm.

Prania e të gjithëve juve sot këtu tregon rëndësinë e çështjes që diskutohet – pra përkufizimi i elementëve dhe procesit të nevojshëm për një reformë gjyqësore tërësore e përfshirëse në Shqipëri.

Edhe pjesëmarrja e zyrtarëve të lartë dhe zyrave përkatëse sot është për t’u përgëzuar dhe pasqyron ndërgjegjësimin e gjerë që reforma gjyqësore është kritike për zhvillimin e vazhduar demokratik të Shqipërisë.

Reforma gjyqësore është një prej kërkesave për standardet e bazuara në performancë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Detyrimet e Shqipërisë në këtë drejtim janë përcaktuar qartë në Udhërrëfyesin për në BE.

Megjithatë, ky është një koncept shumë më i thellë dhe më i gjithanshëm; nuk është thjesht çështje e përmbushjes së një parakushti të jashtëm. Reforma gjyqësore nuk është thjesht një kërkesë që Shqipëria të hapë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Arritja e reformës gjyqësore është jetësore për të ardhmen e Shqipërisë; vetëm nëpërmjet një procesi përfshirës, të besueshëm, jopolitik ju do mund të çoni përpara dhe të përmirësoni mirëqenien afatgjatë të popullit shqiptar.

Ekziston një konsensus i qartë si mes shqiptarëve ashtu edhe mes bashkësisë ndërkombëtare: që reforma gjyqësore është e nevojshme për Shqipërinë.

Pa dyshim, shumë njerëz që merren me sistemin e drejtësisë këtu në Shqipëri – gjyqtarë, prokurorë, avokatë mbrojtës dhe qytetarë – besojnë se sistemi i tanishëm nuk ecën sipas ritmit të nevojave të vendit.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, duhet të bëjmë kujdes të mos futim në të njëjtin grup të gjithë individët që punojnë në sistemin e Shqipërisë.

Ka gjyqtartë të mirë, të ndershëm atje jashtë, por ata që nuk janë të ndershëm, apo që janë të korruptuar duhet të ekspozohen dhe të ndëshkohen për sjelljen e tyre joetike apo të korruptuar dhe disa duhet të shkojnë në burg.

Ka prokurorë dhe avokatë mbrojtës të ndershëm; ka punonjës të shërbimit civil që janë të përkushtuar dhe punojnë brenda sektorit gjyqësor. Ka shumë shqiptarë që ia kanë përkushtuar jetën e tyre realizimit të një vendi më të drejtë. Ndaj, duhet bërë kujdes që ndryshimi të vihet në zbatim në mënyrë të tillë që ndërton mbi të mirat që ekzistojnë dhe që ndërton mbi ndryshimet që kanë ndodhur në historinë paskomuniste të Shqipërisë.

E nxisim fort qeverinë të punojë ngushtë me Bashkimin Europian për t’u siguruar që Udhërrëfyesi të ndiqet në çdo gërmë.

Në këtë proces, roli i Komisionit të Venecias do të jetë jetësor dhe zyrtarët e qeverisë dhe deputetët po ashtu duhet të peshojnë me kujdes këshillat eksperte që mund të ofrojë ai.

Dëshirojmë të shohim që partitë politike të bëhen bashkë për të lënë mënjanë mosmarrëveshjet partiake; të punojnë – jo për avantazhe politike – por për interesin e qytetarëve shqiptarë. Megjithatë, pjesë e këtij diskutimi nuk duhet të jenë vetëm figurat politike por edhe shoqëria civile.

Kur flas për një proces përfshirës, nuk e kam fjalën që të shihet i përkufizuar sipas linjave partiake – por një proces përfshirës i interesave të ndërthurjes më të gjerë të bashkësisë Shqiptare. Interesat e ngushta, politike të cave nuk duhet të shërbejnë për të bllokuar apo shtrembëruar përpjekjet për të arritur reformën e nevojshme gjyqësore që do të ishte në të mirën e të gjithë vendit.

E kuptoj se një aktivitet njëditor, me disa folës, nuk mund të hartojë një plan të hollësishëm për një proces të plotë të reformës gjyqësore. Megjithatë, shpresoj që nga ky aktivitet do të mund të vihen në dukje disa parime drejtuese bazë për ecjen përpara të procesit të reformës, të tilla si:

Përsëris, që të jetë tërësor dhe përfshirës;

Që udhërrëfyesi i BE-së të shërbejë si drejtuesi kryesor;

Që të merret mendimi i Komisionit të Venecias;

Që të kryhen konsultime me të gjithë aktorët përkatës, përfshirë shoqërinë civile;

Që procesi të kryhet në përputhje me nevojat e qytetarëve të Shqipërisë dhe të mos politizohet.

Shtetet e Bashkuara, së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, do të qëndrojnë bashkë me ju, dhe do të jenë në krahun tuaj, në përpjekjet tuaja për të siguruar sundimin e ligjit në Shqipëri – por kërkojmë që edhe partnerët tanë shqiptarë t’i përkushtohen këtij procesi të zbatimit të një reforme gjyqësore thelbësore dhe të efektshme.

Afro 240 vjet më parë, presidenti ynë i dytë, John Adams, pati thënë me rastin e themelimit të Shteteve të Bashkuara që: “Dinjiteti dhe stabiliteti i qeverisjes në të gjitha degët e saj, morali i njerëzve, dhe çdo bekim i shoqërisë varen aq shumë nga administrimi i drejtë dhe i aftë i drejtësisë…”

Këto fjalë janë po aq të rëndësishme sot sa ishin edhe atëherë, dhe duhet t’i kujtojnë cilitdo që administrimi i drejtësisë, në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, është thelbësor për një shoqëri të drejtë.

Ju faleminderit për kohën.
###