Fjala e të Ngarkuarës me Punë Moses-Ones, fillimi i seminarit mbi përdorimin terrorist të teknologjisë

Mirëmëngjes Drejtor Veliu, zonja dhe zotërinj!

Para se t’i kthehem temës së konferencës, dua të them pak fjalë për Policinë e Shtetit shqiptar.

Dua të vlerësoj të gjitha përpjekjet e bëra nga Policia e Shtetit gjatë vitit të kaluar. Ju keni treguar profesionalizëm dhe guxim në detyrën tuaj për të mbrojtur qytetarët që iu shërbeni. Kjo është jetike për zhvillimin e shoqërisë, si dhe për synimet specifike të policisë në luftën kundër krimit dhe dëshiroj t’ju nxis që të vazhdoni në atë drejtim.

Kjo është një kohë e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe për sigurinë rajonale. Është e mrekullueshme të shohësh drejtues të nivelit të lartë të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe nga qeveria që punojnë fort, zëvendës drejtorë dhe eprorë të lartë ligjzbatues, të cilët janë përgjegjës për menaxhimin e operacioneve të zbatimit të ligjit, të marrin pjesë në seminarin e sotëm – “Përdorimi Terrorist i Teknologjisë”.

Shtetet e Bashkuara mbeten të fokusuara në nxitjen e sigurisë rajonale dhe një nga mjetet kryesore është ndihma me sundimin e ligjit. Programi i Trajnimit dhe i Asistencës Antiterror (ATA) në Shqipëri është një program prej 1.3 milionë dollarësh për të mbështetur këto fusha përpjekjesh. Gjatë tetë muajve të fundit janë kryer pesë kurse trajnimi kundër terrorizmit me fokus hetimet terroriste dhe hetimet kibernetike. Ky seminar dy ditor do të ndihmojë në sigurimin e kornizës organizative të ligjeve dhe politikave që politikëbërësit t’i marrin në konsideratë kur hetojnë dhe ndjekin penalisht terroristët.

Institucionet shqiptare kanë bërë një punë mbresëlënëse gjatë viteve të fundit në ndërtimin e kapaciteteve të tyre për të luftuar terrorizmin. Dhe, ne e dimë se asnjë vend nuk ka imunitet nga terrorizmi. Kohët e fundit, Policia e Shtetit Shqiptar arrestoi një individ të rrezikshëm të lidhur me terrorizmin. Kjo tregon një rritje të jashtëzakonshme në zhvillimin e aftësive që mund t’i atribuohet trajnimeve të kohëve të fundit, të marra nga Drejtoria e Antiterrorit, për hetimin e terrorizmit. Shpresojmë të vazhdojmë ta ndihmojmë Policinë e Shtetit Shqiptar që të ndërtojë mbi këtë trajektore suksesi.

Instruktorët dhe këshilltarët tanë me përvojë në zbatimin e ligjit: Art Ehuan, Nicholas Selby, Pete Eliadis dhe Stephen Bunting kanë ekspertizën dhe aftësitë për të ofruar njohuri dhe trajnime për qeverinë e Shqipërisë.

Ndërsa Pete dhe Steve janë duke punuar dhe këshilluar tashmë Njësinë Antiterror të Policisë së Shtetit, Art dhe Nicholas do të drejtojnë seminarin. Jemi besimplotë se këtë seminar do ta gjeni të dobishëm dhe përfitues për qeverinë e Shqipërisë, pasi teknologjia vazhdon të luajë një rol jetik në aktivitetet terroriste.

Më lejoni ta mbyll duke falënderuar Ardi Veliun dhe Policinë e Shtetit Shqiptar për punën që kanë bërë në luftën kundër të gjitha formave të krimit dhe terrorizmit. Presim me kënaqësi të vazhdojmë angazhimin dhe bashkëpunimin me ju për këto çështje. Si dhe, ju uroj suksese të vazhdueshme, pasi Policia e Shtetit në Shqipëri vazhdon të ndërtojë një emër si një nga organizatat më të mira policore në Evropë.

Faleminderit për mundësinë për t’ju drejtuar këtë mëngjes.