Fjala e Ambasadorit Lu në Ecjen për parandalimin e kancerit të gjirit

Ministër Beqaj, Kryetar i Bashkisë Veliaj, Zj. Godaj, të guximshme të mbijetuara nga kanceri i gjirit, zonja dhe zotërinj,

Kanceri i gjirit e ka prekur familjen tonë. Ne kemi kaluar përmes traumës së një diagnoze dhe gëzimit të kurimit të suksesshëm.

Nëse do t’ju pyesja se cili mes nesh ka një anëtar të afërt të familjes apo mik  që është prekur prej kësaj sëmundjeje, jam i sigurtë se gjithësecili do ta ngrinte dorën e tij apo të saj.

Në Shtetet e Bashkuara, një në tetë gra diagnostikohet me kancer gjiri gjatë jetës së saj. Falë përparimeve në mjekësi dhe diagnostikimit të hershëm, pjesa më e madhe do të kurohen me sukses.

Në Shqipëri, shkalla e zbulimit të hershëm është e ulët. Këtu, kjo shpie në një shkallë të ulët mbijetese prej kancerit të gjirit, krahasuar me vende të tjera.  Përgjigjja është e qartë. Ju lutem bëni mamografi në mënyrë të rregullt dhe konsultohuni me mjekun tuaj.

Për shtatë vite i kemi mbështetur marshimet e YWCA’s për Kancerin e Gjirit.  Dëshiroj ta falenderoj YWCA-në dhe partnerët e saj për udhëheqjen e tyre në këtë çështje.  Dëshiroj të falenderoj veçanërisht ata që kanë mbledhur para për t’u ofruar grave shqiptare një mundësi për t’u kontrolluar dhe për të kryer mamografi.

Punofshim të gjithë së bashku për gra të shëndetshme dhe familje të shëndetshme.