Fjala e Presidentit Barack Obama mbi Ndryshimin e Klimës

PRESIDENTI:  Faleminderit Xhorxhtaun! Faleminderit shumë. Uluni ju lutem, të gjithë. Njoftimi im i parë sot është të hiqni xhaketat të gjithë. Dhe unë të njëjtën gjë do të bëj. E di që nuk është shumë joshëse.
Sa mirë është të kthehesh në universitet dhe është privilegj për mua të flas nga shkallët e këtij korridori historik që ka mirëpritur presidentë që janë kthyer në Xhorxhtaun, Uashington.

Dua të falënderoj presidentin tuaj, Presidenti DeGioia, i cili është këtu sot. Dua ta falënderoj që na priti. Dua të falënderoj anëtarët e shumtë të kabinetit tim dhe administratës sime. Dua të falënderoj kryetaren Pelosi dhe anëtarët e Kongresit që janë këtu. U jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e tyre.

Dua gjithashtu t’u them faleminderit skuadrës sportive Hoyas që më mirëpritën në këtë rikthim. Ishte e rëndësishme për mua të flisja drejtpërdrejtë me brezin tuaj sepse vendimet që ne marrim tani dhe në vitet që do të vijnë do të kenë ndikim të thellë në botën që do të trashëgoni ju.

Në vigjilje të Krishtlindjes së vitit 1968 astronautët e Apollo 8-s transmetuan drejtpërdrejtë nga orbita hënore. Kështu, Frank Borman-i, Jim Lovell-i, William Anders-i – njerëzit e parë që përshkuan orbitën e hënës – përshkruan atë që panë dhe na lexuan Biblën nga Libri i Zanafillës neve këtu. Më pas atë natë ata bënë një fotografi që na ndryshoi mënyrën se si mendojmë për botën tonë.

Ajo foto ishte një imazh i Tokës – e bukur, mahnitëse, një mermer shkëlqyes oqeanesh blu e pyjesh të gjelbër dhe malesh ngjyrë kafe lyer me re të bardha që ngriheshin mbi sipërfaqen e hënës.
Dhe ndërsa pamja e planetit tonë nga hapësira mund të duket diçka e zakontë sot, e merrni dot me mend si na dukej ne të shikonim shtëpinë tonë, planetin tonë për herë të parë. E merrni dot me mend si u dukej fëmijëve si unë. Edhe vetë astronautët u mahnitën. “Të bën të kuptosh,” thoshte Lovell-i, “ato që ke atje në Tokë.”

Rreth po të njëjtës kohë kur nisëm të eksploronim hapësirën, shkencëtarët po studionin ndryshimet që po ndodhnin në atmosferën e Tokës. Tani, shkencëtarët e kishin ditur që nga vitet 1800 se gazet serë si dioksidi i karbonit bllokojnë nxehtësinë, dhe se djegia e lëndëve djegëse nga fosilet çliron gaze të tilla në ajër.

Ky nuk ishte lajm. Por në fundin e viteve 1950, Shërbimi Kombëtar i Motit nisi të matë nivelet e dioksidit të karbonit në atmosferën tonë, me shqetësimin se nivelet e shtuara mund të prishnin një ditë ekuilibrin delikat që e bën planetin tonë kaq mikpritës. Dhe ajo që kanë zbuluar vit pas viti është se nivelet e ndotjes së karbonit në atmosferën tonë janë rritur në mënyrë dramatike.

Ajo shkencë, e akumuluar dhe rishikuar gjatë dhjetëvjeçarësh me radhë, na tregon se planeti ynë po ndryshon në mënyra që do të kenë ndikim shumë të madh në të gjithë njerëzimin.
12 vitet më të nxehta në histori kanë ndodhur së bashku në periudhën e 15 viteve të fundit. Vitin e kaluar temperaturat në disa zona të oqeanit arritën lartësi rekord dhe akulli në Arktik u zvogëlua në masën më të vogël të regjistruar ndonjëherë – më shpejt se sa e kishin parashikuar shumica e modeleve. Këto janë fakte.

E dimë se asnjë ngjarje e vetme moti nuk shkaktohet vetëm nga ndryshimi i klimës. Thatësira, zjarret dhe përmbytjet, këto kanë qenë të pranishme edhe në kohët e lashta. Por dimë gjithashtu se në një botë më të ngrohtë nga çfarë ishte, të gjitha ngjarjet e motit ndikohen nga ngrohja e planetit. Fakti që niveli i detit në Nju Jork, në Portin e Nju Jorkut, është tani rreth 30 centimetra më i lartë se një shekull më parë – uragani Sendi nuk u shkaktua nga ky fakt, por ky fakt sigurisht që kontribuoi në fatkeqësinë që bëri pjesë të tëra të qytetit tonë më të fuqishëm të mbeteshin në errësirë dhe nën ujë.

Ndikimet e mundshme shkojnë përtej rritjes së nivelit të detit. Këtu në vendin tonë, viti 2012 ishte viti më i ngrohtë në historinë tonë. Fermat e zonës së perëndimit të mesëm u përcëlluan nga thatësira më të tmerrshme që nga  periudha e “Stuhisë së Pluhurit” dhe më pas u përmbytën nga pranvera me e lagësht e parë ndonjëherë. Zjarret e tmerrshme në perëndim përvëluan një zonë më të madhe se sa shteti i Merilendit.

E dimë se kostot e ngjarjeve të tilla mund të maten me jetë dhe mjete jetese të humbura, shtëpi të humbura, biznese të humbura, qindra miliard dollarë për shërbime emergjence dhe ndihme për fatkeqësitë e rëna. Në fakt, ata që janë duke i ndjerë tashmë ndikimet e ndryshimit të klimës nuk kanë kohë t’i mohojnë ato – janë shumë të zënë duke u përballur me to. Punonjësit zjarrfikës po përballojnë me trimëri periudha më të gjata zjarresh; qeveritë e shteteve dhe qeveria federale duhet të gjejnë mënyrën për të programuar buxhet për këtë. Duhet të ulesha në një takim me Departamentin e Punëve të Brendshme dhe Bujqësisë dhe një pjesë të skuadrës sime për të gjetur një mënyrë se si do të paguajmë për stinë zjarri gjithmonë e më të kushtueshme.

Fermerët shikojnë bimët që fishken një vit, vitin tjetër i merr uji përpara dhe ajo që ju merrni, konsumatorët amerikanë, janë çmime më të larta për ushqimet. Komunitetet malore shqetësohen se çfarë ndikimi do të kenë majat më të pakta me borë për turizmin – dhe më tej, familjet në rrëzë të malit shqetësohen se çfarë ndikimi do të ketë kjo te uji i pijshëm për ta. Amerikanët në të gjithë vendin janë duke paguar tashmë çmimin e mosveprimit në pagesat e sigurimit, taksat e shtetit dhe të zonës dhe në koston e rindërtimit dhe të fondit të emergjencës.

Prandaj pyetja nuk është a duhet të veprojmë. Gjykimi i shkencës – i kimisë dhe fizikës dhe miliona matjeve – të gjitha këto e kanë kaluar tashmë atë shqetësim. Nëntëdhjetë e shtatë për qind e shkencëtarëve, përfshirë meqë ra fjala, disa të cilët në fillim i kundërshtuan të dhënat, e kanë kaluar tashmë atë. E kanë pranuar faktin që planeti po ngrohet dhe se në këtë fakt po kontribuon edhe faktori njerëzor.

Pra pyetja tani është në do të kemi kurajën të veprojmë përpara se të jetë shumë vonë. Mënyra se si i përgjigjemi kësaj pyetjeje do të ketë ndikim të madh në botën që do të lëmë pas jo vetëm për ju, por për fëmijët tuaj dhe nipërit e mbesat tuaja.

Si president, si baba dhe si amerikan, jam këtu për të thënë se duhet të veprojmë.
Nuk dua të ndëshkoj brezin tuaj dhe brezat e së ardhmes me një planet që nuk mund të rregullohet më. Dhe prandaj sot deklaroj një plan kombëtar veprimi të ri për klimën dhe jam këtu për të shënuar në listë edhe ndihmën e brezit tuaj për të vazhduar mbajtjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në udhëheqje – si udhëheqës global – në luftën kundër ndryshimit të klimës.

Ky plan është i bazuar në përparimin që kemi bërë deri tani. Vitin e kaluar mora mandatin – vitin që mora detyrën administrata ime u betua të pakësonte çlirimin e gazeve serë të Amerikës, me rreth 17 për qind nga nivelet që kanë pasur në vitin 2005, deri në fund të këtij dhjetëvjeçari. Dhe ne përveshëm mëngët e iu futëm punës. Dyfishuam energjinë që marrim nga era dhe dielli. Dyfishuam hapësirën që mund të bëjnë makinat tona me një galon (afro 3,78 litra) naftë deri në mes të dhjetëvjeçarit tjetër.

Këtu në Xhorxhtaun shpalla strategjinë time për një të ardhme të sigurt për energjinë. Dhe falë zotësisë së bizneseve tona, po fillojmë të prodhojmë gjithmonë e më shumë nga energjia jonë. Po ndërtojmë centralet e para me energji bërthamore në më shumë se tre dhjetëvjeçarë – në Xhorxhia dhe në Karolinën e Jugut. Për herë të parë në 18 vite Amerika është gati të prodhojë më shumë nga nafta që përdorim se sa sasia që blejmë nga vendet e tjera. Dhe sot prodhojmë më shumë gaz natyror se sa kushdo tjetër. Pra ne po prodhojmë energji. Këto përparësi e kanë rritur ekonominë tonë, ato kanë krijuar vende të reja pune, ato nuk mund të transferohen jashtë vendit – dhe, meqë ra fjala, ato kanë ndihmuar gjithashtu në zbritjen e ndotjes nga karboni në nivelet më të ulëta në afro 20 vite. Që prej vitit 2006 asnjë vend në Tokë nuk e ka ulur ndotjen e përgjithshme prej karbonit aq sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pra, ky është një fillim i mirë. Por arsyeja pse jemi të gjithë këtu në këtë kohë të nxehtë sot është se e dimë që kemi akoma për të bërë.
Në fjalimin tim vjetor drejtuar kombit, nxita Kongresin që të gjente një zgjidhje dypartiake, të orientuar drejt tregut për ndryshimin e klimës, si ajo të cilën punuan senatorët republikanë dhe demokratë së bashku disa vite më parë. Akoma dëshiroj që kjo të ndodhë. Jam gati të punoj me këdo që kjo të ndodhë.

Por kjo është sfidë që nuk ndalon përpara bllokadave partiake. Kjo sfidë kërkon vëmendjen tonë tani. Ky është plani im për t’u përballur me të – plan për të pakësuar ndotjen prej karbonit; plan për të mbrojtur vendin tonë nga ndikimet e ndryshimit të klimës; plan për të udhëhequr botën në sulmin e bashkërenduar kundër një klime në ndryshim.
Ky plan nis me pakësimin e ndotjes me karbon duke ndryshuar mënyrën se si përdorim energjinë – duke përdorur më pak energji të papastër, duke përdorur më shumë energji të pastër, duke harxhuar më pak energji në mbarë ekonominë tonë.

Dyzet e tre vjet më parë Kongresi miratoi një ligj të quajtur Akti i Ajrit të Pastër i vitit 1970. Ai ishte ligj i mirë. Arsyetimi përtej tij ishte i thjeshtë: Teknologjia e re mund të mbrojë shëndetin tonë duke mbrojtur ajrin që thithim nga ndotja e dëmshme. Ai ligj kaloi me votë unanime në Senat. Mendojeni pak – kaloi me votë unanime në Senat. U miratua në Dhomën e Përfaqësuesve me raport 375 me 1 vota. Nuk e di kush ishte ai njeri i vetëm – nuk kam kërkuar. Zor se mund të marrësh aq shumë vota për të emërtuar një postë në ditët e sotme.

Ky projektligj u bë ligj nga një president republikan. Më vonë u përforcua nga një tjetër president republikan. Kjo çështje ka qenë dypartiake.
Gjashtë vite më parë Gjykata e Lartë mori vendimin se gazet serë janë ndotës që mbulohen nga i njëjti Akt i Ajrit të Pastër. Kjo Gjykatë i kërkoi Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, EPA-s, të përcaktonte nëse këto përbëjnë kërcënim për shëndetin dhe mirëqenien tonë. Në vitin 2009 EPA përcaktoi se ato janë kërcënim si për shëndetin tonë edhe për mirëqenien në disa mënyra të ndryshme – nga ajri më i ndotur deri te më të zakonshmet valë të të nxehtit – dhe si rrjedhojë, duhet t’i nënshtroheshin rregullores.

Sot rreth 40 për qind e ndotjes nga karboni në Amerikë vjen nga centralet e energjisë. Por, shikoni këtu: Tani nuk ka kufij federalë për sasinë e ndotjes me karbon që mund të nxirret nga ato centrale në ajër. Asnjë. Zero. Ne kufizojmë sasinë e lëndëve kimike helmuese si mërkuri, sulfuri dhe arseniku në ajër dhe në ujë, por centralet e energjisë mund të hedhin në ajër sasi të pakufizuara ndotjeje me karbon pa kosto. Kjo nuk është e drejtë, kjo nuk është e sigurt dhe duhet të ndalojë.
Pra sot, për hir të fëmijëve tanë dhe të shëndetit dhe sigurisë së gjithë amerikanëve, i them Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit t’i japë fund hedhjes pa kufi të ndotjes me karbon nga centralet tona të energjisë dhe të plotësojë standarde të reja për ndotjen si për centralet ekzistuese dhe ato të reja bërthamore.

I them gjithashtu EPA-s t’i krijojë këto standarde në mënyrë të hapur dhe transparente, të krijojë fleksibilitet për shtetet e ndryshme me nevoja të ndryshme, dhe të bazohet në udhëheqjen e shumë shteteve, qyteteve dhe kompanive që kemi parë deri tani. Në fakt, shumë kompani energjie kanë nisur modernizimin e centraleve të tyre dhe kanë krijuar punë të reja në këtë proces. Të tjerat kanë kaluar në djegie gazi natyror më të pastër në vend të burimeve djegëse më të papastra.
Rreth 12 shtete kanë zbatuar tashmë ose janë duke zbatuar programet e tyre me orientim tregu për pakësimin e ndotjes me karbon. Më shumë se 25 shtete kanë vendosur synime për efikasitet energjie. Më shumë se 35 kanë vendosur synime për energji të rinovueshme. Mbi 1.000 kryetarë bashkish kanë firmosur marrëveshje për pakësimin e ndotjes me karbon. Pra ideja e vendosjes së standardeve më të larta për ndotjen për centralet tona të energjisë nuk është e re. Ka ardhur koha që Uashingtoni të kapë ritmin e pjesës tjetër të vendit. Këtë synojmë të bëjmë.

Do të dëgjoni nga grupe interesash dhe aleatë të tyre ne Kongres se kjo gjë do të heqë mundësi pune dhe do të dërrmojë ekonominë dhe në thelb do t’i japë fund sipërmarrjes së lirë amerikane siç e njohim ne. Arsyeja pse e di që do të dëgjoni këto gjëra është se kështu kanë thënë sa herë Amerika vendos rregulla të qarta dhe standarde më të mira për ajrin tonë dhe shëndetin e fëmijëve tanë. Dhe çdo herë kanë qenë të gabuar.

Për shembull, në vitin 1970 kur vendosëm nëpërmjet Aktit për Ajër të Pastër të bënim diçka për smogun që po mbyste qytetet tona – dhe, meqë ra fjala, shumica e të rinjve këtu nuk mund ta mbajnë mend si ndodhi për shkak të moshës së re, por kur shkoja në shkollë në vitin 1979-1980 në Los Anxheles kishte ditë kur njerëzit nuk dilnin dot jashtë. Dhe perëndimet ishin të mahnitshme për shkak të gjithë asaj ndotjeje në ajër.

Por në kohën kur miratuam Aktin e Ajrit të Pastër duke u përpjekur të hiqnin qafe një pjesë të këtij smogu, disa prej të njëjtëve parashikues fatalistë thoshin se standardet e reja të ndotjes do të shkatërronin industrinë automobilistike. E dini çfarë – nuk ndodhi kjo gjë. Ajri u bë më i pastër.

Në vitin 1990, kur vendosëm të bënim diçka për shiun acid, ata thanë se do të rriteshin faturat tona të energjisë, do të fikeshin dritat, do të vuanin bizneset anekënd vendit – citoj – “vdekje e heshtur.” Asgjë prej këtyre nuk ndodhi, përveçse pakësuam shiun acid në mënyrë dramatike.
E shikoni, problemi me të gjitha këto shfajësime të lodhura për mosveprim është se sugjerojnë mungesë thelbësorë besimi në biznesin amerikan dhe zotësinë amerikane. Këta kritikë duket sikur mendojnë se kur u kërkojmë bizneseve të rinovohen dhe pakësojnë ndotjen dhe të udhëheqin, ata nuk mund ta bëjnë ose nuk do ta bëjnë. Ata do të hiqnin dorë dhe do të ndalonin. Por, e dimë se në Amerikë kjo nuk është e vërtetë. Shikoni historinë tonë.

Kur kufizuam lëndët kimike që shkaktonin kancer në materiale plastike dhe në karburantet me plumb në makinat tona, nuk i dhamë fund industrisë së plastikës ose karburanteve. Kimistët amerikanë nxorën zëvendësues më të mirë. Kur zhdukëm CFC-të – gazet që po sosnin shtresën e ozonit – nuk u dhamë fund frigoriferëve, kondicionerëve apo deordoranteve. Punonjësit dhe bizneset amerikane gjetën mënyrën si t’i bënin këto më mirë pa dëmtuar mjedisin aq shumë.
Standardet e karburanteve që vendosëm pak vite më parë nuk gjymtuan prodhuesit e automobilave. Industria automobilistike amerikane u përshtat dhe sot këta prodhues autosh po shesin makinat më të mira në botë në shkallë më të lartë se sa ka ndodhur në pesë vite – me më shumë makina hibride, me efikasitet karburanti për këdo që të zgjedhë.

Pra thelbi është, nëse shikoni historinë tonë, mos vini bast kundër industrisë amerikane. Mos vini bast kundër punonjësve amerikanë. Mos u thoni njerëzve që duhet të zgjedhim mes shëndetit të fëmijëve tanë dhe shëndetit të ekonomisë sonë.
Rregullat e vjetra mund të thonë që nuk mund të mbrojmë mjedisin tonë dhe të nxisim rritjen ekonomike në të njëjtën kohë, por në Amerikë, gjithmonë kemi përdorur teknologji të reja – kemi përdorur shkencën; kemi përdorur kërkimet dhe zhvillimet dhe zbulimet për t’i nxjerrë jashtë mode rregullat e vjetra.

Sot përdorim më shumë energji të pastër – më shumë të rinovueshme dhe gaz natyror – gjë që mbështet qindra mijëra punë të mira. Harxhojmë më pak energji, gjë që ju kursen para në ndotje dhe në xhepa. Dhe e dini se çfarë – ekonomia jonë është 60 për qind më e madhe se sa ka qenë 20 vjet më parë, ndërsa çlirimet e karbonit janë afërsisht në nivelet ku kanë qenë 20 vjet më parë.
Pra, nga sa duket, ne mund t’ia gjejmë anën dhe kësaj. Nuk është çështje ose/ose; por edhe/edhe. Duhet të kujdesemi për fëmijët tanë; duhet të kujdesemi për të ardhmen tonë; dhe duhet të rritim ekonominë e krijojmë punë. Mund t’i bëjmë të gjitha këto për sa kohë nuk i frikemi së ardhmes; por ne e kapim të ardhmen.

Meqë ra fjala, mos u mbani vetëm te fjala ime për këtë – kohët e fundit më shumë se 500 biznese, përfshirë gjigandë si GM dhe Nike, nxorën një Deklaratë Klime, ku e quanin veprimin mbi ndryshimin e klimës “një nga mundësitë e shkëlqyera ekonomike të shekullit të 21-të.” Walmart-i po punon për të ulur ndotjen prej karbonit me 20 për qind dhe të kalojë tërësisht në përdorim energjie të rinovueshme. Walmart-i meriton një brohoritje për këtë. Por mendohuni. A do ta bënte një gjë të tillë kompania më e madhe, tregtuesi më i madh me pakicë në Amerikë – a do ta bënin ata një gjë të tillë nëse nuk do ishte e mirë për biznesin, nëse nuk do të ishte e mirë për aksionerët e tyre?

Energjia e pastër me nivel të ulët karboni mund të jetë motorr rritjeje për dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Unë dua që Amerika ta ndërtojë atë motorr. Dua që Amerika ta ndërtojë atë të ardhme – pikërisht këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është detyra jonë.
Ka diçka që dua të sigurohem se e kuptojnë të gjithë – kjo nuk do të thotë se menjëherë do të ndalojmë prodhimin e karburëve fosile. Ekonomia jonë nuk do të funksiononte shumë mirë nëse bëhej kjo. Dhe kalimi drejt një ekonomie me energji të pastër kërkon kohë. Por, kur parashikuesit fatalistë lëshojnë paralajmërimet e vjetra se këto ambicie do të lëndojnë në njëfarë mënyre furnizimin tonë me energji, thjesht kujtojuni atyre se Amerika ka prodhuar më shumë naftë nga sa kemi prodhuar në 15 vjet. E vërteta është se nuk mundemi thjesht të hapim rrugën për të dalë nga energjia dhe sfida klimatike me të cilën përballemi. Kjo nuk është e mundur.

Në të kaluarën kam shpalosur një strategji energjie me të gjitha ato që janë përmendur më sipër, por strategjia jonë e energjisë duhet të merret me më shumë se sa thjesht të prodhohet më shumë naftë. Dhe, meqë ra fjala, kjo strategji sigurisht duhet të jetë për më shumë se sa ndërtimin e një tubacioni.

E di që ka pasur, për shembull, shumë diskutime në lidhje me propozimin e ndërtimit të një tubacioni, tubacioni Kyç që do të sjellë naftë nga tokat me rërë bitumi të Kanadasë për në rafineritë në Gji. Departamenti i Shtetit po kalon fazat përfundimtare të vlerësimit të propozimit. Kështu është bërë gjithmonë. Por dua të jem i qartë: Te lejohet ndërtimi i tubacionit Kyç kërkon të zbulohet se bërja e kësaj do të ishte në interes të kombit tonë. Dhe interesi ynë kombëtar do të shërbehet vetëm nëse ky projekt nuk e rëndon konsiderueshëm problemin e ndotjes me karbon. Efekti neto i ndikimit të tubacionit në klimën tonë do të jetë veçanërisht kritik për përcaktimin nëse ky projekt lejohet të përparojë apo jo. Është e lidhur kjo punë.

Edhe ndërsa prodhojmë më shumë naftë brenda vendit, prodhojmë gjithashtu më shumë gaz natyror me djegie më të pastër se sa çdo vend tjetër në Tokë. Përsëris se ndonjëherë ka debate për gazin natyror, por më lejoni të them këtë: Ne duhet të forcojmë pozicionin tonë si prodhuesit kryesorë të gazit natyror sepse, së paku në afat të mesëm, ky jo vetëm që siguron energji të sigurt dhe të lirë por mund të ndihmojë gjithashtu në pakësimin e karbonit që çlirojmë.
Teknologjia e mbështetur në nivel federal ka ndihmuar bizneset tona të gërmojnë me më shumë efikasitet dhe të nxjerrin më shumë gaz. Dhe tani, ne do të vazhdojmë të punojmë me industrinë për ta bërë gërmimin më sigurt e më të pastër, për të siguruar se nuk do të shikojmë çlirime metani, dhe t’i vëmë njerëzit në punë për modernizimin e infrastrukturës sonë të gazit në mënyrë që të furnizojmë më shumë shtëpi dhe biznese me energji më të pastër.

Pika kryesore është se gazi natyror po krijon vende pune. Ai po ul faturat e ngrohjes dhe energjisë për shumë familje. Ai është gjithashtu karburanti tranzicioni që mund të fuqizojë ekonominë tonë me më pak ndotje karboni ndërsa bizneset tona punojnë për të zhvilluar dhe më pas shpërndarë më shumë nga teknologjia e kërkuar për ekonominë me energjinë akoma më të pastër në të ardhmen.
Kjo më sjell te mënyra e dytë që do të përdorim për të pakësuar ndotjen me karbon – duke përdorur më shumë energji të pastër. Gjatë katër viteve të fundit kemi dyfishuar energjinë elektrike që marrim nga energjia e erës dhe diellit me karbon zero. Kjo do të thotë vende pune – punë në prodhimin e turbinave të erës që do të prodhojnë energji të mjaftueshme elektrike për të fuqizuar rreth 15 milion shtëpi; punë për të instaluar panelet diellore që tani prodhojnë katër herë më shumë energji me më pak kosto se sa shumë pak vite më parë.

E di që disa republikanë në Uashington nuk i duan këto punë, por ata që e mendojnë këtë bëjnë mirë të marrin në telefon në zonat e tyre – sepse 75 për qind e gjithë energjisë së erës në këtë vend nxirret në zona republikane. Kjo mund të shpjegojë se pse vitin e kaluar guvernatorët republikanë në Kansas, Oklahoma dhe Aiova – Aiova, meqë ra fjala, një shtet që shfrytëzon rreth 25 për qind të energjisë së tij nga era – na ndihmuan në luftën për shtimin e shpërblimit në taksa për energjinë e prodhuesit e energjisë së erës. Dhjetëra mijëra punë të mira prisnin në radhë dhe ia vlente beteja për to.
Vende si Kina dhe Gjermania po hyjnë të gjitha në garën për energji të pastër. Besoj se amerikanët i ndërtojnë gjërat më mirë se kushdo tjetër. Dua që Amerika ta fitojë këtë garë, por nuk mund ta fitojmë dot nëse nuk hyjmë në të.

Prandaj, plani që shpall sot do të na ndihmojë të dyfishojmë sërish energjinë tonë nga era dhe dielli. Sot i kërkoj Departamentit të Punëve të Brendshme t’u japë dritën jeshile kapaciteteve të mjaftueshme të energjisë private të rinovueshme në toka publike për të ndriçuar më shumë se 6 milion shtëpi deri në vitin 2020.
Departamenti i Mbrojtjes – konsumatori më i madh i energjisë në Amerikë – do të instalojë 3 gigavat energji të rinovueshme në bazat e tij, të cilat prodhojnë thuajse të njëjtën sasi energjie elektrike në vit sa merret nga djegia e 3 milion ton qymyri.

Për shkak se miliarda nga dollarët prej taksave tuaja vazhdojnë të subvencionojnë disa prej korporatave më fitimprurëse në historinë e botës, buxheti im dhe njëherë i kërkon Kongresit t’u japë fund përjashtimeve nga taksat për kompanitë e mëdha të naftës dhe të investojë për kompanitë për energji të pastër që do të fuqizojnë të ardhmen tonë.

Mënyra e tretë për të ulur nivelin e ndotjes nga karboni është të shpenzohet më pak energji – me makinat tona, shtëpitë tona, bizneset tona. Standardet e karburanteve që kemi vendosur vitet e fundit nënkuptojnë se nga mesi i dhjetëvjeçarit tjetër makinat dhe kamionët që blejmë do të shkojnë dy herë më larg me një galon (rreth 3,78 litra) gaz. Kjo do të thotë se do t’ju duhet të furnizoheni më rrallë se më parë; të gjithë do ta pakësojmë ndotjen nga karboni. Dhe mbi këtë sukses vazhdojmë duke vendosur standardet e para të vëna ndonjëherë për kamionët e shërbimit të rëndë dhe autobusët e furgonët. Në muajt e ardhshëm do të bëjmë partneritet me prodhuesit e kamionëve për ta përsëritur këtë për brezin tjetër të mjeteve.

Ndërkohë, energjia që përdorim në shtëpitë dhe bizneset tona si edhe në fabrika, shkollat tona, spitalet tona – kjo është përgjegjëse për rreth një të tretën e gazeve serë. Lajmi i mirë është i thjeshtë përmirësimet nuk bëjnë thjesht uljen e ndotjes; ato u japin punë njerëzve – prodhimi dhe instalimi i dritave, dritareve, ndjesorëve dhe pajisjeve smart. Kursimet shfaqen vetë në faturat tona të energjisë çdo muaj – përgjithmonë. Prandaj kemi vendosur standarde të reja energjie për pajisje si frigoriferët dhe pjatalarëset. Sot, bizneset tona po ndërtojnë gjëra më të mira akoma që do të ulin ndotjen nga karboni dhe do të pakësojnë faturat e energjisë për klientët me qindra miliard dollarë.
Kjo do të thotë, meqë ra fjala, se qeveria jonë federale duhet gjithashtu të jetë shembull duke udhëhequr. Jam krenar që agjencitë federale kanë ulur çlirimin e gazeve serë me më shumë se 15 për qind që kur unë mora këtë detyrë. Por mund të bëjmë më mirë se kaq. Prandaj sot po vendos një synim të ri: Qeveria juaj federale do të konsumojë 20 për qind të energjisë së saj nga burime të rinovueshme brenda shtatë viteve të ardhshme. Do ta vendosim këtë objektiv.

Do të inkurajojmë gjithashtu kapitalin privat të dalë nga vijat anësore dhe të hyjë në këto investime që kursejnë energjinë. Deri në fund të dhjetëvjeçarit tjetër, këto standarde të kombinuara efikasiteti për pajisje dhe ndërtesa federale do të ulin ndotjen nga karboni me së paku 3 miliard ton. Kjo sasi është e barabartë me atë që çliron i gjithë sektori ynë i energjisë në afro gjysmë viti.
E di që këto standarde nuk tingëllojnë aq joshëse, por mendojeni kështu: Kjo është e barasvlershme me mbjelljen e 7,6 miliard pemëve dhe lënien e tyre të rriten për 10 vjet – e gjithë kjo ndërsa lan enët. Është shumë dhe duhet ta bëjmë këtë.

Prandaj përdorimi i më pak energjie të papastër, kalimi drejt burimeve më të pastra të energjisë, ulja e shpenzimit të energjisë nëpërmjet ekonomisë sonë janë gjërat që duhet të arrijmë. Dhe ky plan do të na çojë atje më shpejt. Por dua të jem i sinqertë – nuk do të na çojë brenda natës. E vërteta e rëndë është se ndotja nga karboni është grumbulluar në atmosferë për dekada me radhë. Edhe nëse ne amerikanët bëjmë pjesën tonë, planeti do të vazhdojë të ngrohet ngadalë edhe për ca kohë në të ardhmen. Niveli i deteve do të vazhdojë ngadalë të rritet dhe stuhitë do të bëhen më të ashpra, bazuar në shkencë. Është si të shtypësh frenat e makinës përpara se ta ndalosh plotësisht dhe më pas mund të ndërrosh marshet për të bërë prapa. Do të duhet kohë që të stabilizohen çlirimet e karbonit.

Ndërkohë, do të na duhet të përgatitemi. Prandaj dhe ky plan do të mbrojë gjithashtu sektorë kritikë të ekonomisë sonë dhe do të përgatisë Shtetet e Bashkuara për ndikimet e ndryshimit të klimës që nuk mund të shmangen dot. Shtetet dhe qytetet në mbarë vendin kanë marrë përgjegjësi tashmë të marrin nismën e përgatitjes. Miami Beach (Plazhi i Majemit) po e mbron furnizimin me ujë duke filtruar ujin e kripur. Ne po punojmë në partneritet me shtetin e Floridës për të ruajtur sistemin e shpërndarjes së ujit të pijshëm të Floridës – Pellgishten. (The Everglades)

Legjislatura masivisht republikane në Teksas votoi të shpenzonte para për një bankë të re zhvillimi uji pasi një thatësirë afatgjatë hoqi vende pune dhe detyroi qytetin të sillte ujin me bote nga jashtë.

Nju Jorku po përforcon bregdetin e tij prej rreth 840 mijë kilometra si politikë sigurimi kundër stuhive më të shpeshta dhe më të kushtueshme. Ajo që mësuam nga uragani Sendi dhe fatkeqësi të tjera natyrore është se duhet të ndërtojmë infrastrukturë më të zgjuar, më të qëndrueshme që të na mbrojë shtëpitë dhe bizneset dhe t’u bëjë ballë stuhive më të fuqishme. Kjo do të thotë diga më të forta, barriera natyrore, sisteme energjie më të fuqishme, sisteme ujësjellësi më të regjura, furnizues karburanti më të kalitur.

Kështu buxheti që i dërgova Kongresit përfshin fonde për të mbështetur komunitetet që ndërtojnë këto projekte, dhe ky plan u kërkon agjencive federale të sigurojnë se çdo projekt i ri i financuar me paratë e taksapaguesve do të ndërtohet për t’i bërë ballë rreziqeve të shtuara të përmbytjeve.

Do të bëjmë partneritet me komunitetet që kërkojnë ndihmë në përgatitjet për thatësira dhe përmbytje, të ulin rrezikun e zjarreve të ashpra, mbrojnë dunat dhe ligatinat që luajnë rol dyfish si hapësira të gjelbra dhe si barriera natyrore për stuhitë. Do të bëjmë gjithashtu të hapura për publikun të dhënat tona për klimën dhe imazhet e NASA-s për klimën, për të siguruar se qytetet dhe shtetet do ta matin rrezikun sipas skenarëve të ndryshme klimatike në mënyrë që të mos harxhojmë para për të ndërtuar struktura që nuk i bëjnë dot ballë stuhisë së ardhshme.
Pra, këto do të bëjë administrata ime për të mbështetur punën që është tashmë duke u kryer anekënd Amerikës, jo vetëm për të ulur ndotjen nga karboni, por edhe për të mbrojtur veten nga ndryshimi i klimës. Por, siç mendoj se e kupton gjithkush këtu, asnjë komb nuk e përballon dot i vetëm këtë sfidë – as edhe një aq i fortë sa ne. Prandaj pjesa e fundit e planit tonë kërkon që Amerika të udhëheqë – të udhëheqë përpjekjet ndërkombëtare për të luftuar ndryshimin e klimës.

Dhe mos bëni gabim – bota akoma i ka sytë nga Amerika për të udhëhequr. Kur fola me të rinjtë në Turqi pak vite më parë, pyetja e parë që më bënë nuk kishte të bënte me sfidat që përballet ajo pjesë e botës. Ishte për sfidën e klimës, me të cilën përballemi të gjithë dhe rolin e Amerikës në shqyrtimin e kësaj sfide. Pyetja ishte e drejtë sepse si ekonomia më e madhe e botës dhe çliruesit e dytë të karbonit në botë, si vend me mundësi të pakapërcyeshme për të nxitur risi dhe zbulime shkencore, si vendi ku njerëzit anekënd botës i hedhin sytë në kohë krize, kemi rol jetësor për të luajtur. Nuk mund të rrimë në anë. Kemi përgjegjësi të veçantë. Hapat që unë përshkrova sot tregojnë se ne jemi gati t’i përgjigjemi asaj përgjegjësie.

Edhe pse e gjithë ndotja prej karbonit e Amerikës ra vitin e kaluar, ndotja globale prej karbonit u rrit në lartësi rekord. Ky është problem. Vendet në zhvillim përdorin gjithmonë e më shumë energji dhe dhjetëra milion njerëz që po hyjnë në klasën e mesme globale natyrisht duan të blejnë makina dhe kondicionerë, ashtu si edhe ne. Nuk u vëmë dot faj atyre për këtë. Dhe kur flet me vendet e varfra, ata thonë, epo dhe ju i keni kaluar këto faza zhvillimi – pse të mos i kalojmë dhe ne?
Por, ajo që duhet gjithashtu të kuptojmë është se këto vende janë pikërisht ato që janë më të prekshme nga ndikimet e ndryshimit të klimës se sa ne. Ata nuk kanë mjaftueshëm për të humbur, ata kanë më shumë për të humbur.

Vendet në zhvillim me disa nga nivelet më të shpejta të rritjes së ndotjes së karbonit do të duhet të marrin masa për t’u përballur me këtë sfidë përkrah nesh. Ata po shikojnë se çfarë bëjmë ne por duhet të sigurohemi se dhe ata do të afrohen për të luftuar. Ne konkurojmë me ta për biznesin por e ndajmë dhe planetin me ta. Dhe të gjithëve na duhet t’i vëmë shpatullat kësaj përgjegjësie për ta ruajtur planetin si vend të banueshëm, përndryshe do të vuajmë pasojat – së bashku.
Prandaj për të ndihmuar më shumë vende në kalimin drejt burimeve më të pastra të energjisë dhe për t’i ndihmuar ata ta bëjnë këtë sa më shpejt, do të punojmë në partneritet me sektorin tonë privat për të zbatuar njohuri teknologjike në lidhje me sektorin privat që çojnë drejt përdorimit të gazit natyror. Kemi vënë në lëvizje miliarda dollarë në kapital privat për projekte energjie të pastër në mbarë botën.
Sot unë po bëj thirrje për t’i dhënë fund financimit me fonde publike të ndërtimit të centraleve të reja me qymyr jashtë vendit nëse ato nuk përdorin teknologji që thith karbonin, ose përndryshe nuk ka mënyrë tjetër të suksesshme për vendet e varfra të prodhojnë energji elektrike. Inkurajoj edhe vendet e tjera t’i bashkohen këtyre përpjekjeve.
Po i ngarkoj administratës sime të hapë negociata drejt tregtisë së lirë globale në mallra dhe shërbime mjedisi, përfshirë teknologji për energji të pastër, për të ndihmuar sa më shumë vende të kapërcejnë fazën e papastër të zhvillimit dhe t’i bashkohen ekonomisë globale me sasi të ulët karboni. Nuk është nevoja që ato të përsërisin gabimet e njëjta që kemi bërë ne.

Kemi rritur gjithashtu bashkëpunimin tonë për klimën me ekonomi te reja në lindje si India dhe Brazili dhe Kina – çliruesi numër një i botës. Kështu, për shembull në fillim të këtij muaji Presidenti Xi i Kinës dhe unë arritëm një marrëveshje të rëndësishme për të ulur gradualisht prodhimin dhe konsumin e hidrofluorokarboneve të rrezikshme dhe synojmë të ndërmarrim më shumë hapa së bashku në muajt e ardhshëm. Kjo do të sjellë ndryshim. Është hap i rëndësishëm në uljen e çlirimit të karbonit.
Dhe së fundmi, administrata ime do të ridyfishojë përpjekjet për të angazhuar partnerët tanë ndërkombëtarë për arritjen e një marrëveshjeje të re globale për të ulur ndotjen nga karboni nëpërmjet masave konkrete.
Katër vjet më parë në Kopenhagen të gjitha vendet kryesore ranë dakord, për herë të parë, të kufizojnë ndotjen prej karbonit deri në vitin 2020. Dy vite më parë vendosëm të bënim një marrëveshje të re përtej vitit 2020 që do t’i përshtatej të gjitha vendeve, jo vetëm atyre të zhvilluara.

Ajo që na duhet është një marrëveshje ambicioze – sepse këtë kërkon shkalla e sfidës. Na nevojitet një marrëveshje përfshirëse – sepse secili vend duhet të luajë pjesën e vet. Na duhet gjithashtu një marrëveshje fleksibël – sepse vende të ndryshme kanë nevoja të ndryshme. Dhe nëse bëhemi bashkë që ta bëjmë si duhet këtë, mund të përkufizojmë një të ardhme të qëndrueshme për brezin tuaj.
Pra ky është plani im. Veprimet që kam paraqitur sot duhet të dërgojnë sinjal të fortë në botë se Amerika synon të hedhë hapin guximtar për të ulur ndotjen prej karbonit. Do të vazhdojmë të udhëheqim me fuqinë e shembullit tonë sepse këtë kanë bërë gjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jam i bindur se kjo është beteja që Amerika mund, dhe do të udhëheqë në shekullin e 21-të. Dhe jam i bindur se kjo është beteja që Amerika duhet të udhëheqë. Por do të duhet që secili prej nesh të bëjë pjesën e vet. Do të na duhen shkencëtarë që projektojnë karbure të reja, do të na duhen gjithashtu fermerë që rrisin karbure te reja. Do të na duhen inxhinierë të krijojnë teknologji të reja dhe do të na duhen biznese që bëjnë dhe shesin këto lloj teknologjish. Do të na duhen punonjës për të vënë në punë linjat e montimit që gumëzhijnë me teknologji të larta, përbërës me çlirim karboni zero, por do të na duhen gjithashtu ndërtues për të ngulitur themelet për një epokë të re me energji të pastër.
Do të na duhet t’u kushtojmë vëmendje të veçantë popujve dhe komuniteteve që nuk janë të vendosur për këtë kalim – jo vetëm këtu në Shtetet e Bashkuara por në mbarë botën. Dhe për ata ndër ne në pozicione përgjegjësie do të na duhet të shqetësohemi më pak për gjykimin e interesave të veçanta dhe dhuruesit me lidhje të mira, e ta kthejmë këtë vëmendje më tepër drejt gjykimit të brezave të ardhshëm. Sepse ju dhe fëmijët tuaj, dhe fëmijët e fëmijëve tuaj, do të duhet të jetoni me pasojat e vendimeve tona.

Siç e thashë më parë, ndryshimi i klimës është kthyer në çështje partiake, por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Jo shumë kohë më parë republikanët udhëhoqën rrugën për politika të reja dhe risi për të zgjidhur këto probleme. Richard Nixon-i hapi EPA-n. George H.W. Bush-i deklaroi – i pari president i SHBA-së që deklaroi – “aktivitetet njerëzore po ndryshojnë atmosferën në mënyra të pamenduara e pa ndodhura më parë.” Dikush që nuk i shmanget asnjëherë sfidës, John McCain-i, prezantoi një draft me orientim tregu nxitës për uljen e ndotjes prej karbonit.

Gruaja që kam zgjedhur si përgjegjëse e EPA-s, Gina McCarthy, ajo ka punuar – është e mrekullueshme. Gina ka punuar për EPA-n gjatë administratës sime, por ka punuar gjithashtu me pesë guvernatorë republikanë. Ka një histori të gjatë pune me drejtues biznesesh dhe industrish për të krijuar zgjidhje të logjikshme. Fatkeqësisht, ajo po pengohet në Senat. Ka muaj që është bllokuar atje, e detyruar të bëjë gjëra që nuk duhet t’i bëjë asnjë kandidat kabineti – jo sepse nuk ka kualifikimet, por sepse ka shumë në partinë republikane tani që mendojnë se Agjencia Për Mbrojtjen e Mjedisit nuk ka punë të mbrojë mjedisin tonë nga ndotja prej karbonit. Senati duhet ta miratojë atë pa pengesa e vonesa të mëtejshme.

Por më gjerësisht, duhet të kapërcejmë politikat partiake në këtë çështje. Dua të jem i qartë – jam gati të punoj me këto – republikanë, demokratë, të pavarur, libertarianë, ambjentalistë –këdo- për të luftuar këtë kërcënim në emër të fëmijëve tanë. Jam i hapur ndaj të gjitha llojeve të ideve të reja, ndoshta ideve më të mira, për të siguruar se përballemi me ndryshimin e klimës në mënyrë që premton punë dhe rritje.

Askush nuk ka monopol në probleme të vështira, por nuk kam shumë durim për këdo që mohon faktin se kjo sfidë është e vërtetë. Nuk kemi kohë për takim të Shoqërisë së Tokës së Sheshtë. Futja e kokës në rërë mund t’ju bëjë të ndjeheni më të sigurt, por kjo nuk ju mbron nga stuhia që po vjen. Dhe së fundmi, si popull, shoqëri dhe si vend do të gjykohemi mbi atë që do të bëjmë nga ky moment.

Themeluesit tanë besuan se ata mes nesh në pozita pushteti janë zgjedhur për të shërbyer si ruajtës të së tashmes, por edhe si kujdestarë të së ardhmes. Dhe na kanë ngarkuar të marrim vendime me një sy në horizontin më të gjerë se sa shtrirja e karrierave tona politike. Këtë pret populli amerikan. Këtë meritojnë ata.

Dhe një ditë fëmijët tanë, dhe fëmijët ë fëmijëve tanë, do të na shikojnë në sy dhe do të na pyesin, a bëmë gjithçka mundëm kur e patëm mundësinë të përballeshim me këtë problem për t’u lënë atyre një botë më të pastër, të sigurt dhe më të qëndrueshme? Unë dua të kem mundësinë të them po, e bëmë këtë. A nuk e doni dhe ju këtë?

Amerikanët nuk janë popull që shikojnë mbrapa; ne jemi popull që shikojmë përpara. Ne nuk jemi popull që friket nga ajo që mban e ardhmja, ne e formojmë të ardhmen. Ajo që na nevojitet në këtë betejë janë qytetarë që ngrihen, flasin dhe na detyrojnë të bëjmë atë që kërkon ky çast.

Duhet të kuptoni që kjo nuk është vetëm punë për politikanë. Prandaj do të kem nevojë për të gjithë ju të ndërgjegjësoni shokët tuaj, kolegët tuaj, prindërit tuaj, miqtë tuaj. Tregojuni se çfarë rrezikohet. Flisni në takimet në bashki, grupet në kisha, në takimet mes prindërve dhe mësuesve. Largojeni keqinformimin. Ngrini zërin për faktet. Zgjeroni rrethin e atyre që janë të gatshëm të ngrihen për të ardhmen.
Bindini ata që janë në pushtet të pakësojnë ndotjen prej karbonit. Nxisni komunitetet tuaja të përvetësojnë praktika më të mençura. Investoni. Hiqni pushtetin. Kujtojuni njerëzve që nuk ka kundërshti mes mjedisit të shëndetshëm dhe rritjes së fortë ekonomike. Dhe kujtojuni të gjithëve atyre që ju përfaqësojnë në të gjitha nivelet e qeverisjes se mbrojta e brezave të ardhshme kundër rrënimit të ndryshimit të klimës është kërkesë paraprake për votën tuaj. Bëjeni zërin tuaj të dëgjohet në këtë çështje.

E kuptoj që politikat do të jenë të ashpra. Sfida që duhet të pranojmë nuk do të na shpërblejë me një çast të qartë fitoreje. Nuk ka ushtri për të mposhtur. Nuk ka traktat paqeje për të nënshkruar. Kur presidenti Kenedi tha se do të shkonim në hënë brenda dhjetëvjeçarit, e dinim që do të ndërtonim anije kozmike dhe do të realizonim synimin. Përparimi ynë këtu do të matet ndryshe – me shmangie krizash, me ruajtjen e planetit. Por a mund të imagjinoni ndonjë qëllim më të vlefshëm? Edhe pse mund të mos jetojmë derisa të shikojmë realizimin e plotë të ambicies sonë, do të kemi kënaqësinë e të diturit se bota që do t’u lëmë fëmijëve tanë do të jetë më e mirë për shkak të asaj që bëmë ne.
“Të bën të kuptosh,” tha astronauti shumë vite më parë, “se çfarë kemi atje në Tokë.” Dhe ai imazh në fotografi, ai top i ndritshëm blu që ngrihej mbi sipërfaqen e hënës, që mbante të gjitha ato që i kemi të shtrenjta – qeshjen e fëmijëve, perëndimin e qetë, të gjitha shpresat dhe ëndrrat për brezat e ardhshëm – ja këto janë në rrezik. Këto janë ato për të cilat po luftojmë. Dhe nëse e mbajmë mend këtë, jam absolutisht i sigurt se do të kemi sukses.

Faleminderit. Zoti ju bekoftë. Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.