Fjala e Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit Steven Winberg

Seminari “Shpërndarja në Shkallë të Vogël e Gazit Natyror të Lëngshëm në Evropën Qendrore dhe Lindore”

Mirëmëngjes! Në emër të Departamentit Amerikan të Shtetit për Energjinë, është një nder të jem këtu në Tiranë sot për të diskutuar rolin që gazi natyror i lëngshëm mund të luajë për të diversifikuar kombinimin e burimeve energjitike të Shqipërisë dhe forcimin e sigurisë energjitike shqiptare.

Para se të filloj, dua të falënderoj Ministren Balluku [Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë] për mikpritjen e ngrohtë dhe për drejtimin e saj në përpjekjen për të arritur diversitet dhe siguri të energjisë për popullin shqiptar.

Dua gjithashtu të falenderoj Ambasadoren Kim për fjalimin dhe ta përgëzoj për emërimin e saj të ri si përfaqësuese e Amerikës këtu në Shqipëri. Nuk kam dyshim se ajo do të jetë një pasuri e jashtëzakonshme për miqtë tanë këtu.

Dhe ju falenderoj të gjithë që jeni këtu sot që merrni pjesë në atë që unë shpresoj të jetë një hap i rëndësishëm drejt sigurisë energjitike të Shqipërisë — dhe drejt lidhjeve më të ngushta energjitike midis vendit tim dhe tuajit.

Sikurse tha Presidenti Trump: “Eksportet e energjisë së SHBA ofrojnë siguri të vërtetë energjitike për miqtë, partnerët dhe aleatët tanë në të gjithë globin”. Dhe se angazhimi për sigurinë energjitike të partnerëve tanë në të gjithë botën është një nga shtytësit kryesorë të angazhimit tonë global për energji përmes nismave si Partneriteti për Bashkëpunimin Transatlatik në Energji.

Kështu, duam që miqtë dhe partnerët tanë në Shqipëri, sikurse dhe në pjesën tjetër të Ballkanit, Evropës Qendrore dhe Lindore dhe të Evropës më gjerësisht, të dinë se mund t’i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara si një partner të qëndrueshëm, të besueshëm energjitik ndërsa lëvizin drejt sigurisë dhe diversitetit të energjisë.

Këtu në Shqipëri, ju po bëni hapa mbresëlënës në atë drejtim, veçanërisht përmes reformave për modernizimin e shpërndarjes, transmetimit dhe gjenerimit të energjisë. Në të njëjtën kohë, Gazsjellësi Trans Adriatik ka potencial të madh për vendet në Korridorin Jugor të Gazit – përfshi Shqipërinë.  Dhe kjo thekson potencialin e gazit natyror për të rritur sigurinë energjitike për Shqipërinë dhe aksesin në energji, dhe për të zvogëluar kostot e energjisë.

Amerika është në pozita unike për t’ju ndihmuar në realizimin e këtij  potenciali – dhe kjo është veçanërisht e vërtetë kur bëhet fjalë për furnizimet me gaz natyror.

Sot, Amerika është prodhuesi më i madh i naftës dhe gazit natyror në botë. Për shkak të atij bollëku, ne jemi një nga tre eksportuesit më të mëdhenj të gazit natyror të lëngshëm (GNL).

Deri më sot, GNL i SHBA ka mbërritur në afro 40 destinacione në 5 kontinente. Ne tani eksportojmë dy ngarkesa me GNL gati çdo ditë – të mjaftueshme për të mbështetur nevojat e ndërthurura të përditshme të gazit natyror të afro gjashtë vendeve evropiane. Dhe, që prej mesit të vitit 2018, eksportet tona të GNL në Evropë janë rritur me afro 600 për qind.  Në fakt, deri në nëntor 2019, një e treta e eksporteve tona në GNL vitin e fundit shkuan në Evropë – dhe ato po ofrojnë siguri dhe diversitet të furnizimit me energji për partnerët tanë evropianë.

Mendoj se është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se Laboratori ynë Kombëtar i Teknologjisë së Energjisë kohët e fundit përditësoi një analizë të ciklit jetësor të emetimeve të gazeve serrë, të lidhur me eksportet e GNL të SHBA për prodhimin e energjisë në tregjet evropiane.  Dhe ky studim gjeti se eksportet e GNL të SHBA mund të sigurojnë një burim më të pastër të gjenerimit të energjisë këtu në Evropë.

Tani, një arsye se përse GNL jonë është tërheqëse për importuesit, është se ata e dinë që mund të mbështeten në shtetin ligjor dhe respektimin e kontratave kur bëjnë biznes me Shtetet e Bashkuara.

Një tjetër arsye është që SHBA ka një treg transparent, ndihmuar nga një sistem i shtrirë gazsjellësi që mund të transportojë gaz natyror thuajse kudo në Amerikë — plus një treg të çastit (spot market) për lëvrim të gazit natyror.

Dhe kontratat e GNL të SHBA janë ndër më elastiket në tregun global.

Dhe meqë ra fjala te elasticiteti, GNL është një karburant i gjithanshëm. Në gjendjen e tij të lëngshme, GNL është një zëvendësues me kosto shumë konkurruese për produktet e rafinuara të naftës në një sërë sektorësh, përfshirë industri, tregti, transport, dhe madje edhe prodhimin e energjisë.

Pasi rikthehet në gaz në terminalet e rigazifikimit dhe shpërndahet te konsumatori fundor përmes gazsjellësit, GNL funksionon njësoj si çdo burim tjetër i gazit për të njëjtat lloje përdorimesh.

Për shkak të këtij elasticiteti dhe shumanshmërie, tregu global po rritet me shumë shpejtësi dhe po e ndryshon plotësisht peisazhin e energjisë këtu në Evropë dhe në mbarë botën.  Kjo është e vërtetë për ngarkesa të mëdha, me shumicë dhe për autobote të përmasave të vogla.

Termi i industrisë për këtë tregti me autobote është GNL e shkallës së vogël dhe mund të jetë një alternativë tërheqëse importi për Shqipërinë dhe për vendet e tjera në rajon. Prandaj, do të doja të përqendrohesha në këtë alternativë për pak çaste.

Në Shtetet e Bashkuara, po vërejmë interes të madh për GNL të shkallës së vogël. Kjo është e vërtetë jo vetëm për tregun tonë të brendshëm, por edhe për eksportet tona, që nga ana tjetër, paraqesin një mundësi për klientët globalisht – veçanërisht në tregjet ku kërkesa për gaz natyror nuk është aq e madhe sa për të mbështetur ekonomitë e shkallës, të nevojshme për të justifikuar vëllime të mëdha të importeve përmes cisternave trandicionale të GNL.  Disa terminale në SHBA kanë eksportuar ekskluzivisht ngarkesa të shkallës së vogël në vendet e Karaibeve.

Shtrohet pyetja – a do të jetë ky rajoni i radhës? Ka disa arsye shumë të mira se përse duhet të jetë.

Para së gjithash dhe më e rëndësishmja, GNL e shkallës së vogël mund të plotësojë nevojën e kërkesës këtu në Shqipëri dhe më tej, me investime të kufizuara në infrastrukturë. Ju nuk keni nevojë të ndërtoni një terminal rigazifikimi ose rrjet gazsjellësi në Shqipëri për t’u lidhur me tregun global të GNL.

Në thelb, ekziston një mundësi për të ndërtuar një “rrjet virtual tubacionesh” për gazin për të trajtuar dobësitë e rëndësishme të sigurisë së energjisë. Kam kuptuar që Administratori i Albgazit ka qenë shumë entuziast lidhur me mundësitë tregtare të ndërtimit të “tubacioneve virtuale” – duke përdorur kamionë për shpërndarjen e GNL me autobote nga një pikë shpërndarjeje te konsumatorët në Shqipëri dhe mundësisht edhe në Kosovë.  Dhe GNL e shkallës së vogël mund të luajë një rol të rëndësishëm në ato “tubacione virtuale”.

Ekziston gjithashtu një mundësi reale për Shqipërinë që të realizojë kursime në kosto me GNL, veçanërisht nëse keni një klient të madh, të ashtëquajtur spirancë, si termocentrali i Vlorës që mund të shërbejë si një pikë shpërndarëse për vendin tuaj dhe për fqinjët tuaj.  Një klient i tillë do të lejojë kursime në kosto në të gjithë zinxhirin e furnizimit, shndërrimin e automjeteve me naftë në makina që punojnë me gaz natyror të kompresuar, do të eleminonte varësinë ndaj çmimit të naftës dhe do të zvogëlonte kostot e transportit.

Kështu që, ne besojmë se GNL e shkallës së vogël ka potencial për të siguruar përfitime të jashtëzakonshme për sigurinë dhe diversitetin e energjisë në Shqipëri dhe kemi qenë në bashkëpunim me zyrtarët shqiptarë përmes Grupit të Punës për Sigurinë e Furnizimit me Energji të Partneritetit për Bashkëpunimin Transatlantik në Energji për të analizuar përdorimet e mundshme me kosto efektive të GNL në Shqipëri.

Si pjesë e kësaj përpjekjeje, Shoqata e Energjisë e SHBA, Instituti për Teknologjinë e Gazit dhe ADI Analytics do të përgatisin për herë të parë në llojin e vet një studim teknik dhe politikash, për të kuptuar plotësisht përfitimet e mundshme afatshkurtra të (tregtisë së) GNL në shkallë  të vogël në këtë rajon. Ky studim do të shqyrtojë nevojat rajonale në infrastrukturë që mundësojnë shpërndarjen e GNL me autobote, si dhe mundësitë potenciale tregtare të lidhura me GNL në shkallë të vogël.

Ky seminar është organizuar për të mbledhur informacion të rëndësishëm nga drejtuesit dhe ekspertët rajonalë që do të japin informacion për studimin – i cili në fund të fundit mund t’ju ndihmojë të merrni vendime të mirë-bazuara për politikat dhe tregtinë në lidhje me përdorimin e GNL këtu në Shqipëri.

Kështu që, pres me kënaqësi prezantimet dhe diskutimet sot. Dhe mirëpresim mundësinë për të punuar me ju për të forcuar sigurinë dhe diversitetin tuaj energjetik.