Fjala e Gjeneralit Tod Wolters në Ceremoninë e Ditës së Vizitorëve të Shquar për Hapjen e Defender Europe 21 në Portin e Durrësit

President Meta, Kryeministër Rama, ministra, të ftuar të shquar, oficerë të lartë të flotës, dhe më e rëndësishmja, qytetarë të mrekullueshëm të Shqipërisë: është një nder të jem në praninë tuaj dhe shumë kënaqësi të jem në shtëpi në një vend që i trajton miqtë si vëllezërit e motrat, djemtë e vajzat e veta.

Më lejoni të përcjell falënderimet e mia të sinqerta për këtë vend të madh për çka keni bërë dhe çka do të vazhdoni të bëni për të prodhuar paqe në rajon dhe kudo në Europë. Më lejoni të ofroj ngushëllimet e mia për të gjithë ata që u prekën nga COVID-19 dhe më lejoni ta falenderoj këtë vend të madh për disiplinën dhe vigjilencën e tij duke drejtuar në krye për t’u siguruar që kjo pandemi nuk do të shndërrohet në një krizë të sigurisë. Siç e dini më mirë se mua, kemi ende shumë rrugë për të bërë, por me ekspertizën tuaj të demonstruar për ta mundur pandeminë, do t’ia dalim me sukses. Kjo pandemi nuk do të shndërrohet në një krizë sigurie.

Dua të falenderoj ushtrinë dhe vendin për gatishmërinë për t’u bërë mikpritës të kësaj stërvitjeje ushtarake ndërkombëtare. Siç e dini mirë tashmë, detyra është sfiduese dhe ajo që po përpiqemi të bëjmë është të përmirësojmë transparencën dhe rreshtimin tonë strategjik, diçka që nuk ka ndodhur në këto përmasa dhe nivel prej viteve 1940të.

Teksa qëndrojmë sot në këtë mjedis dhe shohim bregun, nuk mund të mos kujtojmë ç’ka ndodhur në Luftën e Dytë Botërore, zbarkimet në Siçili, D-Day, pushtimi i Normandisë, logjistika nga anija në breg. Ndërsa shohim pajisjet dhe materialet dhe qëndrojmë këtu, kuptojmë se çfarë detyre sfiduese dhe e vështirë është dhe do të demonstrojmë logjistikën nga anijet në det deri në breg, logjistika e përbashkët, diçka shumë shumë e ndërlikuar.

E bëjmë këtë në mënyrën tipike për NATO-n, me mbrojtje të shëndoshë për forcat ofruar nga ky vend dhe me ushtarët, marinarët, pilotët dhe marinsat nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar të angazhuar në një demonstrim për të përmirësuar gatishmërinë e tyre. Shpresa jonë është kjo: që pas demonstrimit të sotëm dhe kësaj stërvitjeje, secili prej nesh të jet pak më reargues, pak më i zhdërvjelltë, pak më vdekjeprurës dhe jam i bindur që do ta përmbushim këtë detyrë.

Siç është deklaruar më parë, stërvitja Defender Europe 21 përfshin mbi 30,000 ushtarë, pilotë dhe marinas nga aleatë dhe vende të NATO-s, mbi 25 vende dhe qëllimi është të vëmë në provë vendosmërinë tonë në gamën e plotë të përvojave ku përfshihemi në ushtri. Gjatë gjithë Defender Europe 21, do të shohim se çfarë quhet hyrje e përbashkët me forcë, do të përmirësojmë mbrojtjen e integruar nga ajri dhe nga raketat, do të angazhohemi në stërvitje me zjarr, dhe do kulminojmë me një stërvitje të komandës. Këto aktivitete na detyrojmë të stërvisim muskujt dhe intelektin tonë, por në fund të ditës, shpresojmë dhe e dimë që do të përmirësojmë gatishmërinë tonë në të gjitha drejtimet.

Më lejoni ta mbyll duke falënderuar këtë vend për çka bëni. Ky vend është eksportues i sigurisë dhe arsyeja pse mund ta themi të sigurt këtë është vrulli që keni demonstruar, nga hyrja në NATO në vitin 2009 deri më sot, çka na ka ofruar një Shqipëri më të sigurt, një qendër jugore më të sigurt, një Ballkan më të sigurt, një Mesdhe më të sigurt, dhe një Atlantik më të sigurt.

Sot jemi më të sigurt se kurrë më parë. Ju vërtetoni çdo ditë se jemi më të sigurt bashkë. Faleminderit shumë.