Fjala e të Ngarkuarës me Punë a.i. Moses-Ones në Ceremoninë në Vlerësim të Ekipeve të Atasheut dhe Bashkëpunimit Ushtarak të SHBA

Ministre Xhaçka, Gjeneral Kollçaku, të ftuar të nderuar

Faleminderit për mundësinë që t’ju drejtohem sot.

Mund ta mbushja lehtësisht kohën time sot duke renditur të gjithë artikujt e ndihmës dhe bashkëpunimit midis institucioneve tona të mbrojtjes. Më besoni, lista është e gjatë. Ajo përfshin automjete të blinduara për Grup-Batalionin e Këmbësorisë së Lehtë, një Qendër për Reagimin Kibernetik, dhe natyrisht, helikopterët. Por pajisjet janë vetëm një aspekt i bashkëpunimit tonë të mbrojtjes. Kjo listë e gjatë përfshin gjithashtu pajisje që kushtojnë më shumë se një milionë dollarë për përgjigjet ndaj përmbytjeve dhe më shumë se 800,000 dollarë ndihmë humanitare çdo vit. Pothuajse çdo ditë të vitit, ka forca amerikane këtu në Shqipëri. Këta ushtarë jetojnë dhe punojnë me homologët e tyre shqiptarë për të forcuar lidhjet tona të forta të miqësisë. Në fakt, komentet për pothuajse çdo angazhim është se forcat shqiptare janë disa prej forcave më profesionale dhe vdekjeprurëse me të cilat kanë punuar ndonjëherë.

Kështu që në vend që të përqendrohemi te “Çfarë” bëjmë, unë do t’ju flas mbi “Pse”-në dhe “Si”-në.

Për mua, “Pse”-ja është e thjeshtë: Shtetet e Bashkuara mbështesin Forcat e Armatosura shqiptare sepse kanë treguar pafundësisht ndër vite se ato janë të përgatitura, të gatshme dhe të afta të luftojnë krah për krah me trupat amerikane dhe të NATO-s, kudo, në çdo kohë, në çfarëdo kushtesh dhe pa paralajmërim. Kjo deklaratë është e padiskutueshme, edhe përballë viktimave të pësuara. Për më tepër, Shqipëria ka respektuar Zotimin e Samitit të Uellsit dhe vazhdon të rrisë shpenzimet për Mbrojtjen Kombëtare drejt qëllimit të 2% të PBB në vit. Shtetet e Bashkuara e përgëzojnë Shqipërinë për angazhimin e saj për bashkëndarjen e barrës për NATO-n dhe mbështet përpjekjet e saj të vazhdueshme deri në vitin 2024.

Ndërsa “Çfarë” dhe “Pse” janë të rëndësishme, e sotmja ka të bëjë me “Si”-në. Si mund t’i kryejmë të gjitha gjërat që bëjmë së bashku.

Përgjigja është e thjeshtë. Janë njerëzit që shihni sot para jush.

Individë nga të dy vendet që punojnë nga mëngjesi në mbrëmje për t’u siguruar që ushtarët, marinarët, marinsat dhe aviatorët shqiptarë dhe amerikanë janë të gatshëm të hyjnë në mjedise të rrezikshme, krah për krah dhe ta bëjnë çdo kundërshtar të mundshëm të mendohet dy herë përpara se të angazhojë forcat e NATO-s.

Udhëheqësve civilë dhe ushtarakë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë: Ju vazhdoni t’i jepni përparësinë më të lartë trajnimeve me forcat amerikane — faleminderit! Fuqia e marrëdhënies sonë dypalëshe është e pamatshme dhe e pathyeshme falë jush. Për stafin amerikan të Zyrave të Atasheut tonë Ushtarak dhe të Bashkëpunimit Ushtarak: Puna juaj me zell sjell rritje të vazhdueshme të nivelit tonë të angazhimit — faleminderit! Dhe së fundi, për personelin shqiptar anëtarë të këtyre ekipeve: Ju jeni zemra që rreh e bashkëpunimit shqiptaro-amerikan të mbrojtjes. Asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur pa ju. Ju organizoni udhëtimet në Shqipëri, Evropë dhe SHBA; siguroheni që pjesët e këmbimit të kalojnë përmes doganës shpejt; menaxhoni të gjithë logjistikën dhe buxhetet për rastet e shitjeve ushtarake të huaja; ju planifikoni çdo aspekt të më shumë se 100 veprimtarive çdo vit. Me pak fjalë, pa punën tuaj të madhe pas perdes, asgjë tjetër nuk do të ishte e mundur. Faleminderit!

Faleminderit ministre Xhaçka që vlerësoni përpjekjet e Ekipeve të Atasheut Ushtarak dhe të Bashkëpunimit Ushtarak.