Fjala e Sekretarit Tillerson mbi Urdhrin Ekzekutiv të Presidentit që u Nënshkrua Sot

SEKRETARI TILLERSON: Përshëndetje. Mirëmëngjes dhe faleminderit që u bashkuat sot me ne. Urdhri Ekzekutiv i nënshkruar nga Presidenti pak më parë, që Mbron Kombin nga Hyrja e Terroristëve të Huaj në Shtetet e Bashkuara, është një masë jetike për të forcuar sigurinë tonë kombëtare. Është detyra solemne e Presidentit për të mbrojtur popullin amerikan. Dhe me këtë urdhër, Presidenti Trump po ushtron autoritetin e tij ligjor për të mbajtur popullin tonë të sigurtë.

Ndërsa kërcënimet ndaj sigurisë sonë vazhdojnë të zhvillohen dhe ndryshojnë, logjika e do që ne të rivlerësojmë dhe ridiskutojmë vazhdimisht sistemet ku mbështetemi për të mbrojtur vendin tonë. Edhe pse asnjë sistem nuk mund të jetë tërësisht i pagabueshëm, populli amerikn duhet të ketë besimin më të madh se ne po kërkojmë mënyra për të përmirësuar sistemin e kontrollit, dhe si rrjedhojë, të ndalojmë që terroristët të hyjnë në vendin tonë.

Aleatëve dhe partnerëve tanë kudo në botë: Ju lutemi të mirëkuptoni se ky urdhër është pjesë e përpjekjeve tona të vazhdueshme për të zhdukur dobësitë që terroristët radikalë islamistë mund dhe do të shfrytëzojnë për qëllime shkatërruese. Departamenti i Shtetit do të bashkëpunojë me agjencitë e tjera federale dhe do të zbatojë këto kufizime të përkohshme në mënyrë të rregullt. Ambasadat dhe konsullatat tona nëpër botë do të luajnë një rol të rëndësishëm që vendi ynë të jetë sa më i sigurtë që të jetë e mundur.

Gjithashtu, Departamenti i Shtetit do të zbatojë dispozitat në mënyrë të tillë që të lejojë pranimin e refugjatëve kur përcaktohet se ata nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe mirëqënien e Shteteve të Bashkuara.

Në bazë të urdhrit ekzekutiv fillestar të Presidentit, nxjerrë më 27 janar, zyrat e Çështjeve Konsullore dhe Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit menjëherë nisën një shqyrtim, në bashkëpunim me Departamentin e Sigurisë Kombëtare, për të gjetur masa të tjera që do të mund të forconin kontrollin e atyre që hyjnë në Shtetet e Bashkuara nga shtatë vendet e përmendura. Këto përpjekje fillestare u përqëndruan në Irak. Iraku është një aleat i rëndësishëm në luftën për të mundur ISIS, dhe ushtarët e tyre trima luftojnë në bashkëpunim të ngushtë me burrat dhe gratë në uniformë të Amerikës.

Ky shqyrtim i thellë përgjatë muajve të kaluar, përcaktoi disa masa sigurie që Departamenti i Shtetit dhe qeveria e Irakut do të zbatojnë për të arritur synimin e përbashkët për të ndaluar të gjithë ata me qëllime kriminale apo terroriste që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Dua të shpreh vlerësimin tim për Kryeministrin iraken al-Abadi për angazhimin e tij pozitiv dhe mbështetjen për zbatimin e këtyre masave. Shtetet e Bashkjuara e mirëpresin këtë bashkëpunim të ngushtë me të gjitha rajonet në botë me cilat ndajmë angazhimin tonë ndaj sigurisë.

Ky urdhër i rishikuar do të përkrahë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.

Sot në mëngjes, informuam Kongresin, shtypin dhe gjatë pasdites do të vazhdojmë të bisedojmë me aktorët kryesorë. Ekspertët nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Shtetit organizuan sot në mëngjes një takim një orësh me median për këtë temë. Ekipet tona të përbashkëta do të vazhdojnë përgjatë ditës të përditësojnë Kongresin, median dhe aktorët kryesorë, për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja.

Tani ia lë vendin Prokurorit të Përgjithshëm për fjalën e tij.