Fjala e të Ngarkuarit me Punë Dan Koski në Konferencën Rajonale kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore

Mirëmëngjes Ministër Lleshaj, Ministre Manastirliu, Zëvendës Ministre Voda, kolegë, zonja dhe zotërinj. Jam i nderuar t’iu flas të gjithëve ju të përkushtuar ndaj një kauze të madhe – dhënies fund të trafikimit të qenieve njerëzore.

Nuk ka nevojë të thuhet që trafikantët janë të zgjuar. Ata përshtaten. Përpiqen të qëndrojnë një hap përpara drejtësisë. Por, edhe pse ne nuk mund t’i shohim gjithmonë, në të vërtetë dimë shumë rreth tyre. Ne dimë se si punojnë. Dimë se ku punojnë. Dhe, në shumë raste, dimë se cilët janë.

Një gjë që e dimë me siguri është se trafikantët janë të burgosurit e veprimeve të tyre. Krimet që ata kanë kryer i kanë prangosur me pasoja të cilave nuk mund t’iu shpëtojnë. Siç thoshte abolicionisti, intelektuali dhe ish-skllavi Frederick Douglass: “Askush nuk mund të vendosë një zinxhir rreth kyçit të këmbës së bashkëkombësit të tij pa gjetur si përfundim skajin tjetër të lidhur rreth qafës së tij”.

Zinxhiri për të cilin foli Frederick Douglass po zgjatet dhe bëhet më i fortë çdo ditë në Shqipëri. Hallkë pas hallke,  secili nga ju këtu sot po i shton atij zinxhiri.

Prokurorët e rretheve formojnë një hallkë. Ligji në dispozicion të tyre për të ndjekur penalisht trafikantët është një tjetër. Duke përdorur ligjin ekzistues prokurorët mund t’i nxjerrin jashtë shoqërisë shqiptare trafikantët dhe t’i futin në burg, aty ku e kanë vendin. Prokurorë, ju bëj thirrje që të hetoni, të ndiqni penalisht dhe të dënoni më shumë trafikantë. Ne do t’ju mbështesim gjatë rrugës.

Koordinatorëve të viktimave, punonjësve socialë dhe punonjësve të strehëzave që i bëjnë viktimat sërish të plota – secili prej jush është një hallkë tjetër në zinxhir. Trafikantët shkaktojnë dëme për viktimat e tyre dhe për shoqërinë shqiptare, por ju shërbeni për t’i shëruar ato plagë. Ju ofroj lëvdatat e Shteteve të Bashkuara për Qeverinë e Shqipërisë për financimin dhe punësimin e koordinatorëve të viktimave në zyrat e prokurorisë. Këto janë para dhe përpjekje të shpenzuara mirë.

Për të ndihmuar në krijimin e hallkës tjetër në zinxhirin tonë, I bëj thirrje qeverisë të ndihmojë që strehëzat e trafikimit të lulëzojnë. Vitin e kaluar, qeveria bëri gjënë e duhur dhe financoi strehëzat për viktimat e trafikimit. Këtë vit, i bëj thirrje qeverisë shqiptare të ndërmarrë hapin tjetër logjik duke krijuar një mekanizëm financimi që ndan fonde dhe burime të përshtatshme për strehëzat mbi një bazë të qëndrueshme dhe të rregullt.  Nevoja për strehëza të financuara mirë nuk mbaron me përfundimin e vitit kalendarik.

Oficerët e policisë, shoqëria civile dhe ekipet që menaxhojnë njësitë e lëvizshme të identifikimit gjithashtu krijojnë një hallkë të zinxhirit. Në vitin 2018, qeveria dhe OJQ-të identifikuan më shumë fëmijë viktima sesa në 2017. Kjo është një hallkë. Njësitë e lëvizshme të viktimave identifikuan pothuajse dy herë më shumë viktima të mundshme në vitin 2018 sesa në vitin 2017. Kjo është një hallkë tjetër. I bëj thirrje qeverisë shqiptare ta shfrytëzojë këtë vrull duke siguruar pjesëmarrjen e vazhdueshme të ligjzbatuesve në këto njësi të efektshme.

Fonderia në të cilën farkëtojmë hallkat e zinxhirit është reforma në drejtësi e Shqipërisë. Edhe pse veting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve qëndron në zemër të saj, reforma në drejtësi është më shumë se kaq. Ajo parashikon një shoqëri që mbron anëtarët e saj më të cënueshëm dhe ndëshkon ata që i viktimizojnë. Shfrytëzojeni vrullin e reformës në drejtësi, për të nxitur dhe frymëzuar veprimet tuaja për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore. Kjo është një forcë e pandalshme. Përdoreni energjinë e saj.

Drejtuesit në nivelet më të larta të qeverisë së Shteteve të Bashkuara kanë treguar një angazhim për reformën në drejtësi dhe për të luftuar trafikimin, duke marrë forcë nga tradita amerikane e çlirimit të njerëzimit, e njëjta traditë e nderuar nga Frederick Douglass. Siç ka thënë kohët e fundit Sekretari i Shtetit Pompeo, “trafikantët duhet ta dinë që ne nuk do të tolerojmë veprimet e tyre të neveritshme dhe kriminale”.  Së bashku, ne duhet të jemi të vendosur. Dhe së bashku duhet të vazhdojmë të ndërtojmë zinxhirin që lidh trafikantët me ndjekjet penale dhe dënimet, që mbështet viktimat me strehëza dhe përkrahje dhe ngre lart të gjithë Shqipërinë me premtimin e të nesërmeve më të ndritshme.

Ju përgëzoj të gjithëve për përpjekjet tuaja të shkëlqyera dhe shpreh zotimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për qëllimet tona të përbashkëta.

Faleminderit!