Fjala e të Ngarkuarës me Punë Moses-Ones gjatë Mëngjesit të Punës me Gratë në Politikë

Zonja Ministre, Ambasador Soreca, deputete të Kuvendit, zj. Godaj, të ftuar të nderuar.

Faleminderit të gjithëve për ftesën që të jem pjesë e këtij aktiviteti sot. Fuqizimi i grave dhe vajzave është ndër prioritetet kryesore të qeverisë së Sh.B.A.-së. Dhe, strategjia jonë e sigurisë kombëtare së Sh.B.A.-së thekson faktin se investimi tek gratë i ndihmon vendet të arrijnë paqe dhe begati më të madhe.

Gjatë viteve, Ambasada e Sh.B.A.-së ka mbështetur një numër programesh dhe nismash këtu në Shqipëri që kanë kontribuar në fuqizimin politik, social dhe ekonomik të grave. Për 10 vjet, kemi mbështetur “Marshimin për kancerin e gjirit” që mbahet çdo vjeshtë. Kjo është një fushatë e shkëlqyer për të përkrahur ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit dhe për të ndihmuar për të shpëtuar jetë. E falënderojmë YWCA Albania për këmbënguljen për fillimin e nismës, si dhe për energjinë dhe ruajtjen e vrullit prej më shumë se një dekade.

Dhe që prej fillimit, nisma vetëm është rritur në suksesin e saj. Jo vetëm për shkak të angazhimit dhe përpjekjeve të mëdha të YWCA, por edhe prej mbështetjes kritike nga anëtarët e shoqërisë civile, medias, bizneseve, institucioneve qeveritare dhe politikës. Cilët janë këta mbështetës? Të gjithë ju në auditor sot. Kush ndikohet prej saj? Të gjithë ne që jemi këtu sot.

Ndërsa hedh sytë në sallë, shoh një numër mbresëlënës grash udhëheqëse. Sepse kjo kauzë bashkon gratë si asnjë tjetër, duke tejkaluar moshën, kombësinë, dhe bindjen politike. Dhe siç tha edhe Ambasadori Soreca, diplomatët janë qenie njerëzore. Do të ndaj me ju sot diçka thellësisht personale. Dymbëdhjetë vjet më parë në këtë muaj humba nënën time për shkak të kancerit. Prandaj unë e di personalisht se kanceri i gjirit na prek të gjithë ne, pavarësisht se kush jemi apo nga vijmë. Partitë politike? Të parëndësishme. Lidhjet familjare? Të parëndësishme. Pasuria apo varfëria? Të parëndësishme. Kanceri i gjirit nuk njeh kufij dhe është i verbër ndaj privilegjeve. Dhe ne e dimë se diagnoza e kancerit është tragjike dhe zemërthyese për familjet. Për pasojë, asnjë punëdhënës nuk duhet të ndëshkojë gratë që u duhet të luftojnë këtë sëmundje të tmerrshme.

Studimi i bërë publik sot tregon edhe një tjetër mundësi për drejtuesit e Shqipërisë që të punojnë së bashku për të përmirësuar situatën për gratë në Shqipëri, veçanërisht atyre me kancer gjiri. Shpresoj që kjo do të jetë një hapësirë e përbashkët ku ju – drejtuesit politikë të Shqipërisë – të mund të vini së bashku dhe të bashkoheni për ta çuar vendin përpara. Kur t’i lini mënjanë dallimet tuaja dhe të bashkoheni për një kauzë më të madhe, do ta drejtoni këtë vend me frymëzim. Ju, gratë e Shqipërisë, mund të jepni shembuj për vajzat e reja, udhëheqëset e ardhshme të këtij vendi, por gjithashtu edhe për kolegët tanë meshkuj.

Kështu, koha është tani. Dhe, mundësia është këtu. Udhëheqëset shqiptare që punojnë së bashku për të dhënë një shembull të shkëlqyer për qytetarët tuaj. Zhvillim ekonomik, paqe dhe siguri, ndoshta edhe reformë zgjedhore. Të gjitha këto janë të mundshme me udhëheqës të mirë në krye, në një bashkim përpjekjesh.

Faleminderit sërish për këtë mundësi dhe faleminderit që u mblodhët sot për të rritur ndërgjegjësimin për këtë çështje jashtëzakonisht të rëndësishme që na prek të gjithëve.