Fjala e të Ngarkuarës me Punë, a.i. Leyla Moses-Ones në Projektin e Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar

Të nderuara Ministre Denaj dhe Zëvendës Ministre Kospiri, të ftuar të nderuar:

Jam e kënaqur që ndodhem sot këtu për të festuar arritjet e projektit nëntëvjeçar të FSHDPAK-së “Fuqizimi Ekonomik i Njerëzve me Aftësi të Kufizuara” – EEPD.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara, përmes USAID-it, mbështeti projektin EEPD sepse Amerika është e përkushtuar ta ndihmojë Shqipërinë në forcimin e shtetit ligjor dhe qeverisjes së saj, dhe Amerika është e vendosur të ndihmojë në krijimin e kushteve për një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse në Shqipëri.

Ky angazhim për Shqipërinë pasqyron gjithashtu disa ligje amerikane, të cilat urdhërojnë që personat me aftësi të kufizuara të jenë në gjendje të punojnë në mënyrë të barabartë me anëtarët e tjerë të shoqërisë, në një mjedis të hapur dhe gjithëpërfshirës. Këto janë edhe të drejta themelore të njeriut, të cilat SHBA i përqafon dhe nxit dhe që Shqipëria i bashkëndan. Për të perifrazuar ish-Zëvendës Presidentin e SHBA Hubert Humphrey: “testi moral i një qeverie është se si i trajton ata që janë nën hijen e jetës, njerëzit me aftësi të kufizuara”.  Le të shohim se çfarë është bërë për t’iu mundësuar personave me aftësi të kufizuar pjesëmarrje të plotë në shoqërinë shqiptare? Çfarë është bërë për t’i nxjerrë njerëzit me aftësi të kufizuar nga hija?

Që prej vitit 2010, FSHDPAK, me mbështetjen e USAID-it, ka punuar pa u lodhur për të ndihmuar këtë kauzë. Dhe sot jemi këtu për të festuar punën e FSHDPAK-së. Tek e bëjmë këtë, vlerësojmë gjithashtu që arritjet e tyre janë farkëtuar përmes partneritetit të shkëlqyer me Qeverinë e Shqipërisë dhe përmes bashkëpunimit me Zyrat Rajonale të Punës dhe Shërbimin Kombëtar të Punësimit. Këto marrëdhënie e kanë ndihmuar projektin EEPD të arrijë përmirësime të prekshme në mënyrën se si Shqipëria i trajton personat me aftësi të kufizuara.

Arritjet e tyre janë të shumta! Në nivel ligjor dhe politikash, për shembull, FSHDPAK ka mbështetur punën për të përkrahur politika gjithëpërfshirëse në sektorët e shëndetësisë, arsimit, punësimit dhe shërbimeve sociale, infrastrukturës dhe aksesit në zgjedhje në Shqipëri. Kjo ka ndihmuar në sigurimin e pajtueshmërisë me standardet e BE-së, OKB-së dhe standarde të tjera ndërkombëtare. Në nivel vendor, FSHDPAK ka ndihmuar më shumë se 267 persona me aftësi të kufizuara të gjejnë punë; 40 të tjerë kanë fituar mundësi stazhi, si dhe 226 të tjerë kanë ndjekur kurse të formimit profesional. Shifrat e personave që kanë përfituar nga projekti janë edhe më të larta – këto vende pune dhe mundësi ndikuan pozitivisht edhe familjet e përfituesve të drejtpërdrejtë. Dhe këto nuk janë thjesht numra, por janë individë jetët e të cilëve kanë ndryshuar… familjet e tyre kanë ndryshuar.

Për të krijuar momentin e rëndësishëm shoqëror, FSHDPAK ka siguruar gjithashtu trajnime për më shumë se 120 kompani dhe personelin e tyre se si të përshtasin vendet e tyre të punës në mënyrë që të strehohen personat me aftësi të kufizuara. Ata kanë zhvilluar edhe partneritete konstruktive midis OJQ-ve, komunitetit të biznesit dhe organeve qeverisëse. Kjo është përkthyer në ndryshime transformuese në nivelin institucional.

Dua të përgëzoj dhe falenderoj Drejtoreshën Ekzekutive të FSHDPAK Zj. Blerta Cani dhe të gjithë ekipin e FSHDPAK për angazhimin dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës së aftësisë së kufizuar.

Dhe ndërsa është arritur shumë, mbetet ende shumë hapësirë për përmirësim. Ligji duhet të kapërcejë hendekun midis asaj që ekziston në letër dhe çfarë ekziston në të vërtetë dhe që ndikon jetët e njerëzve. Thënë troç: asnjë nga këto nuk ka rëndësi përveç nëse praktika përputhet me politikat në mënyrë që realiteti i përditshëm i personave me aftësi të kufizuara të ndryshohet përgjithmonë. Prandaj kjo veprimtari nuk është thjesht një festim i përparimit të bërë, por një thirrje për veprim që ua bëj të gjithëve në këtë sallë, që të përgjigjen.

Së pari, i bëj thirrje Qeverisë së Shqipërisë të sigurohet që legjislacioni i duhur të jetë i shkruar dhe i zbatueshëm. Mbrojtja e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara është një përpjekje që duhet të tejkalojë linjat partiake dhe të bashkojë zyrtarët në një kauzë të përbashkët. Aftësia e kufizuar nuk diskriminon në bazë të përkatësisë politike dhe këtë nuk duhet ta bëjnë as ligjbërësit apo ligjzbatuesit: kjo është një çështje që i prek të gjithë.

Së dyti, ju bëj thirrje si individë të siguroheni që personave me aftësi të kufizuar t’iu jepen të njëjtat mundësi – në punë ose në kohën e lirë – si pjesa tjetër e shoqërisë. Jini proaktivë – shqyrtoni si mund t’i bëni bizneset dhe vendet tuaja të punës më të aksesueshme për njerëzit me aftësi të kufizuara. Mendoni se si praktikat tuaja të punësimit mund të përshtaten për t’iu dhënë persoanve me aftësi të kufizuara mundësi të barabarta për punësim dhe mundësi të barabarta për t’u trajnuar, për të mësuar dhe për të kontribuar në përparimin e Shqipërisë.

Faleminderit për këtë mundësi për t’ju folur sot!