Fjala e Ambasadorit në Aktivitetin për Kodin e Etikës

Ministër Tahiri, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Çako, anëtarë të Policisë së Shtetit shqiptar, zonja dhe zotërinj,

Në Amerikë dhe në Shqipëri, ëndrra e shumë e shumë fëmijëve është që kur të rriten të bëhen oficerë policie. Djemtë dhe vajzat shohin uniformën e veçantë blu. Ata shohin makinat me fenelinë.  Ata e përfytyrojnë veten tek shpëtojnë njerëzit prej hajdutëve të bankave dhe arrestojnë kriminelë të rrezikshëm.

Problemi është që ndërsa këta fëmijë rriten, shpesh ata shohin një imazh të ndryshëm të policisë në rrugët e tyre dhe në media.

Në Shtetet e Bashkuara, oficeri i policisë së Los Anxhelos Ray Lopez u dënua për vrasjen e dy personave të paarmatosur, për pjesëmarrje në grupe kriminale dhe për vjedhje e rishitje kokaine me vlerë tetëqind mijë dollarë [$800,000].

Polici i Njësisë kundër bandave në Çikago, Joseph Miedonowski, u dënua me dhjetë [10] akuza për bashkëpunim në formën e një grupi kriminal për lëndët narkotike, duke drejtuar bandën e tij të drogës nga brenda departamentit të policisë.  Ai kishte shërbyer në forcën e policisë për njëzetë e dy [22] vite dhe u dënua me burgim të përjetshëm për krimet e tij.

Policia e Shtetit shqiptar është përballur me sfidat e saj në luftën kundër shpërthimeve, narkotikëve, vrasjeve dhe krime të tjera të rënda. Përfundimi i këtij Kodi Etike do të ndihmojë në këtë betejë.

Më ka lënë mbresë që kodi identifikon si njërin prej misioneve kyç të policisë ndihmën ndaj të sëmurëve, të plagosurve, fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara. Më pëlqen që përmban zotimin që policët dhe policet nuk do të pijnë duhan, nuk do të luajnë kumar ose nuk do të pijnë alkool kur janë në detyrë.  Kjo është një kujtesë që oficerët e policisë janë një model për një brez të tërë fëmijësh.

Por, më e rëndësishmja nga të gjitha, është deklarata e qartë e vlerave të Policisë së Shtetit shqiptar. Ju qartazi refuzoni korrupsionin, dhuratat e të gjitha llojeve, diskriminimin, torturën dhe ndikimin politik. Ky është një kod shumë i fortë sjelljeje.

Së fundi, ky dokument do të ishte i pakuptimtë nëse policët nuk e kuptojnë dhe nuk diskutojnë për të. Është e lehtë të nënshkruash një formular për të thënë se e ke lexuar atë. Është shumë më e rëndësishme që Ministria e Brendshme ka marrë angazhimin për të trajnuar të gjithë  të dymbëdhjetë mijë [12,000] punonjësit e Policisë së Shtetit për këtë Kod Etike dhe për t’u ofruar atyre mundësinë për të biseduar mbi atë që ky kod nënkupton për punën e tyre.

Për shumë prej burrave dhe grave të guximshme që shërbejnë në Policinë e Shtetit shqiptar, këto ideale të larta nuk janë të reja. Por, duke i bërë ato standarde për të gjithë punonjësit e policisë shpresa jonë është që Policia e Shtetit të ndërtojë më tej kulturën e respektimit të profesionit të oficerit të policisë dhe respektin për njerëzit të cilëve u shërben.