Fjala e Ambasadorit të SHBA Alexander A. Arvizu tek Tryeza e Rrumbullakët e Njësive të Përbashkëta Hetimore me Prokurorin e Përgjithshëm

Mirëmëngjes. Kam kënaqësinë t’i uroj mirëseardhjen krerëve të shtatë Njësive të Përbashkëta Hetimore dhe bashkëpunëtorëve të Njësive në agjencitë partnere të zbatimit të ligjit. Jam veçanërisht i kënaqur që Prokurori i Përgjithshëm mundi të na bashkohej këtë mëngjes duke patur parasysh axhendën e tij të ngjeshur.

Dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve për punën tuaj të madhe dhe t’ju kujtoj se keni mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Mendoj se është shumë domethënës fakti që Prokurori i Përgjithshëm është sot këtu me ne.  Ne mirëpresim dhe mbështesim përpjekjet e Prokurorit të Përgjithshëm për t’u siguruar që Njësitë të kenë burime, personel dhe trajnimin që u nevojitet për ta çuar në nivelin tjetër luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit publik.

Që prej vitit 2007, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar në krijimin dhe funksionimin e secilës prej shtatë Njësive të Përbashkëta Hetimore. E kemi bërë këtë pasi i konsiderojmë Njësitë e Përbashkëta Hetimore pjesë thelbësore të luftës së Shqipërisë kundër korrupsionit publik.

I kemi mbështetur Njësitë edhe për shkak se ne besojmë në një qasje rajonale, por dhe kombëtare për hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit publik. Njësitë janë konceptuar në mënyrë rajonale në mënyrë që të sigurohet që zyrtarët publik në të gjithë Shqipërinë të jenë nën vëshgimin e zbatimit të ligjit dhe që profesionistë të trajnuar të jenë të gatshëm anembanë vendit kurdo që të lindë nevoja.

Një koment për Shtetet e Bashkuara, për të cilën Zj. Woods dhe David janë ekspertë e i dinë përmendësh: në Shtetet e Bashkuara ka 94 Zyra Federale të Prokurorit të SHBA dhe qindra prokurorë në nivel shteti.  Sigurisht, SHBA është një vend shumë i madh, por ka 94 zyra të Prokurorit të SHBA në nivel federal.  Secila prej këtyre zyrave ka autoritetin të ndjekë penalisht krimet e korrupsionit pa miratimin e një autoriteti qendror. Ndonëse kjo nuk është e përsosur, kemi mësuar që kjo përqasje e decentralizuar ndihmon duke parandaluar të fuqishmit t’i shpëtojnë drejtësisë përmes influencës së tyre.

Tani, diçka që kam mësuar është që Shqipëria është si një fshat ku të gjithë njihen me njëri-tjetrin; këtë gjë e dëgjoj gjithnjë. Por, mendojeni kështu: edhe pse është e vërtetë që një Njësi mund të ndjejë trysni lidhur me hetimin e një personi të fuqishëm lokal, kjo Njësi mund t’ia referojë këtë rast një Njësie në një rajon tjetër, që është më e lirë nga trysnia e perceptuar.

Ne i mbështesim Njësitë edhe për faktin se ato kombinojnë përpjekjet e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm me ato agjenci shqiptare që zbulojnë dhe hetojnë vepra penale të korrupsionit publik. Caktimi i oficerëve investigativ pranë Njësive, në mënyrë që ata të punojnë me prokurorët përditë, është mënyra më e mirë për t’u siguruar që rastet do të hetohen plotësisht, shpejt dhe në një mënyrë që garanton  pranimin e provave nga gjykata.

Ndjekja e suksesshme e rasteve të ndërlikuara vjen gjithmonë prej përpjekjeve si ekip, dhe bashkëpunimi i ngushtë mes Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe atyre agjencive ligjzbatuese të përfaqësuara sot këtu mbetet jetik për suksesin e një programi antikorrupsion.

Ju nxis të gjithëve ta shfrytëzoni këtë mundësi sot dhe ta përdorni një pjesë të kohës suaj këtu për të trajtuar ato çështje ndërmjet agjencive që në të shkuarën mund të kenë sjell bllokim ose pengesa për suksesin e hetimeve dhe ndjekjen penale të korrupsionit.

Kjo është një periudhë tranzicioni në Shqipëri. Tranzicionet vijnë me sfida, por ato gjithashtu ofrojnë mundësi. Nga ana jonë, ne në Ambasadë kemi shfrytëzuar këtë periudhë tranzicioni për të folur me Prokurorin e Përgjithshëm, Ministrin e ri të Drejtësisë, Ministrin e ri të Brendshëm, prokurorë të rëndësishëm, që të gjithë ta shohin këtë periudhë tranzicioni si një mundësi për të ndryshuar perceptimin e korrupsionit në vend, në mënyrë të veçantë mënyrën se si mund të punohet së bashku për të trajtuar çëshjet e korrupsionit. Dhe unë e shoh këtë si një mundësi të cilën ju mund ta përdorni për të ndihmuar më tej në këtë përpjekje.

Është gjithashtu kënaqësi që këtë mëngjes t’i uroj mirëseardhjen në këtë tryezë të rrumbullakët zj. Rae Woods.  Zj. Woods është prokurore në Seksionin e Integritetit Publik në Departamentin Amerikan të Drejtësisë.  Pjesë e takimit tuaj të sotëm këtu do të jetë një prezantim nga Zj. Woods lidhur me hetimin e rasteve të mitmarrjes, duke theksuar çështjet që kanë të bëjnë me gjyqësorin.

Korrupsioni publik që përfshin gjykatësit mund të minojë të gjithë sistemin e drejtësisë. Ai shkatërron besimin dhe sigurinë e publikut në sistemin ligjor dhe dobëson respektin për ligjit. Ai i privon sipërmarrësit nga siguria që duhet të kenë për të bërë investime të rëndësishme. Dhe më e rëndësishmja, cilido rast që ndikohet nga korruptimi i gjyqësorit përbën një dështim të drejtësisë.

Problemi në Shqipëri është serioz. Sipas Transparency International, një organizatë mjaft e respektuar më duhet të shtoj, gjyqësori është institucioni publik më pak i besuar, më pak i besuari në Shqipëri. Mbi 80 për qind e shqiptarëve e shohin gjyqësorin si të korruptuar ose tejet të korruptuar.

Vlerësojmë shumë gatishmërinë e Zj. Woods që të ndajë me ju pikëpamjet e saj këtë javë gjatë këtij seminari. Mesa di, përveçse do të bëjë një prezantim për ju këtu sot, zj. Woods dhe z.Grise do të takohen me ju në zyrat e Njësive në secilin prej shtatë qyteteve gjatë dy javëve të ardhshme.

Ndekjet e suksesshme penale janë pjesë thelbësore e çdo programi antikorrupsion. Megjithatë, ndjekje të suksesshme penale kërkojnë mbështetje nga publiku.  Kemi nevojë që publiku të denoncojë rastet e korrupsionit, të bashkëpunojë me hetimet dhe të ofrojë dëshmi të vërteta. Z. Grise do t’ju flasë sot për planet e një fushate për rritjen e mbështetjes së publikut për përpjekjet tuaja për zbatimin e ligjit dhe për të pakësuar krimet duket i bindur shqiptarët që të mos paguajnë rryshfet. Shpresojmë që zyrat tuaja do të jenë të gatshme të bëhen pjesë e kësaj fushate të re.

Dëshiroj t’ju falënderoj sërish që merrni pjesë në këtë seminar, për punën tuaj të madhe dhe t’ju kujtoj sërish që keni mbështetjen e Ambasadës së SHBA.

###