Fjala e të Ngarkuarës me Punë, a.i. Leyla Moses-Ones në 20 vjetorin e Qendrës “Vatra”

*Të nderuar pjesëmarrës dhe të ftuar,

është kënaqësi të jem me ju këtë mbrëmje për të festuar 20 vjetorin e organizatës Vatra, si dhe për të marrë këtë vlerësim të jashtëzakonshëm në emër të Ambasadës së Sh.B.A në Tiranë

Faleminderit shumë! Dhe shumë falenderime për ekipit tim të profesionistëve, të cilët kanë punuar me Vatrën, disa prej tyre edhe prej 20 vjetësh! Faleminderit!

Shtetet e Bashkuara e shohin trafikimin e personave dhe luftën kundër tij si një prioritet të lartë, dhe sjellin të gjithë ndihmën e duhur për këtë luftë në nivelet më të larta të qeverisë. Ky është një krim i tmerrshëm, është skllavëria e ditëve tona. Është një krim që përfshin të gjithë globin dhe është një krim me shumë viktima: jo vetëm ata që trafikohen, por edhe familjet, miqtë dhe komunitetet që ata lënë pas.

Nëpërmjet ndihmës për organizatat që punojnë në vijën e parë duke ofruar ndihmë për viktimat dhe duke ndihmuar qeveritë të ndërtojnë kapacitete, Shtetet e Bashkuara punojnë me partnerët tanë ndërkombëtarë, si Vatra, për të krijuar një ekip të pandalshëm në këtë luftë kundër kësaj mizorie dhe krimi të tmerrshëm.

Siç tha Sekretari Pompeo: “Nëse do të fitojmë këtë luftë, qeveritë kombëtare duhet të fuqizojnë komunitetet lokale për të identifikuar në mënyrë aktive trafikimin e qenieve njerëzore dhe për të zhvilluar zgjidhje vendore për ta trajtuar atë”.

Dhe ne të gjithë e dimë rolin e jashtëzakonshëm që luajnë organizatat e shoqërisë civile dhe sa i pazëvendësueshëm është ai.

Sonte dëgjuam shumë fjalë për Vatrën dhe se si ajo është një shembull i organizatave të shoqërisë civile. Nuk mund të isha më dakord se kaq! Programet e tyre të edukimit dhe të ndërgjegjësimit, si dhe shërbimet e identifikimit, mbështetjes dhe riintegrimit janë shumë të rëndësishme për viktimat.

Prandaj, nuk është rastësi që ne kemi qenë ndër mbështetësit e parë të “Vatrës”, e cila ka qenë pioniere në përpjekjet për të ndihmuar qoftë viktimat e trafikimit, ashtu edhe ato të dhunës në familje, siç e dëgjuam!

“Vatra” ishte një nga organizatat e para që sinjalizoi rrezikun e trafikimit të qenieve njerëzore dhe vazhdon të jetë organizata e vetme në Shqipërinë e jugut që ofron shërbime strehimi dhe rehabilitimi për viktimat e viktimat e mundshme të trafikimit dhe dhunës në familje. Ajo ka qenë thelbësore për qindra, në mos mijëra, gra dhe vajza dhe fëmijë në mbarë vendin që e vlerësojnë lirinë e tyre. Dhe ne jemi shumë krenarë që kemi qqenë partnerë me Vatrën!

Do të doja të përfitoja nga kjo mundësi për të vlerësuar përpjekjet e jashtëzakonshme të Vera Leskos, e cila qe e para që e nisi këtë betejë të guximshme kundër trafikimit njëzet vjet më parë, si dhe të Brikena Pukës, Drejtoreshës Ekzekutive. Çfarë udhëheqje e admirueshme dhe e fortë dhe çfarë përkushtimi guximtar! Mund të kujtoj çaste të caktuara gjatë karrierës sime diplomatike, kur jam ndier jashtëzakonisht krenare për të qenurit diplomate dhe amerikane. Por sonte, pasi ju Znj. Lesko folët për shoqërimin e viktimave në gjykatë, dhe taktikat frikësuese të kriminelëve, të cilët i thanë njëri-tjetrit: “Atë e mbështesin Shtetet e Bashkuara, dorëzohu”! Dhe mund t’ju them se Shtetet e Bashkuara janë me ju, prandaj të gjithë kriminelët duhet të dorëzohen që sot e tutje.

Sigurisht, është bërë përparim, por është thelbësore që lufta të vazhdojë, që beteja të vazhdojë, qeveria dhe institucionet në Shqipëri të punojnë së bashku për të forcuar rregullat dhe, më e rëndësishmja, për të vënë në praktikë të gjithë harkun e sistemit të drejtësisë penale, për të mbrojtur viktimat dhe për të arritur vërtet drejtësi për viktimat.

Ne nuk kemi iluzione se kjo betejë do të mund të fitohet shpejt apo do të mund të fitohet lehtë. Por, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë krah jush, krah qeverisë shqiptare, institucioneve të shoqërisë civile, Vatrës dhe, krejt sinqerisht, në krah të të gjitha nuancave dhe formave të aleatëve antitrafikim, të cilët i bashkohen luftës kundër trafikimit të personave, si dhe luftës kundër fatkeqësisë së dhunës në familje!

Faleminderit shumë për mirënjohjen!

*fjalimi i parapërgatitur