Fjala e Ambasadorit Lu në Diskutimin e Panelit “Zhvillimi i një koncepti të fortë për sigurinë e energjisë në Europë”

I nderuar Ministër Bushati, Ministër Gjiknuri, Minister Petkova, Zëvendës Ministër Giro, Drejtor Kopac, Zonja dhe Zotërinj,

Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara fuqimisht për sigurinë e energjisë europiane, përfshirë sigurinë e energjisë për rajonin e Ballkanit.

Por, ne nuk jemi europianë dhe nuk jemi nga Ballkani. Përse duhet të na interesojë kjo?

Është në vetë interesin tonë strategjik të mbështesim një treg energjie të sigurtë dhe të qëndrueshëm europian me larmi llojesh, burimesh dherrugësh transporti.  Vetëm përmes kësaj qasjeje Europa dhe Shtetet e Bashkuara do të mund të ndërtojnë siguri rajonale, begati ekonomike dhe qëndrueshmëri.

Në terma praktikë, Shtetet e Bashkuara ofrojnë mbështetje të fortë dhe të vazhdueshme politike e teknike për sigurinë rajonale të energjisë përmes Këshillit SHBA-BE për energjinë. Javën e ardhshme do të mbajmë në Uashington DC takimin e shtatë të këtij këshilli në nivel ministrash.  Sigurimi i energjisë dhe diversifikimi do të vazhdojnë të mbeten në krye të përparësive tona gjatë këtij takimi.

Korridori Jugor i Gazit

Shtetet e Bashkuara mbeten një mbështetëse e fortë e Korridorit Jugor të Gazit, përfshirë Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP), i cili do të kalojë nëpër Shqipëri.  Ne e kemi mbështetur fuqimisht këtë projekt, pavarësisht mungesës së përfshirjes së kompanive nga SHBA, pasi besojmë që është jetike për sigurinë europiane që Europa të ketë furnizues dhe rrugë transporti alternative për gazin e saj.

Kjo është gjithashtu arsyeja se përse nuk shohim nevojën për projekte të tjera gazsjellësish të mëdhenj, të cilët mund të shërbejnë si shpërqendrim nga projektet dhe reformat ekzistuese.  Nuk ka një arsye të qartëekonomike për të ndërtuar një gazsjellës të ri, të madh – qoftë ky “Turkish Stream” ose zgjerimi i “Nord Stream” – për të lidhur të njëjtin gaz që vjen nga Rusia me të njëjtët klientë europianë, ndërsa tubacionet ekzistuese gazsjellëse nga Rusia përdoren vetëm 60 për qind.

Nëse këta gazsjellës të propozuar nuk kanë kuptim ekonomik, ato duhet t’u shërbejnë një qëllimi politik.  Qeveritë – dhe kompanitë – duhet  të jenë shumë të kujdesshme ndaj motiveve të tilla politike që mund të mos jenë në interesin e tyre më të mirë.

Hapat e tjerë në Shqipëri

Në periudhën afatgjatë, TAP-i ka mundësinë të sjellë për Shqipërinë gaz natyror të bollshëm, të pastër dhe të pakushtueshëm, dhe e nxis qeverinë të vazhdojë planifikimin për gazifikimin aftagjatë të ekonomisë së Shqipërisë.

Në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara po mbështesin gjithashtu sigurinë energjitike duke e ndihmuar qeverinë në përpjekjet e saj për reformën ligjore dhe rregullatore në sektorin e energjisë elektrike, duke e ndihmuar sektorin energjitik të Shqipërisë të respektojë standardet e BE-së.  Shqipëria është e bekuar me energji hidrike të bollshme, por deri kohët e fundit, thuajse gjysma e prodhimit të brendshëm humbiste për shkak të keqmenaxhimit dhe problemeve në rrjetin elektrik.  Asistenca teknike e ofruar përmes USAID-it e ka ndihmuar qeverinë t’i zvogëlojë këto humbje nga thuajse 50 për qind në 37 për qind, duke i kursyer qeverisë shqiptare në vitin 2014 afro 130 milionë dollarë.  Nga kjo përfitojnë konsumatorët, të ardhurat e qeverisë dhe bizneset.

Pergëzoj përshkushtimin e qeverisë që bizneset dhe qytetarët të paguajnë faturat e tyre të energjisë elektrike.  Hapi tjetër do të jetë investimi në infrastrukturë moderne të transmetimit dhe të shpërndarjes, ruajtja e menaxhimit të fortë dhe transparent të shërbimeve të shpërndarjes dhe përqendrimi në integrimin rajonal.

Energjia hidrike është e lirë dhe e pastër, por ka edhe disavantazhet e saj.  Më e dukshmja, ajo funksionon me të vërtetë vetëm kur ka shira të mjaftueshëm.  Për këtë arsye integrimi rajonal është kaq i rëndësishëm.  Me interkonektorët rajonalë të duhur, Shqipëria mund ta eksportojë energjinë e saj hidrike të lirë dhe të pastër gjatë stinës së shirave dhe të importojë energji elektrike nga fqinjët gjatë stinës së thatë.  Hapi i parë në këtë diversifikim duhet të jetë ndërtimi i linjës së interkonjeksionit 400 kv me Kosovën, e cila do t’i japë Kosovës akses në energjinë hidrike shqiptare dhe Shqipërisë akses në burime të tjera të energjisë në rajon.

Në përfundim, më lejoni të theksoj se siguria e energjisë nuk është falas.  Të shpenzuarit për infrastrukturën e sigurisë së energjisë është investim në stabilitetin dhe begatinë afatgjatë.  Shpenzimet kapitale të qeverive duhet të jenë të synuara dhe  të plotësojnë financimin e kufizuar të disponueshëm prej BE-së, bankave të zhvillimit dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.

Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj qëllimit të përmirësimit të sigurisë rajonale të energjisë dhe përmes këtyre përpjekjeve, ndaj stabilitetit dhe begatisë rajonale.