Fjala e Ambasadorit të SHBA Donald Lu në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë

Ministre Ekonomi, President i Dhomës Amerikane të Tregtisë Crawford, anëtarë të Dhomës Amerikane të Tregtisë, të dashur miq dhe kolegë,

Kur mbërrita këtu dy vjet më parë, një nga aktivitetet e para ku mora pjesë ishte Asambleja e Përgjithshme e Dhomës Amerikane të Tregtisë, ku i thamë lamtumirë Floreta Faberit dhe mirëpritëm Lorenc Gjonin.

Kohët kanë ndryshuar. Ministrat kanë ardhur e shkuar. Floreta  është në Uashington dhe Lorenci ka patur sukses këtu në Tiranë si drejtor ekzekutiv.

Tani, siç thotë  shprehja e famshme e Presidentit Trump: “Është koha të vazhdojmë rrugën!” Lorenci po i jep fund dy viteve të suksesshme me Dhomën Amerikane dhe ne mirëpresim miken tonë të mirë Enita Bezhanin si drejtoren e re ekzekutive.

Enita ka punuar për një nga projektet më të mëdhenj të investimit në historinë e Shqipërisë, Gazsjellësin Trans-Adriatik. Ishim me fat që e tërhoqëm atë te Dhoma Amerikane.

2017 do të jetë një vit i shkëlqyer për Shqipërinë. Ky është viti kur Shqipëria nis zbatimin e reformës në drejtësi, e cila do ta transformojë përgjithmonë mjedisin e biznesit për të gjithë ju.

2017 do të jetë gjithashtu viti i zgjedhjeve parlamentare, që do ta vënë Shqipërinë në një kurs demokratik për katër vite stabiliteti politik dhe përparimi më të madh drejt të ardhmes evropiane të Shqipërisë.

Ambasadori Lu në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë

2017 do të jetë viti në të cilin BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin përpjekjet e Shqipërisë për t’u përballur me sfidën e stërmadhe shoqërore të krimit të organizuar dhe të drogave të paligjshme. Kjo do të krijojë mundësi edhe më të mëdha për biznesmenët e ndershëm.

2017 është viti kur Shqipëria më në fund do zgjidhë konfliktin e korrupsionit në nivele të larta përmes krijimit të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

2017 është viti kur do të shohim investime ndërkombëtare dhe të brendshme në shkallë të gjerë të vijnë në Shqipëri.

Disa njerëz mendojnë se unë jam optimist. Nuk jam dakord. Unë jam realist dhe shoh të vijnë gjëra të mira për popullin shqiptar.