Fjala* e të Ngarkuarit me Punë të Ambasadës së SHBA David Muniz në Konferencën e Programit LEAD Shqipëri

Ministër Manjani, Z. Dervishaj, zonja dhe zotërinj, mirëmëngjes.

Është domethënës fakti që sot është Dita Ndërkombëtare e Drejtësisë Sociale dhe Shqipëria është në mes të reformës më të rëndësishme që prej rënies së komunizmit – reformës në drejtësi.

Sikurse e keni dëgjuar nga vetë Sekretari Kerry të dielën, lufta për qeverisje më llogaridhënëse kërkon mbështetjen e çdo shqiptari.

Kjo nënkupton që të gjithë ju keni përgjegjësinë që të siguroheni që reforma në drejtësi jo vetëm të miratohet në Kuvend, por që të zbatohet siç duhet – për t’u siguruar që gjykatësit dhe prokurorët t’u përmbahen të njëjtave rregulla si ju dhe unë, dhe që sistemi t’i trajtojë të gjithë me drejtësi, pavarësisht përkatësisë politike, lidhjeve familjare ose origjinës.

Ne kemi punuar nga afër me të gjithë aktorët në këtë proces për t’i dhënë formë reformës dhe për të nxitur miratimin e saj, por kemi nevojë që ju, të rinjtë dhe drejtuesit e ardhshëm të këtij vendi të vazhdoni trysninë mbi zyrtarët tuaj të zgjedhur dhe të siguroheni që kjo reformë të bëhet realitet, për brezin tuaj dhe ata që do të vijnë pas jush.

Edhe pse drejtësia penale dhe drejtësia sociale nuk janë saktësisht i njëjti koncept, duhet vendosur e para, përpara se të keni shpresë reale për arritjen e së dytës.  Suksesi në luftën për të drejtën e të varfërve dhe të margjinalizuarve nuk është i mundur pa një sistem drejtësie që funksionon siç duhet.  Prandaj, pavarësisht nëse ju intereson apo jo që të përfshiheni në kompleksitetin e këshillit të lartë të drejtësisë, në procesin përmes të cilit përzgjidhen gjykatësit dhe prokurorët, ose hollësitë e tjera të kësaj pakete reformash, duhet të jeni mbështetës entuziastë të qëllimit të përgjithshëm.

Jemi të mendimit se Shqipëria po lëviz në drejtimin e duhur dhe ndihem i inkurajuar tek shoh gjithë këta të talentuar në këtë sallë. Kam lexuar kualifikimet tuaja, që janë të gjitha mbresëlënëse.  Puna që ju po bëni si këshilltarë i sjell përfitime këtij vendi.  Shoh këtu persona që punojnë në të gjithë qeverinë. Ju jeni udhëçelës dhe do të përballeni me sfida, por ju nxis që të ruani përkushtimin tuaj. Kam vetëm një ankesë – nuk ka mjaftueshëm persona si ju! Ne kemi nevojë të shohim më shumë kandidatë dhe persona që kanë përfunduar Programin LEAD në të gjithë qeverinë dhe shoqërinë.

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit i ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm Shqipërisë me krijimin e programit LEAD.  Sikurse e kemi parë në Shtetet e Bashuara me programin e Shtëpisë së Bardhë për Lidershipin, ai jo vetëm që i përgatit pjesëmarrësit që t’i shërbejnë më mirë vendit dhe komuniteteve të tyre si në sektorin privat dhe në atë publik, por ky program u jep një perspektivë të shumëllojshme institucioneve qeverisëse.  Por, më e rëndësishmja, ai ushqen si udhëheqjen edhe shërbimin publik nga brezi i ardhshëm.

Kur Presidenti Lyndon Johnson bëri me dije krijimin e Programit të Shtëpisë së Bardhë për Lidershipin, u shpreh se “një shoqëri mirëfilli e lirë nuk mund të jetë spektatore e shoqërisë”.

Kjo është absolutisht e vërtetë si në Shtetet e Bashkuara edhe në Shqipëri.  Pjesëmarrje civile dhe aktivizmi kanë nxitur ndryshime këtu dhe do të udhëheqin drejt një vendi më të fortë, më të begatë dhe më të barabartë.

Nuk ishte rastësi që në takimin e tij të fundit, Sekretari Kerry u taku me tetë drejtues të rinj, përfshirë vetë Elona Banon tuaj. Ai donte të dëgjonte drejtëpërsëdrejti sfidat me të cilat përballet brezi juaj dhe atë që disa prej aktivistëve më të talentuar po bëjnë për t’i trajtuar ato.

Tani, më lejoni t’ju them diçka për atë takim.  Unë kam qenë i përfshirë në planifikimin dhe realizimin e dhjetëra angazhimeve të niveleve të larta – vizita, udhëtime, takime, dhe gjërave të ngjashme. Fakti që John Kerry kërkoi specifikisht një takim si ky, një aktivitet që përqendrohej në drejtuesit e rinj dhe rolin e tyre në luftën kundër korrupsionit, flet gjithçka mbi fokusin e  Uashingtonit  për këtë çështje.  Ky fokus është shumë i vërtetë dhe shumë  intensiv, më besoni.  Shiheni këtë si një shenjë që Shtetet e Bashkuara mbështesin ju dhe përpjekjet tuaja për reformën në drejtësi dhe kërkesën tuaj për drejtësi sociale – nga niveli më i lartë  i qeverisë sonë.

Vazhdoni të luftoni për reformën dhe vazhdoni të jeni udhëheqës në komunitet tuaja. Jam besimplotë se vite nga sot, kur të kthejmë kokën pas, do të na duhet t’ju falenderojmë që keni krijuar një Shqipëri më të mirë.