Fjala e së Ngarkuarës me Punë Leyla Moses-Ones në 10-Vjetorin e Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim

Kryetari i Bordit Z. Granoff, Anëtarë të Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Kryebashkiaku Veliaj, Ambasadore Nuland, të ftuar të nderuar.

Në emër të Misionit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe Qeverisë së SHBA, jam e privilegjuar të marr pjesë në këtë festë për 10-vjetorin e Fondit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim. Gëzuar përvjetorin!

Sigurisht, sonte përgëzojmë punën e madhe të Fondit, por kjo është edhe një festë e përfituesve të Fondit. Për më tepër, është një festim i vlerave që Shqipëria dhe Amerika ndajnë, dhe se si këto vlera kanë nxitur rritjen e ekonomisë dhe institucioneve të Shqipërisë: vlera të tilla si puna e palodhur dhe këmbëngulja, shërbimi komunitar, respektimi i trashëgimisë kulturore dhe sipërmarrja.

AADF i përforcon këto vlera duke drejtuar një organizatë që ka një historik të gjatë të nxitjes strategjike të sektorit privat dhe shoqërisë demokratike të Shqipërisë, ndërkohë që në të njëjtën kohë janë të suksesshëm në aspektin tregtar dhe të përgjegjshëm në aspektin social.

AADF ka nxitur ndryshimin për mirë në fusha kyçe të arsimit për zhvillim të qëndrueshëm, sipërmarrjen, zhvillimin e udhëheqësisë, si dhe mbështetjes për turizmin kulturor dhe ekoturizmin. Kjo përqasje e zgjuar e afatgjatë do ta ndihmojë Shqipërinë të vazhdojë drejt synimit për integrim evropian ndërkohë që përmirëson jetën dhe të ardhmen e shqiptarëve të të gjitha moshave.

Dëgjuat këtu mesazhet e mbështetjes dërguar nga tri ish-Presidentë të Shteteve të Bashkuara. Edhe Presidentit Trump i bënë përshtypje arritjet e AADF-së. Ka dërguar një letër me këtë rast. Sonte, kam nderin ta mbyll fjalën time duke jua lexuar atë:

14 tetor 2019

I dërgoj përshëndetjet e mia më të ngrohta Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në 10-vjetorin e tij. Urime për këtë gur kilometrik!

Pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore, Shtetet e Bashkuara mbështetën popujt atje teksa përqafonin liritë e tyre të rigjetura. Falë bujarisë së amerikanëve, u krijuan një numër fondesh zhvillimi të sipëmarrjes për të ndihmuar vendet në tranzicionin e tyre nga komunizmi në kapitalizëm.

Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ishte fondi më i vogël në vendin më të varfër në Evropë. I ngritur në vitin 2009, Fondi funksionon përgjithmonë si dhuratë e popullit amerikan. Tani, ai është organizata më e madhe jofitimprurëse në Shqipëri dhe ka investuar mbi 55 milionë dollar për të kultivuar sipërmarrjen, promovuar arsimin profesional, dhe për të ruajtur trashëgiminë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë.

Me këtë rast, e përgëzoj Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Bordin e tij, personelin e talentuar, dhe partnerët për arritjet tuaja domethënëse. Ju uroj sukses të vazhdueshëm në vitet që vijnë.

Faleminderit.