Fjala e të Ngarkuarës me Punë Leyla Moses-Ones në Shkollën e Magjistraturës

Prokurore e Përgjithshme Marku, studentë dhe profesorë të Shkollës së Magjistraturës,

Në dhjetor të vitit 1999, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 54/134, duke e shpallur 25 nëntorin si Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës kundër Grave. Kjo ditë është fillimi zyrtar i 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, një fushatë vjetore që na sjell ndër mend ndikimin e thellë që dhuna me bazë gjinore ka në shoqëri.

Dhuna me bazë gjinore na prek të gjithëve; gra, fëmijë dhe burra. Na ndikon pavarësisht kombësisë, statusit shoqëror, orientimit seksual ose besimit tonë fetar. Viktimat e këtyre krimeve janë shpesh më të cënueshmit dhe të heshturit.

Kjo gjë kërkon përpjekje nga të gjithë në sistemin e drejtësisë që të përkrahin të drejtat e viktimave, duke i balancuar edhe me të drejtat e të akuzuarit.

Për këtë arsye e përgëzojmë Prokuroren e Përgjithshme Marku që bëri një hap përpara në mbrojtje të këtyre personave të cënueshëm duke nxjerrë një Udhëzim të Përgjithshëm për Garantimin e Asistencës ndaj Viktimave dhe Dëshmitarëve të Veprave Penale. Këto udhëzime do të ndihmojnë në sigurimin e bashkërendimit më të mirë ndërmjet prokurorëve, policisë, gjykatave dhe viktimave. Gjithashtu, do të ndihmojë në parandalimin e viktimizimit të përsëritur dhe ri-viktimizimit të viktimave, si dhe do të zvogëlojë edhe ndikimin traumatik të pjesëmarrjes së tyre në proces penal.

Udhëzimet do t’i ndihmojnë gjithashtu prokurorët të nxisin një zbatim uniform të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale lidhur me viktimat dhe dëshmitarët e veprave penale. Kjo do të thotë që një viktimë në Kukës ose në Sarandë duhet të shpresojë të marrë të njëjtin trajtim nga sistemi i drejtësisë ashtu si një viktimë në Tiranë.

Këto udhëzime dhe të drejta të përmirësuara të viktimave, sipas ligjit, janë një hap i rëndësishëm përpara në dëshirën e Shqipërisë për të përmbushur standardet ndërkombëtare të drejtësisë për të gjithë qytetarët e saj. Tani duhet t’i diskutojmë dhe t’i zbatojmë këto përmirësime. Ku më mirë se këtu, me gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm të Shqipërisë, mund ta fillojmë këtë diskutim të rëndësishëm?

Faleminderit për këtë mundësi që t’iu drejtohem sot.