Fjala e të Ngarkuarës me Punë a.i. Moses-Ones në Ceremoninë e Dhurimit të MRAP-ve

Ministre Xhaçka, Gjeneral Kollçaku, Gjeneral Mullai, anëtarë të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe të ftuar të nderuar,

Faleminderit që më lejuat të jem këtu me ju sot. Është një nder të marrësh pjesë në këtë ceremoni përkujtimore. Një ceremoni e tillë që ilustron angazhimin e Shteteve të Bashkuara për lidhje më të forta me Shqipërinë dhe që është një testament i miqësisë sonë të gjatë.

Sot festojmë dorëzimin e 37 [tridhjetë e shtatë] automjeteve të mbrojtura e rezistente ndaj pritave dhe kurtheve të minuara (ose MRAP [më-rë-a-pë]) për Forcat e Armatosura Shqiptare. Këto automjete, përveç makinave Humvee të blinduara, dhuruar më parë, do ta ndihmojnë Shqipërinë të arrijë një nga objektivat e saj kryesorë të aftësive të NATO-s; grumbullimi i suksesshëm i një Grupi Luftimi Këmbësorie të Motorizuar.

Kjo aftësi e re e blinduar do të rrisë mbrojtjen e brendshme të Shqipërisë, do të forcojë krahun jugor të NATO-s dhe do të sigurojë fuqi vendimtare luftarake në NATO, që mund të dislokohet në mbështetje të operacioneve globale. Ky është një tjetër shembull se si Shqipëria po rritet si një lider rajonal në Ballkan.

Nën drejtimin e shkëlqyer të Ministres Xhaçka dhe Gjeneral Kollçakut, komunikimi dhe bashkëpunimi mes forcave tona ushtarake nuk ka qenë kurrë më i fortë. Ndërsa shpërndarja e këtyre automjeteve shënon përfundimin e një faze të bashkëpunimit tonë, jemi entuziastë për të ardhmen dhe potencialin për të bashkëpunuar në mënyra të tjera për të rritur aftësitë tokësore, ajrore dhe detare të Shqipërisë.

Është me të vërtetë një kohë emocionuese për të qenë një ushtar, marinar apo pilot në Forcat e Armatosura Shqiptare.

Ne ju falënderojmë për angazhimin tuaj për modernizimin e Forcave të Armatosura, për angazhimin tuaj për të arritur 2% në shpenzimet për mbrojtjen, dhe për angazhimet tuaja të së kaluarës – të tashmes – dhe të ardhmes ndaj aleancës. Shpresojmë të punojmë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me Qeverinë e Shqipërisë se si mund të zgjerojmë më tej marrëdhëniet tona ushtarake.

Faleminderit!