Fjala e të Ngarkuarës me Punë a.i. Moses-Ones në Konferencën Kombëtare kundër Trafikimit të Personave

Mirëmëngjes Zëvendës ministre Voda, mirëmëngjes Ambasador Norman, Zëvendës Ambasador Wilton, Zonja dhe Zotërinj,

Sot, dua t’ju flas për viktimat. Dua që të futemi në botën e tyre. Sepse ato janë kudo dhe ne duhet t’i shohim. Gjithashtu duhet të vlerësojmë forcën e tyre, trimërinë e tyre dhe mundësitë që ato mund të kenë në të ardhmen, nëse mund ta ndalojmë trafikimin, së bashku.

Përfytyroni se jeni një fëmijë, 13 ose 14 vjeç, në një dhomë të errët dhe të panjohur. Ju mund të largoheni vetëm kur trafikanti juaj – rojtari i burgut tuaj, në të vërtetë – ju lejon të punoni si prostitutë, në një fabrikë ose në një fushë. Ju jeni atje, sepse dikush ju shikoi dhe pa te ju përfitimin se sa një qenie njerëzore. Dikush ju premtoi një jetë të bukur në një qytet të madh, një punë të shkëlqyer dhe një të ardhme të ndritshme. Por, në realitet, dikush ju skllavëroi.

Gjithashtu mund ta përfytyroni veten në të 20-at, të 30-at, dhe kështu me radhë. Sepse jo të gjitha viktimat janë të reja në moshë dhe jo të gjitha viktimat janë vajza, megjithëse pjesa më e madhe e tyre janë të tilla. Por pavarësisht moshës së viktimave dhe pavarësisht se nga vijnë, të gjitha kanë një nevojë të qartë.
Duhet të shpëtohen.

Por për t’i shpëtuar, duhet t’i identifikojmë ato. Identifikimi i viktimave të trafikimit është thelbësor për të shpëtuar jetën e tyre dhe me rëndësi jetike për ndjekjen e suksesshme penale. Viktimat duhet të identifikohet që të marrin shërbime. Dhe kjo është arsyeja pse trajnimi i duhur i policisë, i punonjësve socialë, i prokurorëve dhe i gjyqtarëve është aq i rëndësishëm. Këto nuk janë ushtrime të thata, burokratike. Këto shpëtojnë viktimat.

Pasi shpëtohet, dy nga gjërat më të rëndësishme për një viktimë janë strehimi dhe drejtësia. Strehëzat e Shqipërisë për viktimat e trafikimit janë të shkëlqyera dhe reputacioni i tyre është shumë i fortë në të gjithë Ballkanin Perëndimor. E nxis qeverinë shqiptare të përmbushë angazhimin e saj për të siguruar fonde për këto strehëza për vitin e ardhshëm fiskal dhe për të siguruar financim të qëndrueshëm për të ardhmen. I bëj thirrje Qeverisë së Shqipërisë të vazhdojë të jetë një shembull i shkëlqyer për rajonin.

Dhe pastaj është drejtësia. Rëndësia e drejtësisë është e dyfishtë. Së pari, u jep viktimave ngushëllim kur shohin që personat që i futën në kurth dhe i shfrytëzuan po shlyejnë atë që bënë. Kjo gjithashtu parandalon trafikantët që të skllavërojnë të tjerë përsëri. I nxis kolegëve tanë të zbatimit të ligjit që të vazhdojnë hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e trafikantëve – përfshirë zyrtarët që e lejojnë këtë krim të tmerrshëm të ndodhë. Dhënia e drejtësisë për shkelësit i shpërben ndjekjes penale. Gjithashtu kjo mbron viktimat e mundshme.

Dua të theksoj edhe se qëllimi i drejtësisë është t’u shërbejë viktimave, jo t’i dënojë ato. Ndonjëherë kjo duket e qartë, por viktimat vazhdojnë të ndiqen penalisht – zakonisht për prostitucion. Ndjekja penale e viktimave për shkak se janë skllavëruar nuk është e drejtë, prandaj i bëj thirrje qeverisë dhe zbatuesve të ligjit që të rrisin zbatimin e ligjit shqiptar që i përjashton viktimat nga gjobat për veprime të paligjshme që janë kryer si pasojë e trafikimit. Ju lutem, mos i viktimizoni viktimat.

Dua ta përfundoj duke theksuar shpirtin e viktimave të trafikimit. Sepse ato janë të forta. Ato janë të mbijetura. Dhe, pavarësisht tmerreve që kanë kaluar, ato po lulëzojnë. Dhe disa prej tyre janë sipërmarrëse. Disa syresh po ndihmojnë të mbijetuarit e tjerë. Viktimat e trafikimit mund të kenë një jetë të bukur, qoftë në një qytet të madh apo fshat të vogël, ato mund të kenë një punë të shkëlqyer dhe një të ardhme të mirë. Qeveria dhe zyrtarët duhet të bëjnë pjesën e tyre për të mbrojtur të drejtën e viktimave për të ndjekur një të ardhme më të mirë.

Ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë – ne duhet t’i shohim, duhet t’i shpëtojmë, duhet t’i strehojmë dhe duhet t’u japim drejtësi. Titulli hashtag i kësaj konference është tejet i saktë: bashkë mundemi ta ndalojmë trafikimin.

Faleminderit për mundësinë që t’ju drejtohem sot.