Fjala e Shefit të Marrëdhënieve me Publikun Brian Beckmann në Seminarin mbi Menaxhimin e Projekteve

Mirëmëngjes,

Forcimi i organizatave të shoqërisë civile është prioritet kryesor për Ambasadën e SHBA në Shqipëri. Ne e dimë se duke ju fuqizuar, ju do i bëni llogaridhënës qeverinë dhe biznesin. Ne tashmë kemi filluar të shohim rezultate të mira nga projektet tona për fuqizimin e organizatave të shoqërisë civile. Ne duam të shohim akoma më shumë.

Duke e bërë qeverinë të japë llogari, luftuar korrupsionin, mbështetur reformat kyçe, ngritur kapacitetet e të rinjve për t’u bërë udhëheqës, punuar me gazetarë investigativë, apo fuqizuar gratë, ju jeni në pararojë të përpjekjeve për ta bërë këtë shtet një vend më të mirë. Kjo është arsyeja pse ne investojmë në projektet tuaja dhe tek ju, si organizata

Këtë vit ne kemi pasur dy raunde të programit të Komisionit për Demokraci, si edhe një thirrje të veçantë për propozime të fokusuara në luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm. Unë jam i kënaqur që përmes këtyre proçeseve patëm mundesinë të mbështesim një shumëllojshmëri organizatash nga pikëpamja tematike dhe gjeografike.

Ne shpresojmë që në të ardhmen të vazhdojmë të punojmë me ato organizata që kanë një histori të gjatë bashkëpunimi me ne, por gjithashtu edhe me organizata të reja premtuese që vijnë nga i gjithë vendi. Unë personalisht marr pjesë në proçesin e përzgjedhjes, dhe mund t’ju them se sa kohë dhe përpjekje shpenzohet në përzgjedhjen e projekteve fitues.

Sa i inkurajuar jam për atë që ju të gjithë bëni, më duhet gjithashtu të them se ndonjëherë është sfidë për të gjetur partnerë të rinj në zona të reja. Pjesë e mbështetjes tonë për ju, është t’ju ndihmojmë të artikuloni dhe fokusoni propozimet tuaja në mënyrë më efikase.

Seminari i sotëm është një aspekt i rëndësishëm i marrëdhënieve tona me ju, dhe pjesë e përpjekjeve tona për t’ju ndihmuar të jeni edhe më efektivë.

Ne shpresojmë që një pjesë e asaj që do të mësoni këtu, do të ndihmojë për t’i bërë organizatat tuaja më transparente, të qëndrueshme dhe të suksesshme. Ne e shohim se interesi i publikut për llogaridhënien është në rritje. Pritshmëritë për rezultate më të mira dhe më shumë sukses në luftën kundër korrupsionit dhe mungesës së transparencës në qeveri janë gjithashtu në rritje. Ne duhet të përfitojmë nga këto prirje. Nëse mund të angazhojmë qytetarët shqiptarë, ne mund të shohim ndryshim të vërtetë.

Dëshiroj ta pëmbyll fjalën time me një mesazh nga e Ngarkuara me Punë Leyla Moses-Ones:

“Rritja dhe fuqizimi i organizimeve bazë në nivele komunitare që kërkon një demokraci është punë e vështirë dhe kërkon vendosmëri. Në historinë e shumicës së demokracive që luftuan kundër një forme despotizmi, monarkie ose autoritarizmi, organizimet “grassroots” dhe lëvizjet shoqëruese ishin përbërësit e nevojshëm për ndryshime të qëndrueshme. Dhe ju të gjithë jeni në ballë të kësaj përpjekje – kjo do të thotë se, duke filluar nga idetë tuaja, ju po vendosni axhendën, ju po nxisni për adaptime strukturore në institucione, ju po shtyni për ndryshime të politikave, dhe ju po ndryshoni narrativat dhe po transformoni mentalitetet. Përdorimi strategjik i fuqisë tuaj konstruktive mund ta rrotullojë timonin e energjisë dhe të ri-drejtojë vullnetin politik në favorin tuaj. Ju falenderojmë që jeni kampionë të demokracisë për Shqipërinë. Dhe, ne ju falënderojmë që keni besuar në vlerat dhe idealet amerikane për të vazhduar çuarjen përpara të partneriteteve tona”.