Fjala e të Ngarkuarës me Punë të SHBA, Leyla Moses-Ones, Ecja Vjetore për Ndërgjegjësimin për Kancerin e Gjirit

Ministre Manastirliu, Nënkryetare e Bashkisë Ruseti, Ambasador Soreca, Drejtoreshë Godaj, dhe të gjithë që keni ardhur sonte këtu. Faleminderit për ftesën që të jem pjesë e këtij aktiviteti sot.

E them me krenari që ky është viti i njëmbëdhjetë që Ambasada e SHBA ka mbështetur Ecjen për Kancerin e Gjirit. Kjo përpjekje është një fushatë e madhe që ndihmon për të rritur ndërgjegjësimin mbi një prej çështjeve më kritike që ndikon gratë kudo në botë. Pjesëmarrja jonë në këtë ecje është pjesë e një përpjekjeje më të madhe për të kontribuar për fuqizimin e grave në politikën, ekonominë dhe shoqërinë civile shqiptare – si drejtuese, nxitëse të ndryshimit dhe shtysa të përparimit.

Jemi me fat që kemi pasur një partner të shkëlqyer për këto 11 vite të shkuara. YWCA Shqipëri ka demonstruar kurajë të madhe për ta mbështetur kauzën e madhe të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit; përkushtimi i tyre për të përmirësuar jetët e grave në Shqipëri është frymëzues.

Ndonëse ky është muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, e dimë që kanceri i gjirit nuk përkufizohet nga kufij kohorë – është i verbër ndaj pozitës social-ekonomike apo pasurisë. Por ndryshimi i fuqishëm mund të ndodhë kur mbështetësit bashkojnë forcat për të theksuar rëndësinë që ka aksesi për kontrolle të hershme për pikasje që herët, informacioni mbi vetë-kontrollet rutinë, si dhe shërbimet e përmirësuara shëndetësore dhe mbështetëse.

Prandaj, dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve juve që keni ardhur dhe keni marrë pjesë. Po ashtu, dëshiroj t’iu shpreh mirënjohjen time të sinqertë për vullnetaret dhe aktivistet që e bënë këtë ecje, këtë lëvizje, të mundur.