Fjala e të Ngarkuarës me Punë Moses-Ones në Konferencën “Ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri”

E nderuar Zëvendës-Kryeministre Mesi, Ministre Nikolla, Koordinator Sojati, Z. Vurmo, të ftuar të nderuar. Është nder që jam këtu me ju sot.

Më lejoni të filloj duke përgëzuar IDM.  Rezultatet e studimit tuaj do të ndihmojnë në forcimin e të gjitha përpjekjeve tona për të luftuar dhe parandaluar ekstremizmin e dhunshëm në Shqipëri. Ambasada e SHBA-së është krenare që ka qenë partneri juaj në këtë përpjekje.

Çdo person në këtë sallë sot luan një rol të rëndësishëm në parandalimin dhe luftën e ekstremizmit të dhunshëm. Pavarësisht nëse jeni zyrtar i qeverisë, pjesë e forcave ligjzbatuese, udhëheqës fetar, mësues i komunitetit, ose përfaqësues i shoqërisë civile, jeni këtu sepse i kuptoni sfidat me të cilat ne përballemi. E kuptoni që ne jemi në një betejë ideologjish – një betejë e cila vendos vlerat tona të pluralizmit dhe pranimit kundër një ideologjie të ekstremizmit të dhunshëm. Kur them “pranim” e them këtë qëllimisht.  Kjo nuk do të thotë vetëm torelancë.  Sepse ajo që vlerësoj shumë si shtyllë e identitetit shqiptar është pranimi i të tjerëve. Jo thjesht tolerencë.

Kjo betejë për idetë është pjesë thelbësore e luftës globale që duhet të fitojmë. Përgëzoj secilin prej jush për gjithçka që jeni duke bërë për t’u siguruar që vlerat tona paqësore të triumfojnë.

Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për ta fituar këtë betejë është i vazhdueshëm dhe i vendosur. Përqasja jonë përshkruhet më së miri në Strategjinë Kombëtare kundër terrorizmit, të publikuar nga Shtëpia e Bardhë muajin e kaluar. Në thelb të kësaj strategjie qëndron theksi për punën me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë në “përkrahjen dhe institucionalizimin e parandalimit të esktremizmit të dhushëm”.  Ju jeni ndër ata partnerë ndërkombëtarë të afërt dhe aleatë të besuar. Dua t’ju falënderoj për përkushtimin tuaj ndaj qëllimeve tona të përbashkëta.

Së bashku, po çojmë përpara anembanë Shqipërisë projekte të rëndësishme për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Me mbështetjen e më shumë se 5 milionë dollarë ndihmë nga SHBA, ne po punojmë me ju për të ndërtuar forcën përballuese të komunitetit, për të fuqizuar gratë dhe të rinjtë, për të forcuar qeverisjen vendore dhe për të përkrahur zërat e matur brenda komuniteve fetare.  Gjithashtu po punojmë së bashku për t’i ngritur shkollat si qendra komunitare, për të mbështetur funksionimin e Qendrës Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe për të zbatuar reformën në burgje për t’u siguruar që ekstremizmi i dhunshëm të mos ketë mundësi të përhapet.  Jemi partnerët tuaj krenarë në secilën prej këtyre nismave.

Dhe, ndonëse jemi partnerët tuaj, ju e meritoni vlerësimin për suksesin e Shqipërisë. Përpjekjet tuaja kanë shërbyer për të nxitur ndërgjegjësimin ndaj rrezikut të ekstremizmit të dhunshëm dhe u kanë ofruar mundësi të tjera atyre që përndryshe do të tërhiqeshin prej tij. Këto përpjekje shtrihen në të gjitha nivelet e shoqërisë. Në nivel kombëtar, qeveria shqiptare po vendos standarde në rajon, përmes Strategjisë së saj Kombëtare për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe statusin e saj si vendi i parë në Ballkan që i jep përparësi financimit kombëtar për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm. Qendra Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm është një tjetër shembull i qartë i përkushtimit të Shqipërisë ndaj kësaj çështjeje.  Dhe, ndoshta më e rëndësishmja, mbrojtja e hershme dhe me pasion nga shqiptarët për tolerancën fetare dhe gjithëpërfshirjen e ka bërë vendin jo mikpritës ndaj atyre që dëshirojnë të mbjellin urrejtje dhe ndarje.

Në nivel vendor, zyrtarët, drejtuesit e komuniteteve dhe anëtarët e shoqërisë civile po ndërtojnë komunitete që ofrojnë mundësi për angazhimin e të rinjve, ndërsa sigurojnë një rrugë larg dhunës.  Dhe në nivel vetjak, të gjithë ju jeni duke ndërtuar marrëdhënie që i mbajnë të tjerët larg margjinalizimit dhe zhgënjimit, në mënyrë që të mund të përfshihen dhe të aktivizohen për të kontribuar në të mirën e përbashkët.

Edhe një herë, e dua të përgëzoj IDM-në dhe gjithë të pranishmit për përkushtimin tuaj në këtë çështje të rëndësishme, dhe për partneritetin e miqësinë tuaj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.