Fjala e Ambasadorit në Tryezën e rrumbullakët të Gjyqësorit për Drejtësinë Penale

Prokuror i Përgjithshëm Llalla, të nderuar deputetë, Drejtor Treshka, ekspertë të reformës në drejtësi, zonja dhe zotërinj,

Javën e kaluar pyeta: kush i trembet më shumë kësaj reforme?

Thashë se shumë zyrtarë të qeverisë dhe të gjyqësorit i tremben asaj.  Personat e tjerë që duhet t’ia kenë frikën janë kriminelët autorë të krimeve të rënda që ecin lirisht në rrugë çdo ditë.

Persona si Arben Frroku, që vrau një shef policie, por, në mënyrë të mistershme, u lejua të largohej nga vendi ndërsa ishte në pritje të apelimit në gjykatë. Persona si trafikanti i dënuar për drogë Emiljano Shullazi, që është akuzuar haptazi në media për trafikim të vazhdueshëm të narkotikëve dhe vrasje, por nuk është çuar përpara drejtësisë.  Dhe persona si Sokol Mjacaj, i cili u dënua për vrasjen e një djali 13 [trembëdhjetë] vjeçar, por që më herët u lirua në mënyrë të dyshimtë nga burgu dhe më pas vrau një çift çek pranë Thethit.  Këta janë llojet e personave që duhet të kenë frikë nga një sistem drejtësie funksional.

Sipas Komisionit Europian për Efikasitetin në Drejtësi, Shqipëria ka nivelin më të ulët në Europë të ndjekjes penale të krimeve të rënda.  Populli shqiptar kërkon një sistem që largon nga rrugët kriminelët autorë të krimeve të rënda dhe i fut ata në burg, ku e kanë vendin.

Ekspertët amerikanë dhe europianë kanë punuar shumë me ekspertët shqiptarë për të hartuar një paketë reforme që do të rezultojë në më shumë ndjekje penale të krimeve të rënda.  Ekspertët ndërkombëtarë kanë pasur parasysh katër qëllime:

— Së pari, të adresojnë korrupsionin dhe ndikimin politik.

— Së dyti, të parandalojnë që gjykatësit dhe prokurorët të mbrojnë gjykatës dhe prokurorë të tjerë të korruptuar dhe të paaftë.

— Së treti, të shmangin kapjen politike nga cilado parti.

— Dhe së katërti, të sigurohen që sistemi i ri është në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Unë besoj që kjo reformë i përmbush këto katër qëllime.

Së fundi, kam kuptuar se disa personave mund t’iu jetë thënë prej shefave të tyre se çfarë duhet të thonë, ose më keq akoma, se çfarë nuk duhet  të thonë.  Nëse kjo është e vërtetë, më kujton më shumë të shkuarën komuniste të Shqipërisë sesa të ardhmen e saj demokratike. Ujku qimen e ndërron, por zakonin kurrë nuk e harron.

Qëllimi i këtyre tryezave të rumbullakëta është të dëgjojmë nga publiku, përfshirë edhe bashkësinë e prokurorëve, për këto reforma.  Ky është sistemi juaj i drejtësisë. Kini kurajon të flisni atë që mendoni dhe mos përsërisni verbtazi çfarëdo gjëje që ju kanë thënë të thoni.  Mos u trembni nga këta persona anonimë.

Shpresoj që si rezultat i reformës në drejtësi Shqipëria do të jetë një vend më i sigurtë, me më shumë kriminelë në burgje dhe me më pak njerëz në gjendje të manipulojnë gjykatësit dhe prokurorët.