Fjala e të Ngarkuarit me Punë Demian Smith në Konferencën Ndërkombëtare të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë në Tiranë

Mirëmëngjes. Kryetare e Kuvendit Nikolla, Inspektor i Lartë i Drejtësisë Metani, dhe të ftuar të nderuar nga Shqipëria dhe nga e gjithë Evropa:

Është një nder të jem këtu për të folur në këtë aktivitet të rëndësishëm me kaq shumë pjesëmarrës të dalluar.

Gjashtë vjet më parë, Shqipëria miratoi ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të cilat krijuan kuadrin për një reformë gjithëpërfshirëse në drejtësi. Sondazhet në atë kohë treguan se 25% e gjykatësve pranonin se kishte korrupsion në gjykatë dhe 57% pranonin se kishte ndërhyrje politike. Më shumë se një e treta e gjyqtarëve kishin pasuri të mëdha të pashpjegueshme.

Reforma në drejtësi në Shqipëri krijoi disa institucione të reja drejtësie për të luftuar këtë korrupsion. Një prej këtyre institucioneve të reja është Inspektorati i Lartë i Drejtësisë. Ju jeni ngarkuar me hetimin dhe disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve – një pjesë e rëndësishme e ruajtjes së besimit në sistemin e drejtësisë. Ju gjithashtu siguroni pavarësinë e gjyqësorit dhe prokurorisë, një nga temat e shumta të rëndësishme në axhendën tuaj sot.

Shteti i së drejtës është themeli i demokracisë. Kjo do të thotë të kesh gjyqtarë dhe prokurorë të pavarur, të cilët mund të marrin vendime pa ndikime politike dhe ekonomike.

Në Shtetet e Bashkuara, ky koncept ishte aq i rëndësishëm për themeluesit tanë të shtetit, sa ata vendosën një gjyqësor të pavarur në bazën e sistemit tonë të qeverisjes. Në fakt, kërkesa për pavarësi gjyqësore ishte pjesë e dëshirës së Shteteve të Bashkuara për pavarësi dhe citohet në Deklaratën tonë të Pavarësisë dhe sanksionohet në Kushtetutën tonë.

Demokracitë në mbarë botën sot pajtohen se një sistem i pavarur drejtësie është kritik jo vetëm për sundimin e ligjit, por për vetë suksesin e demokracisë. Asnjëherë më parë Shqipëria nuk ka pasur një kuadër kaq gjithëpërfshirës për hetimin dhe disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ju takon juve që t’i përdorni këto mjete për të vazhduar atë që vetingu ka nisur në sigurimin e një sistemi drejtësie të drejtë dhe të pavarur.

Siç e dini të gjithë, shqiptarët kanë filluar të shohin rezultate — nga largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar e deri te arrestimet e politikanëve, policëve dhe kriminelëve të organizuar. Ne po fillojmë të shohim një epokë të re ku sistemi mund t’u shërbejë qytetarëve të tij dhe jo vetëm atyre që kanë lidhje politike, të pasurve dhe kriminelëve.

Ky është një fillim dhe më shumë duhet bërë. Ju keni ndërtuar institucione të reja drejtësie në emër të popullit shqiptar. Është po aq e rëndësishme që t’i përdorni ato në fuqinë e tyre të plotë, në emër të bashkëqytetarëve tuaj. Ju duhet të jeni efikasë, të pavarur dhe të paanshëm për të siguruar një sistem drejtësie të fortë, të drejtë dhe të ndershëm, i cili do ta mbajë demokracinë tuaj të fortë.

Shtetet e Bashkuara ju nxisin që të vazhdoni punën e mirë dhe punën e madhe, pavarësisht pengesave që hasni. Krahas partnerëve tanë të BE-së – dhe dua t’i bashkohem komenteve të kolegut tim të BE-së për partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për reformën në drejtësi – ne mbështetëm fillimin e Reformës në Drejtësi në 2016-ën dhe kemi qenë aty në çdo hap të rrugës, përmes vetingut dhe krijimit të institucioneve e reja. Kemi nisur të shohim ndikimin e një gjyqësori më të pastër dhe të prokurorëve dhe hetuesve të përkushtuar kundër korrupsionit.

Varet nga vigjilenca dhe angazhimi i institucioneve si Inspektorati i Lartë i Drejtësisë për të ruajtur përparimin kundër korrupsionit dhe për të garantuar integritetin e sistemit gjyqësor.

Sot, ju keni diskutime të rëndësishme me partnerët evropianë se çfarë po funksionon dhe çfarë mund të bëhet më mirë.

Në fund, ndryshimi i vërtetë, domethënës, ju takon juve, palëve në sistemin e drejtësisë, që të përqafoni reformën dhe t’a bëni sistemin funksional për çdo shqiptar.

Edhe një herë, ju falënderoj për ftesën dhe për punën tuaj të rëndësishme.