Fjala e Sekretarit te Shtetit John Kerry mbi Situaten ne Siri

Presidenti Obama ka shpenzuar tashmë shumë ditë në konsultime me Kongresin dhe në bisedime me udhëheqës anembanë botës mbi situatën në Siri. Dje në mbrëmje, Presidenti na kërkoi të gjithëve neve në ekipin e tij të sigurisë kombëtare të konsultohemi edhe me udhëheqësit e Kongresit, përfshi drejtuesit e komiteteve të sigurisë kombëtare në Kongres. Na ka kërkuar të konsultohemi lidhur me atë çka dimë lidhur me sulmin e llahtarshëm me armë kimike në rrethinat e Damaskut javën e kaluar. Dua t’ju them se,  si dikush që ka kaluar rreth tri dekada në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, e di që konsultimi është rruga e duhur që një president t’i qaset një vendimi se kur dhe nëse duhet përdorur forca ushtarake. Dhe është me rëndësi që të ngrihen pyetjet e vështira dhe të merren përgjigjet e vështira përpara se të ndërmerren veprime, jo pas.

Unë besoj, ashtu si beson edhe Presidenti Obama, se është po ashtu me rëndësi që kjo të diskutohet drejtpërdrejt me popullin amerikan. Kjo është përgjegjësia jonë, të flasim me qytetarët që na kanë besuar të gjithëve ne në Administratë dhe në Kongres përgjegjësinë për sigurinë e tyre. Prandaj është kaq i rëndësishëm publikimi sot në mëngjes i vlerësimit të paklasifikuar të qeverisë sonë për atë çka ndodhi në Siri. Gjetjet e tij janë aq të qarta sa edhe bindëse. Nuk ju kërkoj të më besoni mua. Cilido që po dëgjon, të lexojë vetë.  Të gjithë ju, lexoni vetë faktet nga mijëra burime, fakte që tashmë janë publike, dhe lexoni vetë vendimin e arritur nga komuniteti ynë i inteligjencës lidhur me sulmin me armë kimike që regjimi i Asadit shkaktoi ndaj opozitës dhe zonave të kontrolluara apo pretenduara nga opozita në rrethinat e Damaskut orët e para të mëngjesit më 21 gusht.

Komuniteti ynë i inteligjencës ka shqyrtuar me kujdes dhe ka rishqyrtuar informacionet lidhur me këtë sulm dhe ju them se e ka bërë këtë duke pasur shumë shumë mirë parasysh përvojën e Irakut. Atë moment nuk do ta përsërisim. Në përputhje me këtë, kemi ndërmarrë hapa të panjohura më parë për të deklasifikuar dhe bërë publike fakte që njerëzit të mund të gjykojnë vetë. Megjithatë, me qëllim që të mbrohen burimet dhe metodat, disa prej gjërave që dimë do t’u jepen vetëm anëtarëve të Kongresit, përfaqësuesve të popullit amerikan. Kjo do të thotë që nuk mund të flasim publikisht lidhur me disa gjëra që i dimë tashmë.

E pra, çfarë është ajo që vërtet dimë dhe për të cilën mund të flasim? Ja, dimë që regjimi i Asadit ka programin më të madh të armëve kimike në të gjithë Lindjen e Mesme. Dimë që regjimi i ka përdorur ato armë disa herë këtë vit dhe i ka përdorur në masë më të vogël, por prapë i ka përdorur kundër popullit të vet, përfshi edhe jo larg vendit ku ndodhi sulmi i së mërkurës së kaluar. Dimë që regjimi ishte specifikisht i vendosur të pastronte rrethinat e Damaskut nga opozita dhe ishte inatosur që nuk ia kishte dalë ta bënte këtë.

Dimë që për tri ditë përpara sulmit, personeli i armëve kimike i regjimit sirian ishin në terren në atë zonë duke u përgatitur. Po ashtu dimë që elementë të regjimit sirian u njoftuan që të përgatiteshin për sulmin duke vendsour maska gazi dhe duke marrë masa që lidhen me armët kimike. Dimë që këto ishin udhëzimet specifike. Dimë se nga ku u lëshuan raketat si dhe në çfarë ore. Dimë se ku ranë në tokë dhe kur. Dimë që raketat dolën vetëm nga zona të kontrolluara prej regjimit dhe iu drejtuan vetëm rrethinave të kontrolluara nga opozita ose të pretenduara.

Po ashtu dimë, ashtu si gjithë bota, që vetëm 90 minuta më pas plasi çdo gjë në median sociale. Me sytë tanë kemi parë mijëra raportime nga 11 vendndodhje të veçanta në rrethinat e Damaskut. Të gjitha tregojnë dhe raportojnë për viktima me vështirësi në frymëmarrje, njerëz me spazma, kollë, rrahje të shpejta zemre, shkumë në gojë, humbje ndjenjash dhe vdekje.

Po ashtu dimë që të gjitha këto llahtare i raportuan qytetarë të zakonshëm sirianë. Po kaq e rendësishme është që dimë atë që mjekët dhe infermieret që i trajtuan nuk e raportuan – as gërvishtje, as plagë nga copa predhash, as prerje, as plagë plumbash. Pamë radhë të vdekurish të rreshtuar në mbulesa varrimi, cohë e bardhë pas asnjë pikë të vetme gjaku. Në vend të fëmijëve të strukur në siguri në krevatet e tyre në shtëpi, pamë radhë fëmijësh të shtrirë krah njëri tjetrit, në një dysheme spitali, të gjithë të vdekur nga gazi i Asadit dhe të rrethuar nga prindër e gjyshër që kishin pësuar të njëjtin fat.

Tani, Qeveria e Shteteve të Bashkuara e di që të paktën 1429 sirianë u vranë në këtë sulm, përfshi të paktën 426 fëmijë. Edhe personeli i stërvitur, mjekët, infermieret, personeli mjekësor që u përpoq t’i shpëtonte, po ashtu ra viktimë. I pamë të vuanin se nuk mbusheshin dot me frymë, të tmerruar që vetë jetët e tyre ishin në rrezik.

Ky është llahtari arbitrar, i pakonceptueshëm i armëve kimike. Kjo është ajo që Asadi i bëri popullit të tij.

Po ashtu, dimë shumë hollësi shqetësuese për periudhën pas. Dimë që një zyrtar i lartë i regjimit që kishte dijeni për sulmin konfirmoi që armët kimike ishin përdorur nga regjimi, kishte shqyrtuar pasojat, dhe në fakt kishte frikë se mos zbuloheshin. Kjo është diçka që e dimë.

Dimë edhe se çfarë bënë më pas. Unë personalisht i telefonova Ministrit të Jashtëm të Sirisë dhe i thashë, “Nëse, siç thoni ju, kombi juaj nuk ka asgjë për të fshehur, atëherë lejoni menjëherë Kombet e Bashkuara të hyjnë dhe jepuni inspektorëve akses të  papenguar në mënyrë që ta tregojnë ata historinë tuaj.” Në vend të kësaj, për katër ditë me radhë, hodhën predha në ato rrethina me qëllim që të fshihnin provat, duke bombarduar bllok pas blloku shtëpitë me një ritëm katër herë më të lartë se sa ai i dhjetë ditëve të mëparshme. Dhe kur inspectorët e OKB-së më në fund morën akses, edhe ky akses, siç e dimë, ishte i kufizuar dhe i kontrolluar.

Në të gjitha këto gjëra që kam radhitur, në të gjitha këto gjëra që dimë, që të gjitha, komuniteti amerikan i inteligjencës ka besim të lartë, besim të lartë. Kjo është logjika. Këto janë provat. Këto janë faktet.

Pra, pyetja e parë nuk është më: Çfarë dimë? Pyetja është: Çfarë do të bëjmë – ne në mënyrë kolektive – për këtë?

Teksa kemi parë stuhi të mëparshme në histori, kur kishim mundësinë të ndalonim krime të pashoqe, na kanë paralajmëruar kundër tundimeve për të bërë një sy qorr. Historia është e mbushur me udhëheqës që kanë paralajmëruar kundër mosveprimit, indiferencës dhe sidomos heshtjes kur kjo ishte gjëja më me rëndësi. Zgjedhjet e bëra kanë pasur pasoja të mëdha dhe zgjedhja jonë sot ka pasoja të mëdha. Është me rëndësi që rreth njëqind vjet më parë, si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj tmerrit të pashoq dhe çnjerëzimit të Luftës së Parë Botërore, bota e qytetëruar ra në një mendje që armët kimike nuk duhej të përdoreshin më kurrë.

Kjo ishte vendosmëria e botës atëherë dhe shënoi rreth një shekull përpjekje për të krijuar një vijë të qartë të kuqe për bashkësinë ndërkombëtare. Është me rëndësi sot që po punojmë si bashkësi ndërkombëtare për të çliruar botën nga armët më të këqia. Prandaj kemi nënshkruar marrëveshje të tilla si Traktati START, Traktati START i Ri, Konventa e Armëve Kimike, të cilat më shumë se 180 vende, përfshi Iranin, Irakun, dhe Libanin i kanë nënshkruar.

Është me rëndësi për sigurinë tonë dhe për sigurinë e aleatëve tanë. Është me rëndësi për Izraelin. Është me rëndësi për miq të ngushtë tanët si Jordania, Turqia, dhe Libani – të gjithë të cilët janë vetëm pak larg Damaskut. Është me rëndësi për të gjithë ata që ndodhen aty ku janë armët kimike siriane. Nëse nuk i vihet fre, mund të shkaktojnë edhe më shumë vdekje dhe shkatërrim ndaj atyre miqve. Dhe është thellësisht e rëndësishme për kredibilitetin dhe interesat e së ardhmes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tanë.

Është me rëndësi sepse shumë vende të tjera, politikat e të cilave i sfidojnë këto norma ndërkombëtare, janë gjithë sy. Duan të shohin nëse Shtetet e Bashkuara dhe miqtë tanë e kemi seriozisht atë që themi. Lidhet drejtpërdrejt me kredibilitetin tonë dhe me nëse vende ende i besojnë Shteteve të Bashkuara kur ato thonë diçka. Po vëzhgojnë për të parë nëse Siria mund t’ia hedhë pas asaj që bëri, sepse pastaj, ndoshta edhe ata mund ta rrezikojnë edhe më shumë botën.

Dhe mos bëni asnjë gabim, në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar dhune ekstremiste sektariane dhe fetare, ajo që zgjedhim të bëjmë apo të mos bëjmë lidhet në mënyra të drejtpërdreja me vetë sigurinë tonë. Disa përmendin rrezikun e të bërit të gjërave, por është mirë të pyesim, cili është rreziku i të mos bërit asgjë?

Është me rëndësi sepse nëse zgjedhim të jetojmë në një botë ku një gangster dhe vrasës si Bashar al-Asadi mund të godasë me gaz mijëra njerëz të popullit të tij pa u ndëshkuar, edhe pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë thanë jo, dhe pastaj bota nuk lëviz gishtin, atëherë sprovat për vendosmërinë tonë nuk do të kenë fund dhe po kështu edhe rreziqet që do të pasojnë prej të tjerëve që besojnë se mund të bëjnë si të duan.

Kjo është me rëndësi edhe përtej kufijve të Sirisë. Ka të bëjë me faktin nëse Irani, i cili vetë ka qenë viktimë e sulmeve me armë kimike, tani do ketë më shumë guxim, në mungesë të veprimit, për të përftuar armë bërthamore. Ka të bëjë me Hezbollahun, Korenë e Veriut, si dhe çdo grup terrorist apo diktator që mund t’i shkojë ndonjëherë në mend të përdorë armë të shkatërrimit në masë. A do të mbajnë mend që regjimit të Asadit iu ndalua përdorimi aktual dhe i ardhshëm i armëve kimike, apo do të kujtojnë që bota bëri sehir dhe krijoi pandëshkueshmëri?

Pra, shqetësimi ynë nuk është thjesht për një tokë që shtrihet oqeane larg. Nuk është për këtë. Shqetësimi ynë për kauzën e popullit të pambrojtur të Sirisë ka të bëjë me zgjedhje që do të ndikojnë drejtpërdrejt rolin tonë në botë dhe interesat tona në botë. Ka të bëjë thellësisht edhe me kush jemi. Ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi vendi që është përpjekur, jo gjithmonë me sukses, por gjithmonë jemi përpjekur të nderojmë një numër vlerash universale rreth të cilave kemi ngritur jetët dhe aspiratat tona. Ky krim kundër ndërgjegjes, ky krim kundër njerëzimit, ky krim kundër parimeve më themelore të bashkësisë ndërkombëtare, kundër normës së bashkësisë ndërkombëtare, për ne ka rëndësi. Ka rëndësi për atë kush jemi. Ka rëndësi për udhëheqësinë dhe kredibilitetin tonë në botë. Miqtë e mi, ka rëndësi nëse nuk bëhet asgjë. Ka rëndësi nëse bota flet për të dënuar dhe pastaj nuk ndodh kurrgjë.

Amerika duhet të ndihet besimplotë dhe mirënjohëse për faktin që nuk jemi vetëm në dënimin që bëjmë, dhe nuk jemi vetëm në vullnetin tonë për të bërë diçka për këtë dhe për të vepruar. Bota po ngre zërin dhe shumë miq janë gati të përgjigjen. Lidhja Arabe është zotuar, citoj, “ta bëjë regjimin sirian të japë llogari plotësisht për këtë regjim.” Organizata e Bashkëpunimit Islamik dënoi regjimin dhe tha se duhet, citoj, “të bëjmë që qeveria siriane të përgjigjet ligjërisht dhe moralisht për këtë krim monstruzo.” Turqia tha se nuk ka dyshim që regjimi është përgjegjës. Aleati ynë më i vjetër, francezët, thanë se regjimi, citoj, “e kreu këtë veprim të tmerrshëm dhe është skandaloze të përdoren armë që komuniteti i ka ndaluar për 90 vitet e fundit në të gjitha konventat ndërkombëtare.” Kryeministri austrialian tha se nuk donte që historia të regjistronte se ne ishim, citoj, “palë në të bërit një sy qorr.”

Pra, tani që dimë këto që dimë, pyetja që duhet të bëjmë të gjithë është: Çfarë do të bëjmë? Më lejoni të theksoj – Presidenti Obama, ne në Shtetet e Bashkuara, ne besojmë në Kombet e Bashkuara. Dhe kemi respekt të madh për inspektorët e guximshëm që duruan zjarrin e hapur nga regjimi dhe pengesa për hetimin e tyre. Por siç ka thënë në mënyrë të përsëritur Ban Ki-moon, Sekretari i Përgjithshëm, hetimi i OKB-së nuk do të konfirmojë se kush i përdori armët kimike. Nuk është ky mandati i hetimit nga OKB-ja. Ata vetëm sa do të konfirmojnë nëse të tilla armë u përdorën. Duke pasur parasysh përkufizimin e mandatit të tyre, OKB-ja nuk mund të na thotë ndonjë gjë që nuk e kemi ndarë me ju sont dhe nuk e dimë tashmë. Dhe për shkak të obstruksionizmit të garantuar rus për çfarëdo veprimi nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të OKB-së, OKB-ja nuk mund të ndezë veprimin e botës ashtu siç duhet të bënte.

Më lejoni të jem i qartë. Ne do të vazhdojmë të flasim me Kongresin, të flasim me aleatët tanë, dhe ç’është më e rëndësishme, të flasim me popullin amerikan. Presidenti Obama do të sigurojë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrim vendimet tona sipas afateve tona bazuar mbi vlerat dhe interesat tona.

Tani, e dimë që pas një decade konflikti, populli amerikan është i lodhur nga lufta. Besomëni që edhe unë, jam po ashtu. Por lodhja nuk na çliron nga përgjegjësia që kemi. Paqja nuk është se vjen thjesht duke e dëshiruar atë. Dhe historia do të na gjykonte të gjithëve jashtëzakonisht ashpër nëse do të bënim një sy qorr ndaj përdorimit të çartur të armëve të shkatërrimit në masë nga një diktator, megjithë paralajmërimet, me gjithë të kuptuarin e përbashkët të denjësisë. Këto janë gjëra që i dimë.

Po ashtu dimë që kemi një President që e bën atë që thotë se do të bëjë. Dhe e ka thënë shumë qartë që çfarëdo vendimi që do të marrë për Sirinë, nuk do të jetë aspak i ngjashëm me Afganistanin, Irakun, apo edhe Libinë. Nuk do të përfshijë ushtarë në tokë. Nuk do të jetë pa afat. Dhe nuk do të marrë përsipër përgjegjësi për një luftë civile që ka kohë që zhvillohet. Presidenti ka qenë i qartë: Çfarëdo vendimi që mund të vendosë të marrë do të jetë një përgjigje e kufizuar dhe e përshtatur për t’u siguruar që do jepet llogari për përdorimin brutal dhe flagrant të armëve kimike nga një despot. Dhe së fundi, së fundi, jemi të përkushtuar – mbetemi të përkushtuar, besojmë se është objektivi parësor – të kemi një proces diplomatik që mund ta zgjidhë këtë nëpërmjet negociatave, sepse e dimë që nuk ka zgjidhje përfundimtare ushtarake. Duhet të jetë politike. Duhet të ndodhë në tryezën e bisedimeve dhe jemi thellësisht të përkushtuar të arrijmë atje.

Pra, kjo është ajo që dimë. Kjo është ajo që tani e dinë edhe anëtarët e Kongresit. Dhe kjo është ajo që populli amerikan duhet të dijë. Ky është thelbi i vendimeve që tani duhen marrë për sigurinë e vendit tonë dhe për premtimin e një planeti ku armët më të urryera të botës të mos përdoren më kurrë kundër njerëzve më të dobët.

Ju faleminderit shumë.