Fjala e Ambasadorit të SHBA Alexander A. Arvizu tek Ceremonia e Nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit për Sekuestrimin & Konfiskimin e Aset

Mirëmëngjes të gjithëve dhe gëzuar Vitin e Ri!

Jam shumë i kënaqur që jam këtu këtë mëngjes me katër ministra të Kabinetit si dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Mendoj se kjo është një dëshmi e madhe e rëndësisë së këtij Memorandumi bashkëpunimi, por edhe më gjerë, për bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kur flitet për çështjet e zbatimit të ligjit në përgjithësi dhe luftën kundër korrupsionit në veçanti.

Dua të falënderoj të gjithë në këtë tavolinë, stafin e tyre – shumë prej jush janë ulur në audiencë – për ndihmën tuaj përgjatë një viti. Falë pëpjekjeve tuaja dhe të OPDAT-it, ju finalizuat këtë memorandum, e bëtë realitet. Shkurtimisht,  pak fjalë për Memorandumin dhe atë që përfaqëson.

Në thelb, ai përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e secilës agjenci dhe rolin që ato luajnë në konfiskimin e aseteve. Për shkak të shumë ligjeve dhe rregullave që qeverisin sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve, qëllimi i këtij Memorandumi është të thjeshtojë procesin duke përcaktuar qartë cilat janë përgjegjësitë e secilës agjenci.

Janë tre arsye themelore pse konfiskimi është i rëndësishëm. Më lejoni të përmend shkurtimisht secilin prej tyre.

Pikë së pari, për arsye të qarta, kriminelët nuk duhet të lejohen të përfitojnë nga krimet e tyre, dhe, në çdo rast, kur kjo ndodh, prokurorët, veçanërisht në çështjet e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të konfiskuar përfitimet e paligjshme të të akuzuarve.

Së dyti, konfiskimi i të ardhurave nga krimi ndihmon të parandalojë kriminelët në financimin e mëtejshëm të aktiviteteve të paligjshme.

Së fundmi, kur një qeveri është në gjendje të sekuestrojë asete dhe t’i konfiskojë ato, kjo kthehet në një burim të ardhurash për qeverinë të cilat pastaj mund të përdoren për të vazhduar luftën kundër krimit.

Meqenëse duhet të lë dhe zotërinjtë e tjerë të flasin, do të doja të thoja disa fjalë për rolin e prokurorëve, ata që janë kaq të rëndësishëm për këtë çështje dhe çështjen e drejtësisë në përgjithësi në Shqipëri.

Nën Ligjin shqiptar të Anti-mafias, Zyra e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka juridiksion të drejtpërdrejtë mbi të gjitha rastet e konfiskimit dhe kjo zyrë ka punuar intensivisht për të gjurmuar asetet e krimit të organizuar dhe çështje të tjera nën juridiksionin e saj.

Shumë prej jush janë të njohur me Njësitë e Përbashkëta të Hetimit. Ato punojnë kryesisht me çështjet e pastrimit të parave, por ato bashkëpunojnë mjaft ngushtë me prokurorët e Krimeve të Rënda. Dua të falënderoj dhe përgëzoj këto njësi për punën e tyre të madhe në këtë fushë – njësia e Tiranës ka qënë veçanërisht e suksesshme – dhe dua të vazhdoj të inkurajoj përpjekjet e tyre.

Kur shkova të takoja z. Llalla që ta përgëzoja për detyrën e tij të re si Prokuror i Përgjishthëm, folëm për rolin e rëndësishëm të këtyre njësive, se si Shtetet e Bashkuara ndihmuan në krimin e tyre – njësia e Tiranës në veçanti pasi ajo trajnon dhe gjashtë njësitë e tjera rajonale, — punën që ato bëjnë në luftën kundër pastrimit të parave. Siguright që roli i prokurorëve vjen në fillim, por shumë aktorë të tjerë kanë një rol të rëndësishëm në administrimin e këtyre aseteve dhe, në fund, në  shitjen e tyre për t’i sjellë të ardhura qeverisë shqiptare.

Një tjetër që dua të përmend – ka një emër të gjatë dhe duhet ta lexoj me kujdes – është Agjencia për Administrimin e Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAASK). Ajo u themelua falë ndihmës në trajnime, dhurim pajisjesh, dhe asistencë teknike, përfshirë nënshkrimin e këtij dokumenti sot. Dua të përgëzoj Agjencinë për punën e shkëlqyer në administrimin e aseteve nën kontrollin e saj.  Faleminderit!

Së fundmi, dua të përmend disa të tjerë që e kanë bërë të mundur këtë dhe janë të rëndësishëm në këtë sukses. Jam i gëzuar të shoh këtu Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Burgaj, Zyrën e Përmbarimit, Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Njësinë e Inteligjencës Financiare në Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor nën Ministrin Olldashi.

Faleminderit të gjithëve. Ky është një hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Jam me të vërtetë mirënjohës për përpjekjet tuaja dhe ju uroj suksese dhe angazhohem që mbështetja e qeverisë së SHBA në zbatimin e këtij program do të vazhdojë.

###